19 Shtator 2020 Presidenti Meta dekoron personalitete të etnografisë, folklorit dhe muzikës popullore shqiptare në Zall Dardhë: Dibra, simbol i qëndresës së shqiptarëve, ka qenë përherë djepi i luftërave patriotike për liri dhe identitet kulturor
Zall Dardhë, Dibër
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta zhvilloi një vizitë pune në Dibër, ku vlerësoi disa të personalitete të shquara të etnografisë, folklorit dhe muzikës popullore shqiptare.
Fillimisht, Kreu i Shtetit u ndal në Muzeun Historik të Kastriotëve në Sinë, e më pas u takua me fermerë të zonës me të cilët bisedoi për domosdoshmërinë e zhvillimit të agro-turizmit dhe rëndësinë e promovimit të mëtejshëm të këtyre viseve me bukuri të rralla natyrore, si dhe u interesua për problemet e çështje e tyre të ndryshme jetike.
Më pas, Presidenti Meta, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë, z. Dionis Imeraj, Prefekti i Qarkut, z. Nexhbedin Shehu, autoritete vendore, përfaqësues të të gjitha forcave politike dhe qindra qytetarë, vizitoi fshatin e Zall Dardhës, ku vendosi një tufë me lule tek Obeslisku “Kuvendi i Dardhës 1921”, si dhe mori pjesë në koncertin festiv të organizuar nga shoqata atdhetare “Kuvendi i Zall Dardhës”, ku edhe vlerësoi disa nga personalitetet më të shquara të kësaj treve.
Në ceremoninë solemne të organizuar, Presidenti i Republikës vuri në dukje se ndihet i lumtur që gjendet në Zall Dardhë, në fshatin me histori të madhe të luftërave për liri, por dhe në krahinën e artistëve, rapsodëve dhe valltarëve të famshëm për mbarë kombin!
“Ju sikurse gjithë dibranët kanë qenë dhe janë përgjatë gjithë historisë krenarë para Atdheut dhe flamurit kombëtar.
Duket se Zoti bashkë me bukuritë e natyrës ka blatuar tek banorët e këtyre viseve virtyte njerëzore nga më të arrirat!
Të rritur me Korabin përballë, bijtë e shquar të kësaj krahine kanë marrë prej malit madhështor cilësitë e qëndresës dhe kryelartësinë e tij në karakterin dhe shpirtin e tyre.
Treva juaj ka qenë përherë djepi i luftërave patriotike për liri, por edhe dhe identitet kulturor.
Prandaj rapsodi do këndonte:
Luftën kurë se kemi nda,
Reç e Dardhë jemi një vëlla…
Besa – besë, nihet zani,
Zot t`i dalim këtij vatani…”
Të lidhur fort me doket, zakonet dhe pasurinë shpirtërore të parëve ju i keni qëndruar besnik trashëgimisë, kodit krahinor dhe idealit kombëtar.
Jo pa kuptim ata kuvendin e tyre të burrave e quajtën “ Dheu ”, për të treguar, se si Anteu ata e marrin bekimin dhe fuqinë e tyre prej tokës që i lindi dhe rriti.
Tradita e Kuvendeve në Reç e Dardhë, është një ndër shembujt më të shquar të përgjegjësisë atdhetare, të organizimit dhe qeverisjes vendore.
Ajo konsiderohet si trashëgimia më e mirë e vlerave atdhetare të zonës.
Në këto kuvende u rritën e u formuan disa nga figurat më të rëndësishme të Dibrës, por edhe të mbarë kombit shqiptar si: Elez Isuf Ndreu, Isuf Xhelili e Dali Ndreu, si dhe plot figura të tjera të njohura e të respektuara si:
Baftjar Doda, Cen Elezi, Hasan Marku, Hysen Vladi, Sul Marku, Sheh Halimi, Mahmut Laçi, Ramadan Cani, Merë Troci, Mehdi Kaca, Rrahman Mziu, Sheh Ymeri, Rrahman Rasha, Hysni Kaca, Selim Lila, Selman Ahmeti, e shumë të tjerë.
Janë këta burra, për të cilët do të këndonte mjeshtri Qerim Sula:
Me gjoks flakën ja shuajmë topit/
Jemi gjaku Kastriotit!
Nder, respekt dhe lavdi përjetë emrit dhe kontributit të tyre për kombin tonë!
Ansambli juaj “Kuvendi”, 70-vjetorin e të cilit festuam një vit më parë është një reflektim i fuqishëm i shpirtit tuaj atdhetar, artistik, i vlerave kulturore dhe mënyrës se si ju ruani të gdhendur në vargje, këngë, valle e kostumet popullore historinë krenare të trevës tuaj.
E çmoj shumë të rëndësishëm jetëgjatësinë e ansamblit, suksesin dhe vitalitetin e grupit tuaj artistik!
Duke i rezistuar kohës, ky ansambël përfaqëson një simbolikë të madhe për ruajtjen dhe përsosjen e folklorit shqiptar.
Artistët popullorë të këtij ansambli janë një shembull i madh i pasionit, përkushtimit dhe mbartës të vlerave folklorike të një treve me tradita ndër më të shquarat atdhetare.
Megjithëse një ansambël krahinor këngëtarët e valltarët e tij kanë shkëlqyer dhe janë vlerësuar në festivale dhe skena shqiptare, por edhe ato botërore.
Emrat e artistëve Haziz Ndreu, Muharrem Xhediku, Liri Rasha, Qerim Sula, Sajhe Poleshi, Ramadan Selmani, Shaban Mziu, Sherif Dervishi Xhelil Ymeri, Xhelal Çerpja dhe shumë të tjerëve janë të dashur për gjithë shqiptarët dhe janë bërë zëri i kombit në shumë aktivitete kombëtare e ndërkombëtare.
Koncertet që ju po shfaqni me kaq art dhe talent janë një sinjal i madh i mbijetesës të pasionit tuaj të pashuar, por të dashurisë në radhë që ju keni për trojet e kulturën tuaj popullore.
Ato flasin në mënyrën më të qartë për një të ardhme të begatë të aktivitetit dhe folklorit tuaj të pashtershëm ndaj edhe unë do të jem një mbështetje e fortë e juaja edhe në të ardhmen, sepse ju jeni një shembull edhe për të gjitha trevat e tjera.
Do të doja sot t’ju përgëzoja për aktivitetin e Shoqatës tuaj Kulturore Artistike, në mënyrë të veçantë kryetarin e saj të palodhur Neshat Ndreu, udhëheqësin artistik Xhelil Hyseni, mbështetësin fisnik Muharrem Gjoka si dhe gjithë këngëtarët, valltarët dhe instrumentistët e Ansamblit ‘Kuvendi Zall Dardhës’.
Një vit më parë, ju akordova me rastin e 70-vjetorit titullin ‘Naim Frashëri’ për Ansamblin ‘Kuvendi’, si dhe ju premtova se do të takoheshim sërish!
Mendova se ishte më mirë të mblidheshim pikërisht këtu në Zall-Dardhë, ku është burimi të pashtershëm i talenteve, për të plotësuar vlerësimin e merituar të disa prej artistëve tuaj të famshëm!
Do të doja në këto momente të dekoroja një për një gjithë këngëtarët, valltarët, muzikantët e këtij ansambli në vite, por do t’ju lutesha, që t’i konsideroni vlerësimet për miqtë tuaj si pjesë edhe të vlerësimit të gjithë secilit prej jush.
Ne do të mblidhemi sërish në festa e përvjetorë, kështu në një takim të ardhshëm do të ketë të tjera dekorime.
Porosia ime për ju dhe gjithë shqiptarët është të vazhdojmë të kujdesemi për truallin ku na lindën të parët, për truallin që na mëkoi gjuhën e nënës, dhe që na mësoi që të kemi vetëm një flamur në jetë, flamur kombëtar!
Dhe kjo do të arrihet vetëm duke edukuar edhe ne brezat më të rinj dhe jam shumë i lumtur që shikoj shumë të rinj e të reja sonte në këtë veprimtari
Edhe pse larg gjeni mundësitë të ngrini zërin dhe të ndihmoni në zhvillimin e krahinës suaj, që edhe këtu të ketë jetë kulturore, infrastrukturë, shërbime dhe agro-biznese në këtë mënyrë vendlindjet tona mos braktisen, por të jenë të dashura për të jetuar!
Demokracia shqiptare duhet të japë frytet e zhvillimit në të gjithë vendin dhe jo vetëm në dy-tri qytete!
Nder dhe mirënjohje Zall Dardhës, Dibrës dhe bijve të saj më të shquar!
Urime e suksese të mëtejshme artistëve të Ansamblit Kuvendi!
Gëzuar festën tuaj tradicionale!
Mbarësitë më të mira për ju, për të gjithë dibranët dhe për do vatër shqiptare!” – u shpreh Presidenti Meta.
Kreu i Shtetit vlerësoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” Qerim Sulën (pas vdekjes) dhe zonjën Liri Jushi (Rasha), ndërsa me Titullin “Mjeshtër i Madh” Sherif Dervishin dhe Xhelal Çerpjen (pas vdekjes) zotin Shaban Mziu, zonjën Sajhe Poleshi, zotin Xhelil Ymeraj, zotin Lutfi Ndreu dhe zotin Halil Rama.
Kurse me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile” Presidenti i Republikës dekoroi artistët zotin Neshat Ndreu dhe zotin Agim Cani.