30 Janar 2020 Presidenti Meta çmon Kongresin e Lushnjës me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”: Uniteti rreth çështjes kombëtare, përgjegjësia, respekti, sjellja e qytetëruar dhe komunikimi midis delegatëve, janë një mesazh i fortë për aktualitetin konfliktual të politikës sonë.
Lushnjë
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vizitoi sot “Shtëpinë e Kongresit” të Lushnjës me rastin e 100-vjetorit të kësaj ngjarjeje historike të popullit shqiptar.
Presidenti Meta çmoi “Kongresin e Lushnjës” me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit dhe veprimtarisë së atdhetarëve të Kongresit të Lushnjës; si një nga kuvendet më të rëndësishëm të historisë së kombit shqiptar, që realizoi mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë, rimëkëmbjen e shtetit shqiptar dhe konsolidimin e pavarësisë së plotë të vendit. Në kushte tejet të vështira, Kongresi i Lushnjës ia doli të bashkojë vendin të jetësojë vetëqeverisjen, si dhe të garantojë sovranitetin e plotë të shtetit shqiptar para opinionit ndërkombëtar”.
Presidenti i Republikës dekoroi edhe Familjen e Shaqir Fugës me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, me motivacionin: “Për kontributin e saj në mikpritjen, zhvillimin dhe mbrojtjen e Kongresit të Lushnjës. Kjo familje, si një nga përfaqësueset më të mira të traditës atdhetare lushnjare, u hapi dyert e shtëpisë delegatëve dhe nuk kurseu asgjë për mbarëvajtjen e Kongresit në interes të kombit”.
Gjithashtu, Kreu i Shtetit vlerësoi edhe Abdyl Ali Ypin (pas vdekjes) me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, me motivacionin: “Si atdhetar i shquar i lëvizjes për Pavarësi, kontribues në shtetformimin dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë, si dhe për përkushtimin e tij deri në flijimin e jetës për organizimin e Kongresit Kombëtar të Lushnjës”.
Në ceremoninë solemne të organizuar me këtë rast, Presidenti Meta, në fjalën drejtuar të pranishmëve u shpreh:
“Jam shumë i lumtur që jemi sot së bashku në 100-vjetorin e Kongresit Kombëtar të Lushnjës.
Kongresi i Lushnjës mbetet një moment historik që duhet të kujtohet prej çdo qytetari, politikani, diplomati dhe sidomos prej brezit të ri, pasi nuk mund të kuptohet drejt e ardhmja e një kombi pa ndriçuar themelet e shtetit mbi të cilat ai është ngritur.
100 vjet më parë lushnjarët hapën dyert dhe zemrat për të pritur atdhetarët më të shquar, krerët e mençur dhe burrat e vërtetë nga pothuajse të gjitha krahinat e vendit.
Këtu në shtëpinë e Fugajve, ku jemi mbledhur, bijtë më të shquar të trevave shqiptare zhvilluan një nga kuvendet më të rëndësishëm të historisë së kombit dhe shtetit tonë.
Me një vetëdije të lartë atdhetare ata realizuan qëllimin fisnik për t’i dalë zot shtetit shqiptar, i cili ndodhej në prag të zhbërjes dhe copëtimit.
Të përkushtuar dhe me një vendosmëri të hekurt, delegatët e Kuvendit rikonfirmuan pavarësinë dhe vetëqeverisjen e plotë të Shqipërisë dhe kërkuan bashkimin kombëtar të trojeve të siguruara pas Shpalljes së Pavarësisë.
Nder, respekt dhe mirënjohje atdhetarëve tanë, delegatëve të Kongresit, parisë dhe qytetarëve lushnjarë për këtë arritje epokale!
Në momentet më delikate të vendit mendjet e ndritura të kombit janë bërë bashkë. Kuvendet e burrave kanë qenë përherë në traditën e shqiptarit. Ato kanë qenë zgjidhja dhe mënyra më e mirë për të përballuar vështirësitë e kohës.
Shqiptarët, edhe pse nën okupim, kanë ditur gjithmonë të vënë në lëvizje mekanizmin e vetëmbrojtjes kombëtare përpara planeve dhe synimeve djallëzore të armiqve të lirisë së tyre.
Kështu kishte ndodhur në Besëlidhjen e Lezhës, në Lidhjen e Prizrenit, në Kuvendin e Vlorës që shpalli Pavarësinë dhe këtë radhë, në Kongresin Kombëtar të Lushnjës.
Pavarësia dhe ruajtja e pacenuar e trojeve kanë qenë dhe mbeten përherë lajtmotivi i betejave të përhershme të shqiptarëve, si dhe arsyet e mbijetesës së tyre ndër shekuj.
Historia jonë pas vitit 1912 është historia e betejave për të penguar copëtimin e territoreve, historia e denoncimit të traktateve dhe e përballimit të koalicioneve antishqiptare që kanë synuar ndryshimin e kufijve dhe cenimin e Pavarësisë dhe sovranitetit të vendit tonë.
Kuvendet e shqiptarëve kanë qenë përherë barriera, që nuk ka lejuar asnjëherë të shpërbëhej kombi, të dorëzohej liria dhe të ndodhte copëtimi i vendit.
Kuvendi i mbledhur në Lushnjë 100 vjet më parë i dha një dimension të ri përpjekjeve shqiptare drejt ndërtimit të shtetit modern shqiptar. Ai është shprehësi më i ndritur i ndërgjegjes, i aftësisë, vizionit dhe vullnetit të popullit shqiptar për vetëqeverisje dhe shtetformim.
Nëse nuk do të ishte ky Kongres, edhe Pavarësia e Shqipërisë e vitit 1912 do të ishte venitur dhe shuar nën presionin e shumanshëm dhe koniunkturat e disfavorshme të kohës.
100 vjet më parë delegatët e Kongresit u bënë apostujt e shqiptarisë.
Kongresi i Lushnjës veproi si i vetmi autoritet i Shqipërisë, me fuqi sovrane. Ai hartoi statutin e shtetit shqiptar, miratoi aktin kushtetues, në të cilin ripohohej sovraniteti i plotë i shtetit shqiptar. Krijoi Këshillin Kombëtar: Parlamentin, zgjodhi Këshillin e Lartë, i cili do të kryente detyrën e kryetarit të shtetit dhe i dha vendit një qeveri të ligjshme, e cila iu vu me energji organizimit të administratës, të rendit publik, të shkollave dhe u mundua t’i jepte fund anarkisë.
Për të dhënë mesazhet e paqes dhe qytetërimit të lashtë të shqiptarëve në aktet e para të këtij Kongresi do të ishte edhe ndërtimi i Bibliotekës së parë Kombëtare.
Në këtë përpjekje Kongresi ia doli të realizonte qëllimet e veta fisnike falë atyre delegatëve, të ardhur nga pothuajse të gjitha krahinat e vendit.
Shqiptarët edhe pse nuk i kishin kushtet dhe mundësitë teknike arritën të sjellin në kuvend bijtë e tyre më të devotshëm e më të përgjegjshmë dhe nëpërmjet tyre zërin e mbarë kombit.
Uniteti rreth çështjes kombëtare, përgjegjësia, respekti, sjellja e qytetëruar dhe komunikimi midis delegatëve janë një mesazh i fortë për aktualitetin konfliktual të politikës sonë.
Atdhetarët tanë kanë ditur të gjejnë gjuhën e përbashkët edhe kur kanë qenë prej krahinave, feve, ideve dhe partive të ndryshme, pasi ndryshe nga shumë popuj nocioni i kombit, gjuhës dhe i identitetit etnokulturor tek shqiptarët janë baza e bashkimit kombëtar.
Kur janë të bashkuar rreth këtyre vlerave shqiptarët kanë treguar se dinë të jenë të suksesshëm dhe fitimtarë.
Vetëm disa ditë iu deshën shqiptarëve në Kongresin e Lushnjës të ngrihen mbi kaosin dhe vështirësitë e kohës dhe të ribëjnë shtetin, të veprojnë si një parlament dinjitoz, të nxirrnin akte kushtetuese, të zgjidhnin qeveri të përgjegjshme, të vendosnin ligjin dhe gjuhën shqipe në gjithë territorin dhe të prezantoheshin me dinjitet përpara botës.
Kam bindjen e plotë që kjo sinergji, përgjegjësi politike, aftësi për zhvillim dhe dëshirë për civilizim ende nuk ka shteruar në trojet tona.
Ju ftoj të përkulemi me nderim para kujtimit dhe veprës së drejtuesve të këtij kongresi, atdhetarëve të nderuar: Sulejman Pashë Delvinës, Imzot Bumçit, Aqif Pashë Elbasanit, Eshref Frashërit, Mehmet Konica, Ahmet Zogu, Abdi Toptanin, Sotir Peçi, Dr. Turtulli, Hoxhë Kadria, Ali Riza Kolonja, Ndoc Çoba, Sali Nivica, etj.
Si dhe të nderojmë me mirënjohje të thellë anëtarët e Komisionit Nismëtar të Kongresit të Lushnjës: Abdyl Ypi, Besim Nuri, Ferit Vokopola, Sheh Ibrahim Karbunara, Taullah Sinani, Emin Vokopola, Llazar Bozo, Nebi Sefa, Qemal Mullai, Zija Mullai, Mustafa Vokopola, Jonuz Sefa, Bajram Haxhiu, Skënder Pojani, Kadri Jenisheri, Teki Libohova, Filip Papajani, Abedin Nepravishta, Jakov Bozo, Andrea Papaj, Qerim Arapi, Rasim Hoxha, Arif Kurti, Muntar Luarasi, Reshat Shazivari, Abdyl Azizi, Hasan Islami Like, Hamit Xheka e shumë të tjerë bij të shquar të Lushnjës e të Myzeqesë.
Këto mendje të ndritura i falën atdheut në momentin më të vështirë, atdhedashuri, emancipim shoqëror, kulturë shtetformuese, unitet dhe diplomaci të mençur.
Ata, me përkushtim e mjeshtëri, hodhën themelet e strukturave institucionale shtetërore që përballuan gjithë stuhitë e kohës.
Secila prej figurave të sipërpërmendura është nderuar dhe respektuar me tituj dhe dekorata të larta. Ata e kanë merituar plotësisht këtë vlerësim, por, përveç tyre, meriton të nderohet dhe çdo atdhetar që ka kontribuar në këtë ngjarje të madhe patriotike. Ata janë të shumtë dhe të njohur në historinë e Kongresit.
Për këtë arsye sot kam kënaqësinë dhe privilegjin të nderoj Kongresin e Lushnjës me Dekoratën më të lartë, atë të të Flamurit Kombëtar si vlerësim të kontributit të të gjithë patriotëve e luftëtarëve shqiptarë anekënd vendit, që bënë të mundur mbajtjen e këtij Kongresi dhe pavdekshmërinë e shtetit shqiptar.
Për suksesin e Kongresit të Lushnjës u desh atdhedashuria, mençuria, dijet, vendosmëria dhe përkushtimi i shumë atdhetarëve dhe mikpritja e të gjithë lushnjarëve, por edhe sakrifica deri në flijimin e jetës së patriotit kolonjar Abdyl Ali Ypi, të cilin kam nderin ta vlerësoj me ‘Dekoratën e Artë të Shqiponjës’.
Duke iu drejtuar qytetarëve të Lushnjës dhe gjithë Myzeqesë, Presidenti Meta vuri në dukje se: “Kongresi i Lushnjës, i quajtur dhe si Pavarësia e Dytë e Shqipërisë, është një ngjarje kulmore që do të nderonte çdo qytet, ku ai do të zhvillohej!
Nga ana tjetër, jam i bindur, që ky kuvend nuk mund të gjente pritje e ngrohtësi më të mirë se sa nga ajo që iu ofrua në qytetin tuaj të dashur.
Me këtë rast do të doja të shprehja nderimin për të gjithë familjet lushnjare të kohës për mikpritjen dhe për sakricat e tyre, për gjithçka bënë drejtuesit dhe paria e Lushnjes, klerikët e nderuar, intelektualët, dhe sidomos rinia dhe gratë e Lushnjes e të gjithë Myzeqesë!
Në përfundim të kësaj ceremonia nderimi, do të doja t’i kushtoja një çast të veçantë edhe kësaj vatre, e cila na mblodhi sot, si dikur, delegatët e Kongresit.
Sot kjo shtëpi është në paqe dhe e nderuar përjetë. Ndërsa 100 vjet më parë ajo do të ishte e kërcënuar dhe nën presionin e vazhdueshëm të armiqve të Kongresit dhe trupave të huaja pushtuese.
Pavarësisht këtyre presioneve dhe shantazheve, familja e patriotit Shaqir bej Fuga, e shoqja e tij, Hanko Xhemilja, dhe i biri Kaso Fuga, si dhe gjithë familja e tij i hapën dyert e shtëpisë dhe nuk kursyen asgjë për mbarëvajtjen e Kongresit dhe të mirën e kombit tonë.
Ndaj, ne sot e nderojmë familjen e Shaqir bej Fugës me “Urdhrin e Kalorësit të Skënderbeut”.
Më lejoni ta mbyll këtë fjalë me refrenin e Himnit të vetë Kongresit, aq i dashur për të gjithë shqiptarët kudo ku ishin dhe kudo ku janë:
‘Shkrepi drita në Lushnjë, u lind një diell, / Shqipëria lidhi besë, / Dëshmoi bota, dëshmuan yjet në qiell, / Për ty, o i larti Kongres’!
Rroftë populli i Lushnjës!
Rroftë Shqipëria europiane!
Nder, respekt e mirënjohje për burrat e kombit shqiptar, që hodhën themelet e shtetit modern shqiptar, realisht të pavarur dhe sovran pikërisht këtu në Lushnje, 100 vite më parë!”