Presidenti Meta dekoron aktorin e njohur Aleksandër Rrapi me Titullin “Mjeshtër i Madh”: Këta janë bijtë e denjë të Shqipërisë si dhe ambasadorët e kulturës kombëtare nëpër botë, për të cilët kemi kaq shumë nevojë

Presidenti Meta dekoron aktorin e njohur Aleksandër Rrapi me Titullin “Mjeshtër i Madh”: Këta janë bijtë e denjë të Shqipërisë si dhe ambasadorët e kulturës kombëtare nëpër botë, për të cilët kemi kaq shumë nevojë

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi me anë të një ceremonie të posaçme artistin e njohur nga Berati, z. Aleksandër Rrapi me Titullin “Mjeshtër i Madh”.

Kreu i Shtetit i akordoi dekoratën e lartë aktorit të talentuar e të spikatur shqiptar, dekoratën e lartë me motivacionin: “Për talentin e spikatur dhe interpretimet me mjeshtëri të lartë artistike të roleve të shumta në fushën e artit skenik, televizionit e kinematografisë, veçanërisht në skenat greke të teatrit e telenovelave dhe në diasporë. Me cilësitë dhe aftësitë e shquara artistike ka shënuar arritje të larta personale, si dhe ka demonstruar kudo vlerat më të mira të traditës së shkollës shqiptare të dramaturgjisë, artit dhe kulturës së vendit amtar”.

Në fjalën e Tij përshëndetëse drejtuar familjarëve, kolegëve dhe personaliteteve të artit e të kulturës, të pranishëm në ceremoni, Presidenti Meta u shpreh:

“Është kënaqësi, por dhe një rast i veçantë të vlerësoj sot një artist tonin të shquar, aktorin e talentuar, Aleksandër Rrapi, pinjoll i një familje artistësh me kontribut në dramaturgjinë dhe kulturën shqiptare.

Ai ka ardhur në skenën e artit nga një qytet i lashtë si Berati, një prej qendrave më të spikatura të trashëgimisë sonë kulturore e monumentale.

I pajisur me talentin, përkushtimin dhe pasionin për artin e aktrimit dhe kinematografinë ai do të gdhendte faqe të rëndësishme suksesi në skenat e teatrit, filmit dhe ekranet e televizioneve, duke u konsideruar sot si njëri prej artistëve bashkëkohorë më të njohur të diasporës shqiptare.

Arritjet e tij artistike i kanë kapërcyer me kohë kufijtë e Shqipërisë!

Arti vërtetë nuk njeh kufij: Ai i përket gjithë njerëzimit dhe bashkon popujt dhe kulturat e tyre!

Falë mjeshtërisë së tij, aftësisë shprehëse dhe cilësive artistike, fama dhe emri i Aleksandrit u bënë të dashur dhe të kërkuar për spektatorin dhe shtypin grek.

Aktualisht ai renditet në ata pak aktorë shqiptarë nëpër botë që kanë interpretuar mjeshtërisht dhe me sukses tragjeditë dhe komeditë e lashtësisë greke.

Të nderuar pjesëmarrës, në karrierën e tij, artisti Aleksandër Rrapi ka merituar çmime të shumta, vlerësime dhe ka prekur majat e lavdisë, por ai nuk e mohoi kurrë identitetin shqiptar dhe faktin se i përket shkollës shqiptare të aktrimit.

Ai i përket brezit atdhetar të shqiptarëve të ndritur, të cilët kurrë nuk mund ta harrojnë atdheun e dashur! Ky brez po shënon histori suksesi personal, duke mos e mohuar, përkundrazi, duke u krenuar me origjinën e vendit, si dhe duke mbrojtur njëkohësisht traditat, gjuhën zakonet dhe kulturën tonë.

Këta janë bijtë e denjë të Shqipërisë dhe ambasadorët e kulturës tonë kombëtare nëpër botë, për të cilët kemi kaq shumë nevojë dhe para kontributit të të cilëve përulemi me respekt!

Jam i nderuar, që nga kjo bashkësi vlerash e diasporës shqiptare, kemi përzgjedhur sot, artistin Aleksandër Rrapi për ta vlerësuar me Titullin plotësisht të merituar ‘Mjeshtër i madh’!

Edhe njëherë suksese dhe mbarësi. Faleminderit!”