Presidenti Meta dekoron futbollistin dhe trajnerin e shquar, Sulejman Demollari me Titullin “Mjeshtër i Madh”

Presidenti Meta dekoron futbollistin dhe trajnerin e shquar, Sulejman Demollari me Titullin “Mjeshtër i Madh”

Presidenti Meta dekoron futbollistin dhe trajnerin e shquar, Sulejman Demollari me Titullin “Mjeshtër i Madh”

Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë, Presidenti Meta tregoi se si e ka njohur Demollarin dhe vlerësoi kontributin e madh që ka pasur ish-futbollisti i famshëm për sportin shqiptar dhe për imazhin e Shqipërisë. Presidenti Meta u shpreh: “Në futboll kur thua Demollari i ke thënë të gjitha. Demollari pati jo vetëm talentin e lindur, por edhe përkushtimin e pasionin për ta ushqyer këtë talent me një punë të jashtëzakonshme. Ai arriti të merrte nga idhujt e tij elementet më të mira, që nga Zëri, fanellën e të cilit mori me Dinamon, duke vazhduar me Ballgjinin, Përnaskën e me gjithë të tjerët duke shkëlqyer gjithmonë në fushë dhe duke qenë një lojtar jashtëzakonisht i madh. Titullin “Mjeshtër i madh” ai e ka marrë në fushën e lojës, ia kanë dhënë tifozët e sportdashësit. Ai ka pasur edhe fatin e mirë, ndonëse me vonesë, që me hapjen e Shqipërisë të luajë me një Dinamo tjetër, nga më të njohurat ekipe në Evropë, Dinamon e Bukureshtit. Edhe pse ato kanë qenë vitet e fundit të karrierës së tij, ai ka shkëlqyer duke shënuar gati mbi 40 gola dhe jo vetëm kaq, por duke qenë ende i vlerësuar si lojtari më i mirë ndër të huajt që kanë luajtur në Rumani. Përveç talentit të jashtëzakonshëm të Demollarit, ai ka qenë gjithmonë një model i shkëlqyer dhe i sportistit shembullor në fushë, gjithmonë i edukuar. Ai ishte një shembull i fair-play-t dhe mbetet i tillë. Sportistë të tillë, figura të tilla, e rrisin shumë dashurinë për sportin në publik dhe respekti e nderimi i tyre, i këtyre modeleve si Sulejman Demollari është një motivim, është një nxitje për fëmijët, për të rinjtë, për t’u marrë me sport dhe për të qenë të suksesshëm. Por njëkohësisht me shembullin e tyre ata edukojnë dhe vetë publikun, duke imponuar një standard tjetër të sjelljes dhe të reagimit të publikut ndaj sporteve dhe ndaj talenteve. Kjo është arsyeja që edhe pse atëherë situata ka qenë mjaft antagoniste sidomos mes ekipeve të ndryshme, pasi kampionati ka qenë jashtëzakonisht i fortë, për Demollarin të gjithë tifozët, edhe ato të ekipeve kundërshtare, gjithmonë kanë pasur respekt dhe gjithmonë e kanë duartrokitur sepse talenti i tij ka qenë kaq i jashtëzakonshëm dhe superior, por edhe sjellje e modestia e tij kanë qenë vërtet për t’u admiruar. Rasti i Demollarit është një rast i shkëlqyer se si një sportist mund të nderojë vendin e tij, mund të përmirësojë imazhin e vendit të tij dhe mund të forcojë ndjenjat e krenarisë kombëtare. Besoj se në mënyrë të veçantë këtë e dinë edhe në Bukuresht dhe në Rumani, ku Demollari është ende një idhull e do të jetë gjithnjë një ambasador i pazëvendësueshëm i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Me kënaqësinë më të madhe kam firmosur ‘Mjeshtrin e Madh’ për Demollarin. Ky titull edhe pse është i jashtëzakonshëm, është i pamjaftueshëm për Demollarin, por ai është i ri dhe do të ketë edhe vlerësime të tjera, sepse kontributi i tij për futbollin vazhdon dhe do të vazhdojë. Ai ka qenë trajner dhe vazhdon të jetë mjaft i lidhur me futbollin, me fëmijët, me të rinjtë, dhe ne duam që në të ardhmen të kemi sa më shumë Demollarë për Kombëtaren tonë, për futbollin tonë por edhe talente të këtij niveli për të gjithë sportin tonë. Vendet modeste si vendi ynë përmes sportit mund të bëhen vende të mëdha ashtu siç ne dëshirojmë dhe duam që të vlerësohemi. Ndërkohë që ne flasim për çeljen e negociatave, në futboll Shqipëria pati mundësinë për herë të parë që të hynte në Evropë, sepse shkoi në finalet e Kampionatit Evropian dhe jo vetëm kaq, por edhe fitoi me Rumaninë. Në themelet e këtij suksesi të kombëtares ka qenë edhe kontributi dhe aspirata e Demollarit dhe gjithë atyre lojtarëve të këtij niveli, të cilët kanë kontribuar për dekada të tëra që futbolli shqiptar të hyjë në Evropë dhe të jetë një shembull se si Shqipëria duhet të hyjë në Evropë në çdo fushë dhe çdo aspekt”, – u shpreh Presidenti Meta. Ndërsa Sulejman Demollari tha se kjo ishte një ditë e veçantë, jo vetëm për të por edhe për jetën sportive. “Falenderoj përzemërsisht e me mirënjohje Presidentin Ilir Meta, i cili përherë ka vlerësuar sportistët dhe kontributet e tyre ndër vite. Titulli “Mjeshtër i madh” që më akordoi Presidenti, është një vlerësim i jashtëzakonshëm për mua, e që mendoj se i përket edhe futbollit shqiptar e tifozëve kuqezi”. Demollari shprehu mirënjohjen për të gjithë trajnerët e tij, për të gjithë bashkëpunëtorët e tij me Dinamon dhe ekipet kombëtare, e në veçanti për tifozët dhe publikun. Kurse Ambasadori rumun, Mircea Perpelea, duke përshëndetur ceremoninë, theksoi: “Jam pothuajse aq i emocionuar sa edhe zoti Demollari, sepse është një moment jashtëzakonisht shumë i bukur të cilin po e përjetoj edhe unë tani kur flitet për gjëra dhe fakte shumë të bukura, miqësi dhe njerëz të jashtëzakonshëm. Për miqësinë mes Shqipërisë dhe Rumanisë, zoti Demollari ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, për emrin e mirë dhe shumë të respektuar të Shqipërisë. Kam qenë në disa ndeshje ku ka luajtur zoti Demollari. Më ka bërë shumë përshtypje që emri i tij edhe sot e kësaj dite gëzon një jehonë pozitive në Rumani dhe të gjithë e kujtojnë me respekt, këtë ambasador të vërtetë të Shqipërisë në Rumani. Nganjëherë sportistët janë ambasadorë më të mirë se sa ne, dhe zoti Demollari këtë gjë e ka bërë me sukses, me dinjitet dhe me respekt të madh për shtetin e tij të origjinës. E falënderoj zotin Demollari për atë që ka bërë në drejtim të forcimit të miqësisë mes Shqipërisë dhe Rumanisë. Spektatorët dhe tifozët rumunë e kujtojnë me respekt dhe për mua personalisht është një model, i cili u jepet sportistëve të tjerë në vijim. Dua të falënderoj edhe Zotin President, sepse me një mençuri të madhe e kupton në mënyrë tepër të qartë dhe fort mirë imazhin që transmeton një sportist! Dhe unë nga ana ime do të përpiqem të bëj gjithçka që mundem për t’i afruar edhe më shumë të dyja vendet me dëshirën që në një kohë sa më të afërt Shqipëria të jetë pjesë e ekipit të vendeve të Bashkimit Evropian.”, – u shpreh ambasadori i Rumanisë.]]>