Presidenti Meta dekoron akademikun e shquar, z.Marenglen Verli: Të mbështetim më shumë Albanologjinë, me rol të madh për forcimin e identitetit kombëtar

Presidenti Meta dekoron akademikun e shquar, z.Marenglen Verli: Të mbështetim më shumë Albanologjinë, me rol të madh për forcimin e identitetit kombëtar

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta dekoroi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” historianin e shquar shqiptar dhe akademikun Marenglen Verli: “Në vlerësim të veprimtarisë së shquar në studimin dhe promovimin e historisë dhe kulturës sonë kombëtare, veçanërisht asaj të Kosovës dhe të trevave të tjera etnike shqiptare. Me mirënjohje të lartë shtetërore për kontributet dhe meritat e veçanta shkencore dhe akademike në drejtimin e institucioneve studimore dhe albanologjike të vendit tonë.”

Në fjalën përshëndetëse drejtuar akademikëve, profesorëve dhe personaliteteve të pranishëm, Presidenti Meta u shpreh:

“Kënaqësi të vlerësojmë një figurë të njohur të fushës së studimeve historike, akademikun e shquar, Marenglen Verli.

Vlerësimi i tij, nuk është rastësor, por bëhet në kuadër të dy momenteve të rëndësishme të këtyre ditëve: Nisjen e edicionit të dymbëdhjetë të ‘Ditëve të Albanologjisë’, organizuar nga Akademia e Studimeve Albanologjike, institucion ku zoti Verli ka qenë drejtues.

‘Ditët e Albanologjisë’ janë një finalizim dhe promovim i punës së përbashkët të instituteve të Akademisë së Studimeve Albanologjike, në fushat e arkeologjisë, gjuhësisë e letërsisë, historisë, antropologjisë dhe kulturës popullore.

Kontributi i tyre merr vlera të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare, duke shërbyer si shtyllë referimi për studime të mëtejshme të albanologëve vendas dhe të huaj.

Në pamundësi për të qenë i pranishëm në çeljen e aktivitet ‘Ditët e Albanologjisë’, ju uroj të gjithë studiuesve, bashkëpunëtorëve shkencor dhe përfaqësuesve të qendrave albanologjike, në trojet shqiptare dhe më gjerë, punë të mbarë dhe suksese!

Momenti i dytë është pak më personal për zotin Verli, por përsëri po e ndaj së bashku.

Vetëm pas pak ditësh, në datë 19 dhjetor, zoti Verli feston ditën e tij të lindjes dhe e ka një përvjetor të rëndësishëm, që meritonte një vlerësim po kaq të rëndësishëm.

Zoti Verli është një nga studiuesit dhe historianët tanë, më të njohur me një kontribut mbi 4 dekada, në studimin dhe promovimin e historisë dhe të kulturës sonë kombëtare.

Jeta e tij ka qenë e lidhur me studimet shkencore, botimet dhe mësimdhënien, që pas përfundimit të studimeve pranë Fakultetit të Histori-Filologjisë.

Krijimi i departamentit të ri ‘Sektori i Historisë së Kosovës’, pranë Institutit të Historisë në Akademinë e Shkencave në vitin 79’, solli edhe përfshirjen e Marenglen Verlit në të dhe profilizimin e tij, si specialist i historisë së Kosovës dhe viseve shqiptare në ish-Jugosllavi, kryesisht në periudhën e shekullit të 20’, e më tej edhe në historinë e rajonit.

Për katër dekada, akademiku Verli ju përkushtua formimit e kualifikimit të tij si studiues. Pjesëmarrja e tij në dhjetëra konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit, ashtu si edhe prania e vazhdueshme në median e shkruar e vizive kanë qenë një pjesë e rëndësishme e punës së tij të madhe.

Dëshiroj të theksoj kontributin e z. Verli në shumë emisione televizive e radiofonike, veçanërisht për bashkatdhetarët në periudhën e luftës në Kosovë; drejtimin për shumë vite të departamentit të Historisë së Kosovës; drejtimin për 3 vite të Instituti të Historisë dhe, së fundmi, drejtimin për 5 vite të Akademisë së Studimeve Albanologjike.

Vlen të përmendet gjithashtu, kontributi i zotit Verli, si një nga nismëtarët e përfshirjes së historisë, gjeografisë, arsimit e kulturës të viseve shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë, në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

Ashtu si vlen të përmendet edhe impenjimi i tij i vazhdueshëm, si titullar lënde, në disa universitete të vendit dhe kontributi i tij, në formimin e brezave më të rinj të historianëve.

Prandaj me kënaqësi të madhe, në vlerësim e me mirënjohje, për gjithë këtë kontribut dhe vlerat e meritat e veçanta shkencore e akademike, kam edhe njëherë tjetër kënaqësinë, të vlerësoj akademikun Marenglen Verli, me Titullin e lartë ‘Kalorës i Urdhrit të Flamurit’.