Presidenti Meta dekoron kompozitoren Lejla Agolli me Titullin “Mjeshtër i Madh”

Presidenti Meta dekoron kompozitoren Lejla Agolli me Titullin “Mjeshtër i Madh”

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta dekoroi kompozitoren e shquar, znj. Lejla Agolli me Titullin “Mjeshtër i Madh”: “Me mirënjohje për vlerat e saj të mëdha në fushën muzikore shqiptare, të dhëna përmes krijimtarisë së vyer, me vepra të të gjitha gjinive. Në vlerësim, të promovimit të vlerave të muzikës shqiptare brenda dhe jashtë vendit, si dhe për kontributin e veçantë në edukimin dhe formimin e brezave të rinj të artistëve.”

Në fjalën e Tij drejtuar familjarëve dhe kolegëve artistë të pranishëm në ceremoninë e vlerësimit, Presidenti Meta u shpreh:

“Të nderuar pjesëmarrës, të dashur artistë, miq e familjarë, zonja dhe zotërinj.

Është kënaqësi që jemi së bashku, për të vlerësuar kontributin e çmuar të një artisteje, me dimension të gjerë në fushën e muzikës, kompozitoren Lejla Agolli.

Znj. Lejla Agolli ka studiuar kompozim dhe orkestrim, me kompozitorin e shquar Tish Daija dhe ka qenë e vetmja grua krijuese, që ka shkruar muzikë instrumentale simfonike, për vite me radhë, çka i jep një vlerë të veçantë figurës së saj artistike.

Aktiviteti i znj. Agolli është karakterizuar nga një krijimtari e pasur muzikore, me vepra të mëdha instrumentale e simfonike, me koncerte për piano e rapsodi, të interpretuara nga orkestrat simfonike dhe solistët më të mirë të vendit.

Karakteri shumë dimensional i krijimtarisë muzikore të znj. Agolli është pasuruar duke shkruar muzikë në të gjitha gjinitë, duke filluar nga muzika e dhomës, kuintete, kuartete, albume pianistike, violinë, koncerte për piano, rapsodi, vepra simfonike, muzikë dhome, muzikë filmi, këngë, etj, që përbëjnë një kapital të çmuar të krijimtarisë sonë muzikore.

Temat shqiptare, që karakterizojnë krijimtarinë e znj. Agolli, jo vetëm shënjojnë origjinalitetin e punës së saj, por edhe frymëzojnë për elegancën e tingullin e bukur dhe të pëlqyeshëm shqip.

Këto tema e identifikojnë znj. Agolli me kombësinë e saj shqiptare, duke u bërë burim krenarie e frymëzimi jo vetëm për të.

Znj. Agolli është fituese e shumë çmimeve në festivale dhe veprat e saj janë luajtur brenda dhe jashtë vendit, duke marrë vlerësime edhe jashtë vendit.

Në vitin 2000, zonja Agolli u përzgjodh të luante në Vatikan, në prani të Papës, një eveniment që sigurisht pasuroi, jo vetëm karrierën e saj, por edhe na bëri krenarë si shqiptarë.

Për 7 vite, nga viti 2003 deri në vitin 2010, znj. Agolli ishte drejtuese artistike e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, duke dhënë një kontribut të qenësishëm për këtë institucion, me krijimet e saj, përpunimet dhe përgatitjen e koncerteve të shumta brenda dhe jashtë.

Përveç krijimtarisë, znj. Lejla Agolli ka një kontribut të veçantë në edukimin e formimin e brezave të rinj të artistëve.

Si pedagoge e lëndës teorike e formuese të muzikës, ka punuar në vazhdimësi me përkushtim. Sot shumë nxënës të znj. Agolli janë artistë shumë të njohur që japin kontributin e tyre në skenat shqiptare dhe ndërkombëtare.

Ndërkohë, që puna kërkimore në Institutin e Kulturës Popullore, për gjatë gjithë karrierës, ka qenë baza e krijimtarisë muzikore me motive të traditës së hershme shqiptare të znj. Agolli.

Bashkëpunimi me këtë institut i dha edhe një nga bazat më të forta të punës së saj si drejtore artistike e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore.

Me pasion, dedikim e punë të palodhur, znj. Agolli ka treguar se muzika është një urë lidhëse mes njerëzve, një gjuhë që tejkalon kufijtë dhe që afron popujt dhe kulturat e ndryshme, sepse arti, në vetvete, është pasqyrim i shpirtit të një kombi.

Me punën e saj kompozitorja Lejla Agolli ka kontribuar në pasurimin e trashëgimisë sonë muzikore”.