7 Prill 2021 Presidenti Meta dekoron heronjtë e rezistencës kundër pushtimit fashist Isak Metalia e Xhevdet Ballanca, si dhe historianin Sali Hidri: 7 prillin 1939, një ditë të zezë në historinë e popullit tonë, por edhe një ditë nderimi për rezistencën heroike antifashiste të patriotëve tanë më të kulluar, që në momentin më të vështirë, i dolën për zot Atdheut, duke mos kursyer as jetën e tyre
Me rastin e 7 prillit 1939, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta dekoroi sot, me anë të një ceremonie solemne dy figura të shquara atdhetare, të cilët luftuan heroikisht kundër pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste.
Me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” u dekoruan (pas vdekjes) nga Kreu i Shtetit shqiptar Isak Metalia “Për heroizmin e pashoq treguar në ditën e pushtimit fashist të vendit; për rezistencën dhe udhëheqjen e grupit drejt sakrificës sublime, në mbrojtje të lirisë së vendit, duke u bërë njëri nga heronjtë e parë të Luftës së Dytë Botërore.”;
si dhe Xhevdet Ballanca (pas vdekjes) “Për kontributin e çmuar, dhënë në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, për çlirimin e vendit nga okupatorët, si dhe për merita të veçanta si ushtarak karriere e drejtues me vizion në Forcat e Kufirit.”.
Ndërsa historiani zoti Sali Hidri u vlerësua me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, me motivacionin “Për kontributin e çmuar dhënë në fushën shkencore dhe arkeologjike, si dhe kumtesat, botimet e paraqitjet dinjitoze të mbajtura dhe përkthyera në akademitë prestigjioze, jashtë vendit.”
Në fjalën e Tij përshëndetëse, Presidenti i Republikës u shpreh:
“Sot përkujtojmë 7 prillin 1939, një ditë të zezë në historinë e popullit tonë, por edhe një ditë nderimi për rezistencën heroike antifashiste të patriotëve tanë më të kulluar, që në momentin më të vështirë, i dolën për zot Atdheut, duke mos kursyer as jetën e tyre.
Është detyra jonë t’i mbrojmë Heronjtë dhe veprat e tyre, pavarësisht ideologjive, periudhave dhe sistemeve të kohës, sepse në këtë mënyrë ne ruajmë kombin dhe rrënjët tona, që mbrohen më mirë duke i edukuar të rinjtë me dashurinë për Atdheun.
Me rastin e 75-vjetori të Çlirimit, pata kënaqësinë dhe nderin t’i jepja “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, më të lartën në Republikën e Shqipërisë, Heroit të shquar të Rezistencës Antifashiste, Mujo Ulqinaku sepse kush më shumë se një figurë kaq patriotike, që i qëndroi betimit të tij si ushtarak para Flamurit Kombëtar, do ta meritonte këtë vlerësim të lartë.
Por ne e dimë shumë mirë, që kjo rezistencë ishte edhe e shumë bijave dhe bijëve të tjerë, nga më të mirët e Shqipërisë, që u ngritën dhe u bashkuan kundër një prej fuqive më të mëdha të kohës, Italisë fashiste.
Dëshmorët e Atdheut, që ranë në këtë ditë, janë edhe frymëzuesit e gjithë asaj rezistence të mëpasshme, deri në Çlirimin e plotë të vendit.
Sot kam kënaqësinë që të nderojmë së bashku edhe Isak Metalinë, i cili edhe pse ishte mbi 60 vjeç, me pjekurinë dhe zjarrin e një patrioti të vërtetë u deklaronte shokëve përpara se të jepte jetën: ‘Unë e kam nda mendjen me luftue për vendin tim. U thoni fëmijëve të mi se vdiqa për Shqipërinë’.
Kjo fjali, thënë në çastet më të vështira të jetës së tyre, u kthye edhe në një himn e frymëzim edhe për të tjerët, që luftuan deri në frymën e fundit.
Për heroizmin, trimërinë dhe sakrificën më sublime të shpalosur në mbrojtje të lirisë dhe tërësisë territoriale të vendit, si shembull i patriotizmit e atdhedashurisë më të kulluar, kam nderin që Isak Metalia (pas vdekjes) t’i jap sot “Dekoratën e artë të shqiponjës”, më të lartën për aktet heroike e patriotike.
Ndihem krenar, sot kujtoj së bashku me ju, me respektin e merituar, jetën dhe veprën e ushtarakut patriot Xhevdet Ballanca, me rastin e 45-vjetorit të ndarjes së tij nga jeta.
Oficer i nivelit më të lartë, i edukuar edhe në shkollat më të mirat të kohës jashtë vendit, Xhevdet Ballanca lindi në Dibër të Madhe, në vitin 1889, në një familje të njohur, prej nga kishin dalë njerëz atdhetarë, si të mendjes, ashtu edhe të pushkës, nga ata që i përjetshmi Qerim Sula thotë: “U këndojnë pushkët nëpër kulla, kur hasmi vjen tek dera”.
Ai luftoi heroikisht, së bashku me Heroin e kësaj Rezistence, Mujo Ulqinakun, Heroin Hamit Dollani dhe luftëtarë të tjerë të lavdishëm, të cilët nuk e kursyen jetën e tyre në mbrojtje të lirisë.
Ai e vazhdoi luftën më pas në male, si luftëtar aktiv antifashist, madje si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Nacional-Çlirimtar, i zgjedhur nga Konferenca e Pezës.
Dëshmi tjetër e ndershmërisë së këtij atdhetari është edhe edukimi i të tetë fëmijëve me ndjenjat më të larta patriotike, ku në veçanti u shqua, më i madhi Genci, partizan i Brigadës IV Sulmuese, i cili gjithashtu ka një jetë shumë aktive dhe një veprimtari plot urtësi edhe në drejtimin e degës së Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës, në Durrës.
Këto dhe shumë veti e virtyte të tij, janë dhe arsyet pse ne sot kemi nderin që t’i akordojmë Xhevdet Ballancës (pas vdekjes) “Dekoratën e artë të shqiponjës”, në vlerësim të merituar për kontributin e tij si ushtarak patriot dhe qytetar i devotshëm i vendit, duke u bërë shëmbull frymëzimi për brezat dhe për çdo ushtarak patriot.
Ne e dimë se sa shumë djem shqiptarë, ushtarakë patriotë, nuk pranuan të bënin betimin përpara flamurit të Italisë fashiste, aq sa me të drejtë populli i Matit dhe jo vetëm, i këndon njërit prej tyre, Dëshmorit Shahin Toçi: “Shahin Toçi një matian, gjeneralit i ka thënë, kjo Shqipëri lind burra, që nuk njohin dy flamura”.
Jo vetëm ai, por edhe shumë të tjerë që e paguan me jetën e tyre këtë patriotizëm dhe besnikëri ndaj flamurit dhe Atdheut, janë modeli i ushtarakut që na duhet, sepse ata përgatiten për një ditë të zezë për vendin dhe popullin, kur duhet të jenë në krye dhe në lartësinë e detyrës, siç kanë qenë edhe këta burra që ne nderojmë sot.
Çdo kohë dhe periudhë historike ka heronjtë e saj dhe ky truall ka lindur e do të rritë gjithmonë Heronj, për të mbajtur gjallë amanetin e të parëve tanë brez pas brezi dhe padyshim, që është detyra jonë të nderojmë historinë.
Një tjetër figurë e shquar, me kontribute të veçanta është edhe Doktori i Shkencave, historiani, arkeologu dhe shkrimtari i njohur Sali Hidri, të cilin kemi fatin ta kemi sot mes nesh, i cili ka organizuar vit pas viti në nderim e përkujtim të dëshmorëve të luftës së 7 prillit 1939, aktivitete të ndryshme.
Z. Hidri, me punën, profesionalizmin dhe mbi të gjitha me atdhedashurinë e tij, kudo ku ka punuar e sidomos në Durrës, ka spikatur nëpërmjet artikujve studimorë, librave të shumtë të botuar, duke u bërë i njohur dhe shumë i dashur, për të gjithë qytetarët, duke u respektuar si një prej personaliteteve mët ë ndritura të këtij qyteti.
Në rrugëtimin e tij të gjatë e plot suksese, ai është mbështetur e ka bashkëpunuar me shumë kolegë të fushave të ndryshme, por një mbështetje të madhe ka patur edhe nga bashkëshortja, Hava Hidri.
Sali Hidri përveçse drejtues i disa institucioneve të rëndësishme kulturore në Durrës, ka kryer shumë kualifikime brenda dhe jashtë vendit, përfshi kryeqendrat e kulturës dhe historisë botërore si, në Romë dhe në Vjenë. Me aftësitë dhe profesionalizmin e tij ka ditur të përfaqësojë me dinjitet vendin tonë në veprimtari të ndryshme historiko-kulturore.
Kumtesat, referatet dhe librat e tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Mjaftojnë këto për të gdhendur portretin e Sali Hidrit si një figurë e spikatur në fushën e shkencës dhe arkeologjisë.
Ai, edhe sot e kësaj dite, vazhdon të punojë për vlerat atdhetare dhe trashëgiminë kulturore të vendit, duke u bërë shembull motivimi për brezat e rinj.
Për gjithë këto arritje, sidomos në fushën shkencore e arkeologjike, si dhe për merita tjera në edukimin patrotik e drejtim, kam vendosur që në 80-vjetorin e tij të lindjes t’i jap Titullin ‘Kalorës i Urdhrit të Flamurit’.
I përjetshëm kujtimi i Dëshmorëve dhe i Heronjve të 7 prillit 1939!”