
5 Nëntor 2018 Njoftim për përzgjedhjen e znj. Vitore Tusha, kandidate në pozicionin kushtetues të Kryetarit të KLSH-së
NJOFTIM
PËR
PËRZGJEDHJEN E Znj. VITORE TUSHA PËR T’IU PROPOZUAR KUVENDIT TË SHQIPËRISË, PËR T’U ZGJEDHUR NË POZICIONIN KUSHTETUES TË KRYETARIT TË KONTROLLIT TË LARTË TË SHTETIT
Presidenti i Republikës, në mbështetje të nenit 162 pika 2 të Kushtetutës, si dhe të nenit 19 pika 2, të ligjit nr.154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, pas shqyrtimit të të gjithë kandidaturave që kanë shprehur interesin, në përfundim të procesit vlerësues me Dekretin nr. 10929, datë 05.11.2018, ka vendosur që znj. Vitore Tusha t’i propozohet Kuvendit të Shqipërisë për t’u zgjedhur në pozicionin Kushtetues të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Presidenti pas realizimit të një procesi transparent dhe objektiv, ka arritur në konkluzionin se, Doktore e Shkencave Juridike znj. Vitore Tusha plotëson kushtet dhe kriteret ligjore, si dhe është kandidatura më e përshtatshme për t’u zgjedhur në këtë pozicion kushtetues, bazuar në eksperiencën solide dhe kontributin e pandërprerë të znj. Tusha, në fushën e jurisprudencës, si në sistemin gjyqësor, ashtu dhe referuar angazhimeve të saj akademike si pedagoge në institucionet e arsimit të lartë në fushën e së drejtës, trajnuese dhe pedagoge në Shkollën e Magjistraturës, apo edhe si eksperte në fushën e së drejtës kushtetuese e më gjerë.
Presidenti i Republikës, vlerëson se znj. Vitore Tusha, aktualisht anëtare në detyrë e Gjykatës Kushtetuese, së cilës i ka mbaruar mandati në këtë funksion që prej datës 10 mars 2017, gëzon një integritet të lartë moral dhe profesional, e konfirmuar edhe në rrugë institucionale, pasi si subjekt i ligjit nr.84/2016, ajo është konfirmuar në detyrë dhe ka kaluar me sukses dhe me vendim të formës së prerë, procesin e rivlerësimit kalimtar (Vettingun), për të gjithë komponentët e këtij procesi, duke krijuar bindjen se kandidatura e saj është e denjë për t’u zgjedhur si Kryetar i Kontrollit ë Lartë të Shtetit.
Duke zgjedhur një kandidaturë si znj. Tusha larg çdo angazhimi partiak në të kaluarën, Presidenti beson se kontribuon për garantimin e pavarësisë së këtij institucioni shumë të rëndësishëm kushtetues.
Presidenti i Republikës gjen rastin të falënderojë të gjithë aplikantët e tjerë, që kanë shprehur interesin për të marrë pjesë sipas thirrjes së hapur prej tij, disa prej të cilëve janë personalitete të njohura publike dhe me kontribute të shquara në fushat e ekonomisë dhe drejtësisë.
CURRICULUM VITAE
VITORE TUSHA
TË DHËNA PERSONALE:
Datëlindja: 26.11.1960
Vendlindja: Tiranë
EDUKIMI DHE GRADA SHKENCORE:
1997 “Doktor” i Shkencave në Drejtësi, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës
1979-1983 Dega Drejtësi, Fakulteti i Shkencave Politiko-Juridike, Unversiteti i Tiranës
1975-1979 Shkolla e mesme e përgjithshme “Bardhork Biba”, Rrëshen Mirditë
EKSPERIENCA NË PUNË:
2008 – në vazhdim Gjykata Kushtetuese, – Gjyqtare
2004 – 2008 Dhoma e Avokatisë Tiranë, – Avokate
1994 – 2001 Gjykata e Kasacionit, – Gjyqtare
1992 – 1994 Gjykata e Rrethit Tiranë, – Gjyqtare
1990 – 1992 Dhoma e Avokatisë Tiranë, – Avokate
1983 – 1990 Gjykata e Rrethit Tiranë, – Përmbaruese Gjyqësore
Për më tepër, vizitoni linkun e mëposhtëm të faqes zyrtare të internetit të Gjykatës Kushtetuese.