9 Qershor 2018 Presidenti Meta çel sezonin turistik në Bashkinë e Pustecit
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta vizitoi sot Bashkinë e Pustecit ku u prit nga nënkryetari i Bashkisë së Pustecit, Andon Jani, përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor si dhe nga dhjetëra banorë të minoritetit maqedonas.
Së bashku me nënkryetarin e Bashkisë së Pustecit, Andon Jani dhe anëtarë të Këshillit Bashkiak, Presidenti Meta përuroi sezonin e ri turistik.
Presidenti i Republikës vuri në dukje se duke ruajtur identitetin, traditat dhe vlerat e shkëlqyera të minoritetit maqedonas, Bashkia e Pustecit nëpërmjet bashkëpunimit maksimal dhe mikpritjes tradicionale të zonës, mund të shndërrohet në njërën nga bashkitë më të begata të vendit, me përparësi zhvillimin dhe promovimin e turizmit.
Presidenti Meta theksoi gjithashtu se: “Dua të shpreh kënaqësinë që jam rikthyer në Pustec për të marrë pjesë në çeljen e sezonit turistik së bashku edhe me drejtuesit e kësaj bashkie. Gëzohem që shikoj ndryshime dhe përmirësime të infrastrukturës dhe të mundësive. Shpresoj që këto t’i prekin edhe turistët që do të vizitojnë Pustecin. Unë jam i bindur që zona e Pustecit është një margaritar për zhvillimin e turizmit në të ardhmen. Është një oaz i jashtëzakonshëm i qetësisë i relaksit, i mundësisë për të medituar dhe për t’u ripërtërirë. Padyshim, besoj se numri i turistëve këtë vit do të jetë edhe më i lartë, e jam i bindur që do të vij edhe unë për disa ditë këtu në Prespë për të shijuar këtë bukuri përrallore. Jo vetëm kaq, por edhe mikpritjen e jashtëzakonshme të komunitetit këtu dhe padyshim edhe gatimet karakteristike të kësaj zone e në mënyrë të veçantë tavën e krapit të Pustecit ose Prespës, që është vështirë ta gjesh dikur tjetër”, – tha Presidenti Meta.
I pyetur nga gazetarët për të komentuar vendimin që pritet të marrin vendet e Bashkimin Evropian pas disa ditësh në lidhje me çeljen ose jo të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe lajmet se disa vende mund ta lidhin votën e tyre me çështjet e ish-ministrit Tahiri dhe ministrit Xhafaj, Presidenti Meta u shpreh:
“Unë besoj se janë të gjitha mundësitë që vendi ynë të marrë një mesazh pozitiv nga Këshilli i Vendeve Anëtare të Bashkimit Evropian në mbështetje të rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian më parë dhe për këtë duhet që të gjithë të punojmë, të angazhohemi për të adresuar më mirë të gjitha pritshmëritë, jo vetëm të partnerëve tanë, por edhe të qytetarëve tanë në mënyrën më të përgjegjshme dhe më bashkëpunuese, jashtë çdo frymë konfliktuale dhe përjashtimi artificial”, – u shpreh Kreu i Shtetit.
Më tej, Presidenti Meta theksoi se: “Të gjithë jemi të interesuar për të forcuar sigurinë kombëtare, aq më tepër tani në prag të sezonit turistik ku presim të rriten turistët, jo vetëm për momentin, por edhe për të ardhmen afatgjatë. Jam i bindur që për këto veçori që Prespa dhe Pusteci kanë, janë të pakonkurrueshme”, – deklaroi Presidenti Meta.
Më pas, Presidenti i Republikës dhe autoritetet vendore bënë një shëtitje me varkë në liqenin e Prespës dhe vizituan Kishën e Shën Marisë që ndodhet në ishullin e Maligradit. Duke qenë se kisha është edhe një nga monumentet më me vlerë të trashëgimisë kulturore kombëtare, Presidenti Meta shfrytëzoi rastin për të ftuar të gjithë turistët që të mos e humbasin mundësinë për ta vizituar këtë thesar që rrit vlerat turistike të zonës së Pustecit.
“Bashkia e Pustecit dhe e gjithë zona e Prespës ka një pasuri të jashtëzakonshme kulturore, historike dhe religjoze sikurse është edhe Kisha e Shën Marisë këtu në ishullin e Maligradit, e cila duhet të vizitohet patjetër nga të gjitha ata të cilët dëshirojnë të kalojnë disa pushime tepër çlodhëse dhe ripërtëritëse, pikërisht këtu në Pustec, buzë liqenit të jashtëzakonshëm të Prespës. Përveç gjithë bukurive të tjera, përveç pelikanëve që ju shoqërojnë dhe ju rrethojnë kudo, besoj se ky monument kulture është një thesar, i cili padyshim i rrit të gjitha vlerat dhe potencialet edhe turistike të kësaj zone”, – tha Presidenti Meta.
]]>