Presidenti Meta çmon me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile” atdhetarin dhe bamirësin e njohur korçar Selim Mborja (pas vdekjes)

Presidenti Meta çmon me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile” atdhetarin dhe bamirësin e njohur korçar Selim Mborja (pas vdekjes)

Korçë

Me anë të një ceremonie solemne, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta dekoroi sot me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile” atdhetarin dhe bamirësin e njohur korçar, Selim Mborja (pas vdekjes), me motivacionin: “Në vlerësim të veprimtarisë së tij të vyer atdhetare dhe bamirëse, duke kontribuar jo vetëm financiarisht ndaj një sërë organizatash të rëndësishme shoqërore, gazetareske dhe sportive korçare, por edhe me mirënjohje të thellë ndaj gjestit të tij tejet human të dhurimit të truallit vetjak për ndërtimin e Spitalit të Korçës.”

Duke iu drejtuar të pranishmëve në aktivitetin e zhvilluar në ambientet e Bibliotekës së qytetit, Kryetarit të Bashkisë së Korçës, z.Sotiraq Filo, Kryetares së Këshillit të Qarkut, znj.Ana Verushi, autoriteteve vendore, përfaqësuesve të komuniteteve fetare dhe intelektualëve të ftuar, Presidenti Meta u shpreh:

“Jam i lumtur që ndodhem sot, bashkë me ju, për të vlerësuar një personalitet, i cili ka lënë një trashëgimi mjaft të vyer për qytetin e Korçës, filantropin Selim Mborja.

‘Nuk është i pasur ai që ka shumë, por është i pasur ai që jep shumë.’– ka thënë psikologu dhe filozofi amerikan Erik From.

Selim Mborja i ka dhënë shumë qytetit të tij Korçës dhe padyshim Mborjes ku ai lindi, nga të cilat u detyrua të largohej dhe me të cilat e lidhi një dashuri dhe mall i madh i pashuar deri me ndarjen nga jeta.

Veprimtaria e Selim Mborjes ka qenë intensive dhe e shumëanëshme, në periudhën 1920-1943, në trevën e Korçës dhe më gjerë, duke u bërë një prej donatorëve dhe bamirësve më të mëdhenj të kohës.

Njëkohësisht Selim Mborja njihet si një nga sipërmarrësit e parë, por që aktivitetin e tij privat dhe ekonomik e kishte të lidhur me një ndërgjegje të lartë sociale.

Jo rastësisht, ai ishte shumë aktiv në jetën sociale, kulturore, sportive, por edhe politike të trevës së Korçës.

Me emrin e Selim Mborjes është e lidhur një nga emblemat dhe krenaritë e qytetit të Korçës, ‘Birra Korça’, për të cilën ai investoi truallin mbi të cilin u ngrit fabrika, që ofroi mundësi punësimi për shumë banorë të qytetit.

Ndërkohë aktiviteti si sipërmarrës i Selim Mborjes bëri që në vitin 1925, të fillonte ndërtimin e centralit elektrik, që do të furnizonte gjithë qytetin e Korçës me dritë.

Selim Mborja njihet edhe si mbështetësi dhe kryetari i Club Tenis Korça.

Pasioni dhe bamirësia, që e karakterizonte z. Selim Mborja bënë që, jo vetëm të mbështeste financiarisht aktivitete sportive, por edhe të dhuronte truallin, për ndërtimin e impianteve sportive.

Emri i tij gjendet në federatën ‘Vatra e Shqipërisë’, tek ‘Kryqi i Kuq’, tek komisioni për mbledhjen e ndihmave për ngritjen e Liceut të Korçës, tek botimi i gazetës ‘Jetë e Re’ dhe në shumë aspekte të tjera.

Selim Mborja dha një ndihmë të madhe në furnizimin me ujë të pijshëm të një pjesë të qytetit, mbështeti grupet muzikore e kontribuoi në ndërtimin e godinës së Prefekturës.

Selim Mborja nuk i kursente të ardhurat, kur e shihte se ndihma e tij ishte e nevojshme dhe u shërbente të gjithëve.

Por ajo që e dallonte, përveç aftësive të tij si sipërmarrës, ishte dhembshuria dhe bamirësia ndaj më të varfërve e jetimëve të qytetit, ku ai nuk kursehej financiarisht.

Për t’u ardhur në ndihmë të varfërve, të pamundurve e të sëmurëve, si dhe në nderim e kujtim të babait e vëllait, Selim Mborja dhuroi tokën e tij për ndërtimin e Spitalit të Korçës. Kjo e bën atë një filantrop të madh të kohës për trevën e Korçës.

Shumë nga veprat dhe investimet e tij i kanë mbetur trashëgim Korçës.

Edhe pse këto investime ishin të lidhura me interesat e tij ekonomike si sipërmarrës, bamirësia, humanizmi dhe dhembshuria e tij, për më të varfërit e jetimët, vinte nga zemra e tij bujare.

Në vlerësim të gjithëse kësaj veprimtarie të gjerë bamirësie dhe me mirënjohje për mbështetjen e tij të rëndësishme për shumë shoqata e organizata në qytetin e Korçës, kam kënaqësinë vlerësoj sot Selim Mborjen (pas vdekjes) me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile”.