15 Prill 2022 Presidenti Meta çmon baritonin e mirënjohur Ylber Gjini me Titullin “Mjeshtër i Madh”
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta dekoroi me Titullin “Mjeshtër i Madh” baritonin e mirënjohur, z. Ylber Gjini: “Me mirënjohje për vlerat e tij thelbësore dhe artistike, të shpalosura në fushën operistike për më shumë se tri dekada, në skenën shqiptare dhe në atë ndërkombëtare. Me vlerësim për pjesëmarrjen në të gjitha veprat operistike dhe koncertet e zhvilluara nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit si dhe për kontributin e vyer të dhënë për artin shqiptar.”
Në fjalën e Tij drejtuar familjarëve dhe kolegëve artistë të pranishëm në ceremoninë e vlerësimit, Presidenti Meta u shpreh:
“Jam i lumtur që jemi së bashku, për të vlerësuar një artist të njohur të skenës tonë, baritonin Ylber Gjini.
Zoti Gjini ka një karrierë të pasur artistike, mbi 3 dekada, në skenën shqiptare dhe ndërkombëtare.
Ai me përkushtim e pasion, i ka përçuar publikut artdashës të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, si dhe gjithë artdashësve, brenda dhe jashtë vendit, muzikën e bukur operistike dhe këngën popullore shqiptare gjithashtu.
Karriera e zotit Ylber Gjinit ka qenë e destinuar drejt fushës artistike, e veçanërisht, muzikës, që në moshë të re.
Prirjet e tij spikatën, që me aktivizimin me pasion, në të gjitha aktivitetet artistike të kohës, kur ai interpretonte edhe si solist.
Më tej, në vitet në vazhdim, zoti Gjini u dallua veçanërisht për talentin dhe zërin prej baritoni të plotë dhe me timbër përshkues.
Çmimi i parë i fituar në një konkurs të këngës popullore, i hapi rrugën e trajnimit për kanto, pranë kursit për këngëtarë, që zhvillohej nga Shtëpia Qendrore e Krijimtarisë Popullore në Tiranë.
Ky trajnim ishte fillimi i rrugëtimit të tij të gjatë drejt artit dhe interpretimit të muzikës operistike.
Studimet e tij në kanto, pranë Akademisë së Arteve, u karakterizuan nga pasioni, këmbëngulja, dhe përkushtimi i zotit Gjini, por edhe nga mbështetja e pakursyer e pedagogëve të tij, që tek studenti Gjini shikonin një talent të ardhshëm, bariton të madh.
Pas përfundimit të studimeve, Ylber Gjini filloi karrierën e gjatë dhe të pasur operistike, në Teatrin e Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, si solist lirik.
Një karrierë shumë e bukur, mbi tre dekada, që e ka parë baritonin Gjini pjesëmarrës në të gjitha veprat operistike dhe koncertet e zhvilluara në Teatrin e Operës e Baletit, në këtë tempull të kulturës, ku ndërthuren arti i emocioneve, ku bashkohet muzika, kënga e teatri, duke i ofruar publikut artdashës një repertor të pasur në arie, romanca e këngë popullore.
Rolet e tij si Zhermoni te ‘Traviata’, Toreadori te ‘Karmen’, Konti Rigoleto te ‘Rigoleto’ apo Jago te ‘Otello’ kanë qenë të spikatura dhe kanë mbetur në mendjen dhe zemrën e spektatorëve, që e kanë ndjekur nga pranë.
Rrugëtimi i tij artistik është pasuruar me koncerte të shumta, jo vetëm lirike, por edhe të këngës popullore shqiptare, brenda e jashtë vendit.
Koncertet në Durrës, Korçë, Vlorë e kudo në Shqipëri, si dhe në Itali, Gjermani, Belgjikë apo Zvicër e kudo, i kanë përcjellë publikut artdashës, ndjeshmërinë e fuqisë së shpirtit të baritoni Gjini, duke marrë prej tyre duartrokitje, ovacione e vlerësime të shumta.
Ne vlerësojmë jo vetëm kontributin e çmuar në lartësimin e artit shqiptar, por edhe origjinaliteti, aftësitë vokale operistike dhe virtuozitetin e figurës artistike të baritonit Ylber Gjinit.”