27 Nëntor 2020 Njoftim për caktimin e datës për organizimin e procedurës për hedhjen e shortit nga Presidenti i Republikës, për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) që do të funksionojë përgjatë vitit 2021
PRESIDENTI I REPUBLIKËS ORGANIZON HEDHJEN E SHORTIT PËR ZGJEDHJEN E ANËTARËVE TË KËSHILLIT TË EMËRIMEVE NË DREJTËSI (KED) NË DATË 4 DHJETOR 2020, ORA 11:00
Presidenti i Republikës, në mbështetje të:
– nenit 149/d, pika 3, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë;
– nenit 221 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, të ndryshuar;
me Vendimin nr. 413, datë 25.11.2020, ka vendosur që:
Ditën e premte, datë 4 dhjetor 2020, ora 11:00, në sallën “Skënderbej”, në Institucionin e Presidentit të Republikës, me adresë Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 1 Tiranë, do të hidhet shorti për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili do të funksionojë përgjatë vitit 2021.
Rregullat e hollësishme për hedhjen e shortit janë të miratuara me Vendim nr. 404, datë 25.11.2019, të Presidentit të Republikës, “Për përcaktimin e procedurës dhe rregullave të hedhjes së shortit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”.
Në zbatim të nenit 221, të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, të ndryshuar, Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, kanë dërguar pranë Institucionit të Presidentit të Republikës listat me emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët plotësojnë kushtet e parashikuara në ligj, për t`u përfshirë në shortin që do të hidhet për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Institucioni i Presidentit të Republikës, në zbatim të pikës 1 dhe 2 të ligjit nr. 115/2016, do të jetë në komunikim zyrtar të vazhdueshëm me institucionet respektive për administrimin e informacionit të azhornuar për të garantuar që, në momentin e hedhjes së shortit në datë 4 dhjetor 2020, ora 11:00, sipas ligjit të përfshihen në short për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ata magjistratë (gjyqtarë dhe prokurorë) dhe gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, të cilët, plotësojnë kushtet e parashikuara në Kushtetutë dhe në ligj.
Institucioni i Presidentit të Republikës njofton publikisht dhe zyrtarisht Avokatin e Popullit, për të qenë i pranishëm si vëzhgues i të gjithë procedurës së hedhjes së shortit.
Duke mbajtur në konsideratë nevojën për respektimin e protokolleve shëndetësore dhe rregullave për shkak të situatës pandemike Covid-19, Presidenti i Republikës fton Gjykatën Kushtetuese, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, të jenë të pranishëm në momentin e hedhjes së shortit përmes një përfaqësuesi të caktuar prej tyre.
Procedura e hedhjes së shortit do të jetë publike dhe do të transmetohet live përmes mjeteve të informimit publik, medias televizive, medias on line, etj.
Institucioni i Presidentit të Republikës bën me dije se ka parashikuar që, momenti i hedhjes së shortit të ketë mbulimin e nevojshëm mediatik, si dhe ka marrë të gjitha masat që ky proces t’i nënshtrohet plotësisht parimeve të transparencës, gjurmueshmërisë dhe monitorimit, dhe të bëhet e mundur ndjekja live dhe në kohë reale e procesit.
Kjo për të bërë të mundur që ky proces të ndiqet nga të gjithë institucionet, subjektet e interesuara dhe publiku, që për shkak të akteve ligjore në fuqi për shkak të pandemisë, nuk e kanë të mundur ta ndjekin drejtpërdrejtë nga salla procesin e hedhjes së shortit.
Më poshtë gjenden të publikuara:
– Vendim nr.413, datë 25.11.2020 i Presidentit të Republikës “Për caktimin e datës për organizimin e procedurës për hedhjen e shortit nga Presidenti i Republikës, për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi që do të funksionojë përgjatë vitit 2021”;
– Listat paraprake të kandidatëve të dërguara nga Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë;
– Rregullore për përcaktimin e procedurës për hedhjen e shortit për zgjedhjen e anëtarëve të KED-së, miratuar me Vendimin nr. 404, datë 25.11.2019, të Presidentit të Republikës;
Shënim: Duke vlerësuar transparencën si parimin themelor të veprimtarisë së Institucionit të Presidentit të Republikës, kjo rubrikë do të përditësohet në kohë reale me informacionin dhe dokumentacionin që Institucioni i Presidentit të Republikës, do të kërkojë apo do të administrojë në lidhje me të gjithë procesin.
1. LISTAT E KANDIDATËVE TË GJYK. KUSHTETUESE
2. LISTAT E KANDIDATËVE TË KLGJ-së
3. LISTAT E KANDIDATËVE TË KLP-së
Vendim nr. 413-2020 Për caktimin e datës së hedhjes së shortit për KED 2021