Presidenti Meta çmon Kryekëshilltarin për Politikën e Jashtme të CDU/CSU-së, Hans Joachim Falenski me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”: Qëndrimi i Bundestagut ndaj Shqipërisë, ka qenë më parimori, më i sinqerti dhe me integritet

Presidenti Meta çmon Kryekëshilltarin për Politikën e Jashtme të CDU/CSU-së, Hans Joachim Falenski me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”: Qëndrimi i Bundestagut ndaj Shqipërisë, ka qenë më parimori, më i sinqerti dhe me integritet

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta çmoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” Kryekëshilltarin për Politikën e Jashtme të grupit parlamentar të CDU/CSU-së në Bundestagun gjerman, Hans Joachim Falenski.

Duke iu drejtuar të pranishmëve në ceremoninë solemne mes të cilëve ishte edhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, politikanë, diplomatë e përfaqësues të shoqërisë civile, Presidenti i Republikës nënvizoi kënaqësinë për dekorimin e një miku të veçantë dhe të vërtetë të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

“Jam shumë i lumtur që organizojmë sot këtë ceremoni dekorimi për një mik të veçantë dhe të vërtetë të Shqipërisë, z. Hans Joachim Falenksi.

Zoti Falenski ka më shumë se 9 vjet që ndjek nga afër procesin e integrimit europian të Shqipërisë, dhe është një nga njohësit më të mirë si të Shqipërisë, ashtu edhe të procesit të integrimit europian.

Ai na ka ndihmuar përgjatë gjithë këtyre viteve të kuptojmë qartë se integrimi europian nuk kalon përmes lobimit, por përmes standardeve europiane të qeverisjes, të shtetit ligjor, të funksionimit të institucioneve, të respektimit të të drejtave themelore të njeriut, etj.

E them me plot bindje se zoti Falenski është ndër miqtë më të vërtetë të Shqipërisë, sepse përgjatë gjithë kësaj kohe ka mbrojtur standardin europian, dhe asnjë standard tjetër.

Nuk është e rastësishme që qëndrimi i Bundestagut gjerman ka qenë dhe mbetet qëndrimi më realist për Shqipërinë.

Askush nuk ka mundur të kontestojë këtë qëndrim si të njëanshëm, të paarsyeshëm, apo diskriminues ndaj Shqipërisë. Kjo ka ndodhur thjesht dhe vetëm për faktin se qëndrimi i Bundestagut është pasqyra ku ne shohim gjendjen reale në të cilën ndodhemi dhe sfidat madhore me të cilat duhet të përballemi.

Unë dua të vlerësoj qëndrimin parimor, të sinqertë, me integritet dhe të drejtpërdrejtë të Bundestagut për mbështetjen e plotë ndaj procesit të integrimit europian të Shqipërisë, ashtu sikundër 9 prioritetet e vendosura për rezultate konkrete, të besueshme dhe të qëndrueshme në rrugën e reformave që janë kyç për demokracinë, sundimin e ligjit dhe që u shërbejnë qytetarëve të vendit tim.

Ky qëndrim është produkt edhe i punës së zotit Falenski pranë grupit më të madh politik CDU/CSU, duke siguruar mbështetjen gjermane për integrimin europian të Shqipërisë bazuar mbi njohjen më të mirë dhe të ndershme të situatës nga deputetët e Bundestagut.

Është për të ardhur keq që këshillat e Bundestagut që i paraprinë mbledhjes së Këshillit Europian të tetorit nuk gjetën reflektimin e duhur.

Por tashmë është revoltuese që muajt pasues, në vend që të shërbenin për një reflektim të përgjegjshëm dhe nxitjen e një klime bashkëpunuese, u përdorën për të vijuar provokimet dhe rrugën e anti-kushtetuetshmërisë dhe paligjshmërisë në vend.

Ftoj të gjithë miqtë e vërtetë të Shqipërisë ta shohin të vërtetën në sy, dhe ta ndihmojnë popullin shqiptar që ta ndërtojë të ardhmen e vetë europiane në vendin e tij.

Unë kam besim se Gjermania, jo vetëm si vend lider i Bashkimit Europian, por edhe si partnerja jonë strategjike do të na gjendet pranë me vërtetësi në këtë kauzë që ka mbështetjen më të madhe kombëtare.

Gjej rastin për të falënderuar Gjermaninë për ndihmën e ofruar gjatë Konferencës së donatorëve në mbështetje të qytetarëve shqiptarë të prekur nga tërmeti i nëntorit.

Po ashtu kam besim se zoti Falenski dhe miqtë tanë në Bundestag do të vijojnë të mbështesin rrugën europiane të Shqipërisë, deri në anëtarësimin e plotë e të merituar.

Me këtë besim dhe ‘Me mirënjohje për kontributin e çmuar në forcimin e marrëdhënieve strategjike mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar, dhe në veçanti për arritjen e standardeve europiane të demokracisë dhe shtetit ligjor gjatë procesit të integrimit europian të Shqipërisë’, kam kënaqësinë që t’i akordoj zotit Falenski, titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”! Skënderbeu përcaktoi të ardhmen europiane të Shqipërisë disa shekuj më parë dhe ne nuk mund ta humbasim sot. Ne kemi nevojë për ju dhe për miq të vërtetë europianë!” – u shpreh Presidenti i Republikës.