10 Prill 2021 Presidenti Meta çmon me Titullin “Mjeshtër i Madh” figura të shquara të artit e kulturës së Fierit: Vatër kombëtare e artit skenik, letërsisë, që ka nxjerrë ndër vite personalitete të shquara artistike, të cilët janë krenaria e vendit dhe figurat më të dashura nga publiku
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta çmoi me Titullin “Mjeshtër i Madh” gjatë një ceremonie solemne që u zhvillua në Parkun Kombëtar Arkeologjik të Apolonisë, disa figura të shquara të shquara të artit skenik dhe të letërsisë së Myzeqesë.
Kreu i Shtetit dekoroi aktorët myzeqarë të skenës dhe ekranit:
Zotin Arqile Lipe “Për kontributin shumëvjeçar në skenë dhe në ekran, duke shpalosur talentin e tij nëpërmjet realizimit të shumë personazheve të dashura për publikun, si dhe duke goditur mjeshtërisht të metat e shoqërisë shqiptare përmes interpretimit satiriko-humoristik me nivel të lartë.”;
Zotin Todi Llupi “Për kontributin shumëvjeçar në skenë dhe në ekran, duke shpalosur talentin e tij në realizimin e shumë personazheve të dashura për publikun, si dhe duke goditur mjeshtërisht të metat e shoqërisë shqiptare përmes interpretimit satiriko-humoristik me nivel të lartë.”;
si dhe zotin Astrit Hasanaj “Për interpretimin cilësor në skenë dhe ekran, duke u bërë aktor i dashur për publikun shqiptar, si dhe për kontributin në ngritjen e nivelit artistik të teatrit dhe kinematografisë sonë”.
Po me Titullin “Mjeshtër i Madh” Kreu i Shtetit vlerësoi letrarin dhe eseistin zotin Petraq Kote “Për kontributin e çmuar në letërsinë bashkëkohore shqiptare, krijimtarinë e shquar në studimet estetike, publicistikë e prozë, si dhe për veprimtarinë e dalluar në zonën e Myzeqesë”.
Në fjalën e Tij përshëndetëse drejtuar artistëve, familjarëve dhe personaliteteve të pranishme, Presidenti i Republikës u shpreh:
“Është një kënaqësi e veçantë për mua që ndodhem sot në Fier, në këtë qytet plot tradita dhe me një pasuri të madhe kulturore. Vatër kombëtare e artit skenik, letërsisë, dhe qyteti që ka nxjerrë ndër vite personalitete të shquara artistike, të cilët janë krenaria e vendit dhe figurat më të dashura nga publiku.
Jam i privilegjuar t’i akordoj sot Titullin e nderit “Mjeshtër i Madh” disa prej personaliteteve më të shquara të Fierit, si artistët e merituar Arqile Lipe dhe Todi Llupi.
Ky vlerësim më se i merituar për dy mjeshtrat e skenës vjen falë kontributit të tyre të gjatë në skenë dhe në ekran, talentit të jashtëzakonshëm, interpretimeve satiriko-humoristike të një niveli të lartë profesional në komedi, skeçe, parodi, dhe rolit të pazëvendësueshëm ndër vite që kanë dhënë në Estradën e Fierit.
Sot kam nderin t’i akordoj Titullin “Mjeshtër i Madh” edhe një personaliteti tjetër të skenës, Astrit Hasanaj, aktorit prej 40 vitesh pranë teatrit “Bylis”.
Një artist me cilësi të lartë aktoriale, i përkushtuar profesionalisht në karrierën e tij të gjatë artistike në skenë dhe në film.
Duke ushqyer dashurinë për skenën dhe artin tek brezat e rinj dhe duke lartësuar artin fierak dhe atë kombëtar përmes roleve të shumta në teatër, po ashtu edhe në kinematografi.
Qyteti i Fierit shquhet edhe për personalitete në letërsi dhe publicistikë, ndaj sot i akordoj Titullin “Mjeshtër i Madh” shkrimtarit Petraq Kote për kontributin e çmuar në letërsinë bashkëkohore shqiptare, publicistikën dhe prozën e dalluar të tij.
Shkrimet e Petraq Kotes, janë të përkthyera edhe në gjuhë të huaja dhe pena e tij është vlerësuar nga studiuesit dhe kritika e gjerë. Vlerësimi i sotëm shkon edhe për aktivizimin e tij të dalluar në zonën e Myzeqesë.
Më lejoni që në mbyllje, të shpreh mirënjohjen e thellë për të gjithë artistët dhe personalitetet e shquara të Fierit ndër vite!
Urojmë që tradita të vazhdojë dhe Fieri të jetë vërtet një vatër, që nxjerr artistë të nivelit kombëtar dhe ndërkombëtar, siç ka qenë gjithmonë. Faleminderit!”