3 Dhjetor 2020 Presidenti Meta dekoron matematicienin e shquar Edmond Lulja me Titullin “Mjeshtër i Madh”
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta dekoroi me Titullin “Mjeshtër i Madh” mësuesin matematicien, Edmond Lulja, me motivacionin: “Në vlerësim të kontributeve të shquara për zhvillimin e arsimit shqiptar përmes punës së tij të palodhur e të vyer si mësues, drejtues, punonjës shkencor dhe autor i shumë teksteve mësimore në fushën e matematikës. Me mirënjohje për njërin nga ekspertët më të shquar të vendit tonë në hartimin dhe zhvillimin e programeve mësimore dhe të strategjive e politikave zhvillimore të arsimit tonë para universitar”.
Duke iu drejtuar të pranishmëve në ceremoninë solemne, Drejtori i Kabinetit të Presidentit të Republikës, z. Edmond Panariti u shpreh:
“Të nderuar pjesëmarrës, kam kënaqësinë të jemi sot, së bashku, për të nderuar zotin Edmond Lulja, një mësues që ia ka kushtuar gjithë jetën arsimimit dhe edukimit të brezave të rinj.
Të jesh mësues nuk do të thotë të shpjegosh thjesht mësimin, ndërkohë që nxënësit dëgjojnë të qetë dhe pa zhurmë.
Të japësh mësim, të jesh mësues do të thotë t’i ofrosh çdo nxënësi një eksperiencë të bukur, interesante, që të jep kënaqësi dhe është unike.
Të jesh mësues do të thotë që, puna nuk mbaron brenda mureve të klasës, por shtrihet përtej saj, në shtëpi dhe në komunitetin ku jeton.
Mësuesi është simbol, simbol i së mirës, i së vërtetës, i pastërtisë dhe i edukatorit për gjithë jetën.
Ai nxit dhe zhvillon tek nxënësit e tij vlera dhe qëndrime të dobishme, për të ardhmen e tyre dhe është arkitekt i individit, shoqërisë, kombit dhe i gjithë njerëzimit.
Jo pa qëllim, Sër Ken Robinson, një edukator vizionar, i ka krahasuar mësuesit me kopshtarët.
‘Askush nuk e detyron dot dikë tjetër të mësojë. Kjo nuk është e mundur, siç nuk është e mundur për një kopshtar t’i bëjë lulet të rriten, nuk i detyron dot. Nuk mund të ulesh, të ngjisësh petalet, të vendosësh gjethet dhe më pas ta ngjyrosësh lulen. Lulja do të rritet vetë. Në punën tënde si mësues, nëse je i zoti, ofron kushtet optimale, në mënyrë që t’i lejosh nxënësit të rriten vetë’.
Mësimdhënia vlerësohet si një nga punët më të respektuara, por edhe më me sfida, thellësisht thelbësore për jetën dhe të ardhmen shoqërore, kulturore dhe ekonomike të çdo kombi.
Profesor Edmond Lulja i ka pasur parasysh, gjatë gjithë jetës së tij, përgjegjësitë dhe sfidat, që mbart në vete, roli i tij, si edukator i brezave të rinj.
Në mbi katër dekada, zoti Lulja ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për fushën e arsimit.
Në rolin e tij si pedagog dhe mësues matematike është dalluar për cilësinë e lartë të mësimdhënies, komunikimin me nxënësit, taktin pedagogjik dhe erudicionin duke fituar respektin dhe dashurinë e nxënësve të tij.
Si autorë, tekstet e matematikës, të hartuara prej profesor Lules dhe bashkë autorë të tjerë, janë vlerësuar për saktësinë shkencore dhe mjeshtërinë metodike të trajtimit të materialit mësimor.
Gjatë afro 35 vjetëve që kanë qenë në përdorim, me këto tekste kanë mësuar mbi 1 milion nxënës shqiptarë.
Ndërkohë në funksionet e tij si drejtues arsimi, drejtor i përgjithshëm dhe Ministër i Arsimit dhe i Sportit ka pasur gjithmonë admirimin dhe respektin e kolegëve.
Zoti Lulja ka qenë ndër ekspertët më të shquar të vendit tonë në zhvillimin e planeve, programeve mësimore si dhe dokumenteve të politikave të arsimit tonë para universitar.
Për gjithë kontributin e shquar të zotit Lulja si mësues, drejtues, autor tekstesh, si dhe për punën e tij të madhe në zhvillimin e programeve mësimore e strategjive për arsimin shqiptar, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta ka nderin t’i akordojë sot Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’.
Ju faleminderit!”