Presidenti Meta dekoron kompozitorin dhe regjisorin e shquar, z. Osman Mula me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Presidenti Meta dekoron kompozitorin dhe regjisorin e shquar, z. Osman Mula me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta dekoroi me anë të një ceremonie solemne, kompozitorin, regjisorin dhe moderatorin e shquar z. Osman Mula me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”:Me mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm të dhënë për artin shqiptar nëpërmjet veprimtarisë së tij shumëplanëshe, si regjisor, kompozitor, instrumentist dhe moderator përgjatë 45 viteve të karrierës së tij. Në vlerësim të përkushtimit të madh ndaj përhapjes së kulturës kombëtare, si dhe edukimit të brezave të rinj me një art thellësisht kombëtar.”

Presidenti Meta në fjalën e Tij përshëndetëse, u shpreh:

“Shumë kënaqësi që sot, në një ditë të shënuar për kombin tonë, ditën e ditëlindjes së shtetit të pavarur të Kosovës, të vlerësojmë së bashku, një personalitet të jashtëzakonshëm, një figurë shumë të njohur dhe të dashur për publikun dhe për popullin tonë, Osman Mula.

Është përgjegjësi dhe kënaqësi të flasësh për një personalitet, i cili e ka gdhendur figurën e tij me një punë të jashtëzakonshme dhe me arritje të shkëlqyera në të gjitha drejtimet.

Titulli regjisor shpreh vetëm një pjesë e dimensionit të punës dhe veprimtarisë shumëplanëshe të tij, sepse Osman Mula, është vërtet një nga regjisorët më të njohur të Radio-Televizionit Shqiptar dhe të vendit, por ai është edhe kompozitor i vlerësuar me shumë çmime, është instrumentist, saksofonist i talentuar, por është edhe moderator dhe drejtues i suksesshëm shumë emisioneve të muzikës.

Në karrierën e tij 45-vjeçare, me një krijimtari të gjerë artistike, zoti Mula ka pasqyruar dhe ka qenë protagonist në shumë aktivitete kulturore dhe artistike të vendit.

Firmën e Osman Mulës e mbajnë 20 festivale të këngës në Radio Televizion.

Ashtu siç janë realizuar me mjeshtëri dhe mbajnë firmën e tij, edhe mjaft koncerte të vitit të ri, ndërtuar me aktorë brilantë të humorit shqiptar e këngëtarë të shquar të vendit, që na shoqëronin në familjet tona natën e ndërrimit të viteve.

Por, Osman Mula ka qenë po aq i sukseshëm edhe me spektakle të mrekullueshme, ndërtuar me krijimtarinë më të mirë të kompozitorëve tanë, me të cilët krenohemi të gjithë, si Çesk Zadeja, Tish Daija, Pjetër Gaci, Feim Ibrahimi, Avni Mula, Agim Krajka, Agim Prodani, e shumë të tjerë.

Regjisori Mula ka realizuar mjaft bashkëpunime me ‘Teatrin e Operas dhe Baletit’, si dhe me ‘Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore’, dhe njëkohësisht, ka bashkëpunuar me të gjitha estradat e vendit, duke mbajtur të mbërthyer përpara ekranit të vogël, me mijëra teleshikues, në varieten e së shtunës.

Për shumë dekada, Osman Mula ka qenë regjisor i jetës koncertale simfonike të orkestrës së RTSH-së, dhe njëkohësisht regjisor i festivaleve ‘Kur vjen pranvera’, ‘Festivali i interpretuesve’ apo ai i këngës popullore.

Realizimi i disa prej portreteve më të mëdha artistike shqiptare si: Prenk Jakova, Vaçe Zela, Skënder Sallaku, Fadil Kraja, Tano Banushi, etj, i dedikohet punës dhe përkushtimit të Osman Mulës.

Osman Mula është njeriu që ka zbuluar me dhjetëra talente të reja, e që ka sjellë spektaklin në nivele të larta, duke respektuar traditën dhe artin kombëtar e duke e harmonizuar atë me modernen apo dekadenten.

Pa dyshim Osman Mula është një nga regjisorët më të njohur edhe në fushën e sportit. Ai ka ndërthurur me mjeshtëri spektaklin artistik me spektaklin në fushën e blertë.

Por, ai ka qenë po aq i sukseshëm, edhe në drejtimin dhe moderimin e shumë spektakleve të lidhura me sportin, duhet të përmendim në mënyrë të veçantë 100-vjetorit të Klubit ‘Vllaznia’, apo edhe dekorimin e legjendës së ‘Vllaznisë’, apo gjithë Shqipëris, Sabah Bizi.

Ashtu siç ka qenë po i sukseshëm, në promovimin e turizmit shqiptar, nëpërmjet koncerteve të regjistruara në natyrë dhe në vende të rëndësishme historike e kulturore.

Osman Mula e ka artin në shpirt e zemër. Ai mbetet një nga artistët më të pranishëm në shtypin shqiptar, me shkrime dhe qëndrime të qarta, për problematikat e mëdha të artit tonë.

Osman Mula vjen nga një familje e madhe dhe e njohur artistësh, një familje që do të mbetet në memorien e historisë sonë artistike kombëtare.

Jam i bindur që familja Mula do të vazhdojë të japi kontributin e saj të madh, për artin dhe kulturën shqiptare, ashtu siç e ka dhënë me artistin e shquar Avni Mula dhe bashkëshorten e tij Nina Mula; siç vazhdon ta japë me Inva Mulën e Osman Mulën, e për të vazhduar me tej, me brezat më të rinj të familjes Mula, që kanë trashëguar dashurinë për artin dhe muzikën.

Në vlerësim të gjithë kontributit të jashtëzakonshëm dhënë për artin shqiptar dhe përkushtimit ndaj përhapjes së kulturës kombëtare, kam privilegjin të vlerësoj sot Osman Mulën me Titullin e lartë ‘Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut’ ”.