16 Prill 2019 Presidenti Meta dekoron Batalionin shqiptaro-amerikan “Atlantiku” me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta vlerësoi sot me anë të një ceremonie të veçantë, kontributet dhe sakrificat heroike të anëtarëve të Batalionit shqiptaro-amerikan “Atlantiku”, të cilët dolën vullnetarë para 20 vitesh duke luftuar për lirinë e Kosovës, si dhe për t’i dhënë fund gjenocidit dhe spastrimit etnik të makinerisë ushtarake të Millosheviçit, ndaj popullsisë së pambrojtur civile të shqiptarëve kosovarë.
Presidenti Meta dekoroi Batalionin “Atlantiku” me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”: “Me mirënjohje për ndjenjat më të larta atdhetare; si dhe në vlerësim të kontributeve të jashtëzakonshme të vullnetarëve shqiptaro-amerikanë të këtij batalioni, të cilët bënë sakrificat më sublime për çlirimin e Kosovës, dhënien fund të genocidit e spastrimit etnik në trojet shqiptare”.
Në fjalën e Tij drejtuar të pranishmëve, anëtarit të Këshillit Bashkiak të Nju-Jorkut Mark Gjonaj, pjesëtarëve të Batalionit shqiptaro-amerikan, familjarëve dhe të afërmve të tyre, Presidenti Meta vuri në dukje:
“Dy dekada më parë, kur Kosova, por edhe kombi ynë po kalonte një nga momentet më të vështira në historinë e saj dhe po përballej me gjenocidin famëkeq të Sllobodan Millosheviçit, një numër i madh shqiptaro-amerikanësh vendosën të linin pas gjithçka kishin, që nga familja, shtëpitë dhe puna e tyre në SHBA, për t’iu bashkuar vullnetarisht luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.
Ata vullnetarë dhe atdhetarë, mund të shijonin mundësitë e mëdha që u ofronte Amerika, por thirrja e Atdheut për t’i ardhur në ndihmë Kosovës, për t’i ardhur në ndihmë e për të mbrojtur fëmijët dhe gratë e pafajshme, të cilët po masakroheshin nga ushtria dhe paramilitarët e Millosheviçit, ishte aq e fortë saqë u treguan të gatshëm për të sakrifikuar gjithçka, madje edhe jetën e tyre.
Pikërisht në mars të vitit 1999 u krijua formacioni ushtarak i organizuar në Nju-Jork, që u pagëzua me emrin ‘Batalioni Atlantiku’, i përbërë nga vullnetarë nga të gjitha trojet etnike shqiptare me banim në Amerikë.
Në radhët e tij Batalioni kishte ushtarë nga të gjitha trevat shqiptare, madje edhe nga ata që lindur dhe rritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një ceremoni solemne dhe madhështore me rastin e betimit si ushtarë të UÇK-së, në qytetin Jonkers të Nju-Jorkut, në oborrin e Hotelit ‘Royal Regency’, ishin tubuar mijëra shqiptarë, në mesin e tyre familjarë të ushtarëve, tashmë të mobilizuar dhe me uniformë ushtarake. Që aty nisi rrugëtimi i lavdishëm për Batalionin ‘Atlantiku’ që do t’i bashkohej luftës çlirimtare së Kosovës, duke shënuar një nga faqet më të rëndësishme, më heroike dhe më vetëmohuese të historisë së kombit tonë.
Por, pjesëmarrja e Batalionit ‘Atlantiku’ në luftën për liri pati edhe pasojat e veta, pasi ky Batalion i dha lirisë së Kosovës tre ‘Dëshmorë’: vëllezërit Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyçi.
Vepra dhe sakrifica sublime e heronjve Bytyçi nuk do të vdesë kurrë dhe ajo do të jetojë gjithmonë në zemrat dhe mendjet e shqiptarëve kudo në botë. Ata janë nderi i historisë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Duke lënë pas gjithçka kishin ndërtuar në mërgim, këta tre vëllezër të rinj që luftuan për lirinë e Kosovës, janë sot e përjetë krenaria e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe e mbarë kombit tonë, në altarin e heronjve të lavdishëm të shqiptarizmës.
Ata u shndërruan në një shembull të jashtëzakonshëm të sakrifikimit më sublim në emër të lirisë dhe të emër të idealeve më të mëdha njerëzore, që sollën Kosovën e lirë dhe të pavarur.
Amaneti i tyre duhet të çohet akoma më përpara. Liria dhe pavarësia nuk janë të dhëna një herë e përgjithmonë, ashtu sikurse kemi të gjithë një rrugë të madhe përpara për t’i dhënë Kosovës, Shqipërisë dhe rajonit tonë edhe më shumë paqe, edhe më shumë siguri, edhe më shumë demokraci dhe begati afatgjatë.
Trashëgimia më e madhe që heronjtë e Kosovës kanë lënë është ‘Kosova e lirë, Kosova e pavarur, Kosova europiane dhe Kosova në NATO’!
Mesazhi që ata kanë lënë pas me sakrificën e tyre më sublime është për t’i edukuar fëmijët tanë, të rinjtë tanë me ndjenjat e atdhedashurisë dhe të sakrificës në emër të lirisë dhe të Atdheut.
Teksa flas për Batalionin ‘Atlantiku’, më vjen menjëherë në mendje vargu i famshëm i Imzot Fan Nolit në njërën prej poezive të tij: ‘Mbahu Nëno, mos ki frikë, se ke djemtë n’Amerikë’!
Një shprehje që është më aktuale se kurrë edhe sot, që e provoi kaq të vërtetë edhe Batalioni ‘Atlantiku’, batalioni juaj në betejën për çlirimin e Kosovës, duke pasur parasysh kontributin e shkëlqyer që diaspora shqiptare në SHBA ka dhënë ndër dekada për kombin tonë, duke ndërtuar ura bashkëpunimi mes dy kombeve dhe vendeve tona.
Me veprimtarinë e tyre atdhetare përfaqësuesit e diasporës vazhdojnë të kontribuojnë për çështjen kombëtare, por edhe për ruajtjen e traditave dhe zhvillimin e lidhjeve të forta që ekzistojnë mes amerikanëve dhe shqiptarëve.
Në këtë vit jubilar, në këtë 20-vjetor, kam nderin dhe kënaqësinë të vlerësoj Batalionin ‘Atlantiku’ me titullin e lartë ‘Kalorës i Urdhrit të Flamurit’ kombëtar për kontributin e jashtëzakonshëm dhe heroik në luftën për çlirimin e Kosovës.
Lavdi përjetë për Batalionin Atlantiku!
Lavdi të përjetshme dëshmorëve të luftës heroike të popullit të Kosovës si dhe të mbarë kombit tonë!”
Duke marrë në dorëzim titullin e lartë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, përfaqësuesi i Batalionit “Atlantiku”, zoti Gani Shehu si dhe anëtari i Këshillit Bashkiak të Nju-Jorkut, zoti Mark Gjonaj i shprehën mirënjohjen kreut të shtetit shqiptar dhe vunë në dukje kontributin e Presidentit Meta për suksesin e këtij udhëtimi si dhe mbështetjen e tij për vendosjen e flamujve kombëtarë përgjatë gjithë rrugës Tiranë-Prishtinë, për nder të Batalionit “Atlantiku”.
“Kemi një kërkesë në emër të këtyre zotërinjve dhe zonjave, modele dhe frymëzim për brezat e ardhshëm, duke ju falënderuar për njohjen që i keni dhënë diasporës sonë për sakrificat e tyre, që për 14 mijë të rënët në Kosovë, 1696 të zhdukurit që ende nuk janë gjetur, 20 mijë gratë e përdhunuara, që ju zoti President të adoptoni simbolin e shqiponjës së zezë për të gjitha viktimat shqiptare, ose çdo simboli tjetër të përshtatshëm, sepse ka ardhur koha për të nderuar të gjithë ata që kanë shërbyer, të gjithë veteranët dhe për të vënë në dukje përndjekjen ndaj së cilës jemi ekspozuar ne të tërë.” – theksoi zoti Gjonaj.
]]>