Presidenti Meta çmon me Titullin “Mjeshtër i Madh” ekonomistin Dr. Ichak Kalderon Adizes

Presidenti Meta çmon me Titullin “Mjeshtër i Madh” ekonomistin Dr. Ichak Kalderon Adizes

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta çmoi sot gjatë një ceremonie solemne Dr. Ichak Kalderon Adizes me Titullin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Në mirënjohje për karrierën e spikatur shumëvjeçare në fushat ekonomike dhe politike. Në vlerësim të arritjeve të vyera si ekspert i njohur mbarëbotëror dhe të kontributeve të tij çmuara akademike për zhvillimin dhe konsolidimin e demokracisë në vendet e Europës Lindore”.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Meta vuri në dukje kënaqësinë që po vlerëson një personalitet të spikatur e të njohur në mbarë botën, i cili ka pasur një karrierë të gjatë e të shumëanshme, me arritje mbresëlënëse.

Fjala e plotë e Presidentit Meta:

“Kam kënaqësinë e veçantë të nderoj sot me titullin “Mjeshtër i Madh” një personalitet të shquar amerikano – izraelit, profesor, autor i shumë librave, konsulent i shquar biznesi dhe mendimtar me përmasa ndërkombëtare, Dr. Ichak Adizes.

Jeta e tij ka një lidhje të fortë me kombin shqiptar dhe Dr. Adizes e ka shprehur gjatë të gjithë jetës së tij respektin dhe nderin për Shqipërinë.

Dëshiroj të theksoj faktin se, Dr. Adizes ka lindur në Shkup të Maqedonisë së Veriut, por një pjesë të fëmijërisë së tij, dhe më specifikisht vitet e Luftës së Dytë Botërore, i ka kaluar në Shqipëri.

Për t’i shpëtuar persekutimit, familja e tij u strehua në Shqipëri duke pretenduar se nuk ishin hebre, por muslimanë, në mënyrë që t’i shpëtonin përndjekjes dhe ekzekutimit.

Historia e Dr. Adizes është një nga qindra histori të hebrenjve që gjetën strehim në Shqipëri në ato vite të errëta të historisë njerëzore, që me shumë guxim, fisnikëri dhe dashuri u mbrojtën nga populli shqiptar, i cili duke rrezikuar edhe veten tregoi një virtyt të jashtëzakonshëm njerëzor, që nderohet edhe sot jo vetëm nga familjet e shpëtuara dhe shteti i Izraelit, por edhe nga e mbarë bota dhe historia.

Ne jemi krenarë për faktin që në Shqipëri asnjë hebre i vetëm nuk u lejua të binte në duart e nazistëve dhe persekutorëve.

Historia e familjes së Dr. Adizes është treguar në një dokumentar të përgatitur nga televizioni izraelit, i titulluar “Unë dua të kujtoj, Ai do të harrojë”, dhe është një shembull i lidhjes së fortë që vazhdon të ekzistojë midis dy popujve tanë.

Gjatë karrierës së tij të gjatë Dr. Adizes ka dhënë një kontribut të çmuar në fushën e menaxhimit dhe të psikologjisë njerëzore, duke zhvilluar një metodologji që mban emrin e tij, Metodologjia Adizes.

Kjo metodologji ndihmon qeveritë, korporatat dhe organizatat e ndryshme të arrijnë rezultate të shkëlqyera dhe të menaxhojnë ndryshimet e shpejta, pa krijuar konflikte.

Do kishte qenë tejet e vyer që Metodologjia Adizes të ishte mësuar dhe zbatuar edhe në rastin e konfliktit politik shqiptar. Pasi qëllimi i përdorimit të mjeteve dhe metodologjisë së Adizes është të nxisë përkushtimin dhe përgjegjshmërinë e thellë, duke ndërtuar një ekuilibër midis kontrollit dhe fleksibilitetit.

Pikërisht për këto ka më shumë nevojë politika shqiptare; përgjegjshmëri të thellë, përkushtim, ekuilibër dhe fleksibilitet.

Ashtu siç është shprehur edhe vetë Dr. Adizes: “Qëllimi i menaxhimit, udhëheqjes, ose qeverisjes është të zgjidhë problemet e sotme dhe të përgatitet për t’u marrë me problemet e nesërme.”

Dr. Adizes është titulluar nga shumë revista dhe institute prestigjioze, si një nga 30 mendimtarët më të rëndësishëm në Shtetet e Bashkuara dhe si një ndër 30 konsulentët më kryesorë në Amerikë.

Për punën e tij të jashtëzakonshme, por edhe për kontributin e tij në konsolidimin e demokracisë në vendet e Evropës Lindore, Dr. Adizes mban 18 doktoratura nderi dhe është njëkohësisht qytetar nderi i dy vendeve të Evropës Lindore.

Unë jam shumë i lumtur që Dr. Adizes, midis vlerësimeve të marra nga e gjithë bota, do t’i shtohet sot edhe Titulli “Mjeshtër i Madh”, i dhënë në Shqipëri, një vend që e ka mbrojtur në vegjëli dhe që sot e vlerëson për punën e madhe dhe të jashtëzakonshme që ka bërë për zhvillimin dhe paqen në të gjithë botën.

Dr. Adizes i përshtatet më së miri një thënie e Nënë Terezës, shqiptarja më e famshme në botë, e cila lindi në të njëjtin qytet si Dr. Adizes: “Ne nuk kemi nevojë për armë dhe bomba që të sjellim paqe në botë. Kemi nevojë për dashuri dhe dhembshuri”.

Dhe kjo është ajo që ka bërë gjatë gjithë jetës Dr. Adizes. Ka punuar me dashuri.

Dhe ky përkushtim i tij ka bërë që bota të jetë më ndryshe dhe përmes librave të tij të shumtë dhe leksioneve anembanë botës, brezat e tanishëm dhe ata që do të vijnë të jenë menaxhues më të zotë, mendimtarë më të aftë, dhe njerëz më të mirë.

Ju faleminderit! ” – nënvizoi Presidenti i Republikës.