23 Shtator 2019 Njoftim-Shpallje “Për hapjen e procesit, për shprehjen e interesit, për t’u përzgjedhur kandidat për pozicionin e anëtarit të Komisionit të Konkurrencës në Autoritetin e Konkurrencës”
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
PRESIDENTI
NJOFTIM – SHPALLJE
“PËR HAPJEN E PROCESIT, PËR SHPREHJEN E INTERESIT, PËR T’U PËRZGJEDHUR SI KANDIDAT QË DO T’I PROPOZOHET KUVENDIT TË SHQIPËRISË PËR T’U ZGJEDHUR NË POZICIONIN E ANËTARIT TË KOMISIONIT TË KONKURRENCËS NË AUTORITETIN E KONKURRENCËS”
Presidenti i Republikës, pas administrimit të njoftimit nga Kuvendi i Shqipërisë nr. 3092/1 prot., datë 13.09.2019 se mandati 5-vjeçar i zotit Eduard Ypi, si anëtar i Komisionit të Konkurrencës, përfundon në datën 30.10.2019, në mbështetje të nenit 21 pika 3/a, të ligjit nr. 9121, datë 28.7.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, të ndryshuar, si dhe me vullnetin për realizimin e një procesi objektiv e transparent për të siguruar përzgjedhjen e një kandidature me integritet të lartë moral dhe profesional të përshtatshme për këtë pozicion, ka vendosur:
Hapjen e procesit për çdo të interesuar, që të shprehë interesin për të qenë kandidat për pozicionin e anëtarit të Komisionit të Konkurrencës në Autoritetin e Konkurrencës, që do të zgjidhet nga Kuvendi i Shqipërisë, me propozim të Presidentit të Republikës.
Në zbatim të nenit 21 të ligjit nr. 9121/2003, Anëtarët e Komisionit të Konkurrencës zgjidhen nga Kuvendi, me kandidatura të ndryshme, ku një anëtar propozohet nga Presidenti i Republikës. Anëtari i Komisionit të Konkurrencës mund të zgjidhet kandidati që plotëson kushtet e parashikuara në ligjin nr.9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, i ndryshuar.
Presidenti i Republikës fton:
Çdo person të interesuar që plotëson kushtet dhe kriteret e parashikuara në ligjin nr. 9121, datë 28.7.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, i ndryshuar, që të marrë pjesë në këtë proces publik e të shprehë interesin për të qenë kandidat për Anëtar të Komisionit të Konkurrencës, të paraqesë pranë Institucionit të Presidentit të Republikës dokumentacionin si më poshtë:
– Kërkesën për shprehjen e interesit;
– Jetëshkrimin në gjuhën shqipe me të dhënat e plota të kontaktit;
– Kopje të noterizuar të dokumentacionit shoqërues që vërteton përmbushjen e kushteve dhe kritereve për t’u zgjedhur në këtë pozicion, të përcaktuara në nenin 20 të ligjit nr. 9121, datë 28.7.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, i ndryshuar, si:
– të jetë shtetas shqiptar;
– të ketë vjetërsi pune në profesion jo më pak se 15 vjet;
– të jetë, prej jo më pak se 5 vjetësh, pjesëtar i trupit akademik universitar ose të mbajë titull apo gradë shkencore në fushën e ekonomisë a të drejtësisë, specialiteti “E drejtë civile/ administrative”;
– të mos jetë larguar nga puna ose nga shërbimi civil me masë disiplinore.
Kërkesa për shprehje interesi dhe dokumentet shoqëruese mund të dorëzohet me postë ose drejtpërsëdrejt në mjediset e selisë së Presidentit, në adresën: Institucioni i Presidentit të Republikës, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Nr.1 Tiranë, Kodi Postar 1001.
Afati i paraqitjes së shprehjes së interesit, shoqëruar me dokumentacionin e nevojshëm, do të jetë deri në datën 3 tetor 2019, ora 14:00.
Pas administrimit të dokumentacionit, lista e personave, të cilët kanë shprehur interesin do të bëhet publike në faqen zyrtare të Institucionit të Presidentit të Republikës.
Kandidatit/tëve të përzgjedhur do t’i kërkohet paraqitja e dokumentacionit shtesë si më poshtë:
– Formularin e vetëdeklarimit, të plotësuar dhe nënshkruar sipas përcaktimeve të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.
– Formularin e aplikimit, të plotësuar “Për informim përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta”, në përputhje me parashikimet ligjore të nenit 29, të ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e Ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.
– Vetëdeklarim i aplikantit se nuk ndodhet në kushtet e pengesës ligjore të papajtueshmërisë së funksionit sipas përcaktimeve të nenit 22 pika 1, të ligjit nr. 9121, datë 28.7.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, i ndryshuar.
Propozimi që Presidenti i Republikës do t’i përcjellë Kuvendit të Shqipërisë, do të publikohet në faqen zyrtare të Institucionit.