Presidenti Meta dekoron sportistë të shquar të qytetit të Lezhës

Presidenti Meta dekoron sportistë të shquar të qytetit të Lezhës

Me anë të një ceremonie të veçantë, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi sportistë të shquar të qytetit të Lezhës.

Kreu i Shtetit dekoroi me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” zotin Salvador Kaçaj: “Në shenjë vlerësim për personalitetin dhe rezultatet e arritura në futboll, duke treguar cilësi të spikatura si lojtar i ekipit ‘Besëlidhja’, ‘Skënderbeu’ dhe Ekipit Kombëtar, i suksesshëm në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare me karrierë publike, sportive dhe sociale, si pjesë e suksesshme e jetës së tij.”;

Me Titullin “Mjeshtër i Madh”, Isuf Pelingun (pas vdekjes): “Në shenjë vlerësimi për kontributin e dhënë në futboll, si sportist i ekipeve ‘Vllaznia’, ‘Partizani’ dhe ‘17 Nëntori’. Trajner i suksesshëm, i cili arriti rezultate të larta, duke punuar me përkushtim për zhvillimin dhe rritjen cilësore të futbollit.”;

Nikolin Lorencin (pas vdekjes): “Në shenjë vlerësimi për kontributin e dhënë në futboll, si sportist i ekipit ‘Vllaznia’, ‘Besëlidhja’ dhe Ekipit Kombëtar. Trajner dhe drejtuesit i suksesshëm, i cili punoi me përkushtim për rritjen cilësore të futbollit në qytetin e Lezhës.”;

Z. Fehmi Rama: “Në shenjë vlerësim për kontributin e dhënë në futboll, si lojtar i ekipit ‘Besëlidhja’, dhe për rezultatet e larta në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Lojtar me cilësi fizike dhe teknike të shkëlqyera dhe golashënuesit i spikatur.”;

Z. Sami Deda: “Në shenjë vlerësimi për veprimtarinë e shquar sportive në sportin e mundjes klasike, si sportist i ekipit ‘Besëlidhja’ dhe Ekipit Kombëtar. Mundësi kampion me rezultate të larta në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare.”

Në fjalën e Tij, Presidenti Meta u shpreh:

“Kënaqësi të organizoj këtë ceremoni dekorimi, të disa prej sportistëve më të shquar të Lezhës, që përveç natyrës së mrekullueshme dhe historisë së lavdishme, ka arritur të nxjerr edhe sportistët të mrekullueshëm, që nuk kanë nderuar vetëm Lezhën, por edhe sportin tonë në nivel ndërkombëtar.

I akordoj zotit Salvator Kaçaj Titullin e lartë ‘Kalorës i Urdhrit të Flamurit’, një ndër qendërmbrojtësit më të spikatur të futbollit tonë, i dalluar për cilësitë e tij në fushën e blertë. Salvadori filloi të luante futboll me ekipin e ‘Besëlidhjes’ së Lezhës, për të vazhduar më vonë me ekipin e ‘Skënderbeut’ të Korçës dhe Ekipin Kombëtar.

Pas vitit 1991, ai luajti me shumë sukses në disa skuadra të njohura të futbollit në Greqi dhe Qipro.

Debutimin e tij për Shqipërinë e bëri në ndeshjen miqësore në shtator 1991 kundër Greqisë, duke qenë edhe golashënues për ta mbyllur karrierën e tij të suksesshme me ekipin përfaqësues në ndeshjet eliminatore për Kupën e Botës kundër Portugalisë.

Një tjetër emër i madh i futbollit lezhjan, që e vlerësojmë me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’ ka qenë Isuf Pelingu, që për fat të keq është ndarë nga jeta kohë më parë. Kontributi i tij në fushën e blertë si futbollist i ekipeve ‘Vllaznia’, ‘Partizani’, ‘17 Nëntori’ dhe si trajner i rezultateve të larta me ekipet e ‘Besëlidhjes’, ‘Vllaznisë’, ‘Besës’ dhe ‘Flamurtarit’ e kanë bërë Isuf Pelingun një nga personalitetet e shquara të futbollit shqiptar.

Por karrierën e tij më të frytshmen si trajner, Isuf Pelingu do ta bënte në Lezhë, kur në vitin 1966, pas një pune të madhe do të arrinte një sukses historik duke futur ‘Besëlidhjen’, për herë të parë në kategorinë e parë.

Vlerësojmë me Titullin e lartë ‘Mjeshtri i Madh’ zotin Nikolin Lorencin, i cili u nda nga jeta në nëntor të vitit 2020 nga pandemia Covid-19.

Nikolin Lorenci ka qenë qendërmbrojtësi dhe mesfushori i njohur , i cili ka luajtur me ekipet ‘Besëlidhja’, ‘Vllaznia’ dhe me Ekipin Kombëtar.

Ai ka veshur zyrtarisht fanellën e ‘Besëlidhjes’ në maj të vitit 1965 dhe nuk i është ndarë fushës së blertë duke thyer një rekord si titullar, pasi nuk ka munguar në asnjë ndeshje.

Kënaqësi të vlerësojmë Fehmi Ramën me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’, i cili gjatë karrierës së tij u aktivizua vetëm me ‘Besëlidhjen’, prandaj dhe sot kujtohet me nostalgji të madhe nga të gjithë tifozët lezhjanë.

Përgatitja dhe aftësitë e tij të mrekullueshme teknike kanë mbetur në kujtesën e tifozëve të futbollit, pasi ai ishte shumë problematik për mbrojtësit dhe portierët më të mirë të vendit tonë. Në fund të karrierës së tij të shkëlqyer Fehmi Rama, luajti për disa vite në Kampionatin Superior të Maltës, duke u dalluar gjithmonë si një driblues brilant dhe golashënues shumë i aftë.

Kur flasim për Lezhën nuk mund të lëmë jashtë vëmendjes mundjen. Kënaqësi të vlerësoj zotin Sami Deda, një kampion i njohur një mundës i shkëlqyer i ‘Besëlidhjes’ fitues i titujve kampionë dhe Kupës së Republikës për vite me radhë. Në vitin 1986 ai shpallet si sportisti më i mirë i vitit në mundjen klasike. Në vitet 1988-1996 ka qenë anëtar i ekipit kombëtar të mundjes klasike në peshën 57 kg; 62 kg; 68 kg; 82 kg. Në aktivitetin e zhvilluar në Selanik të Greqisë ai u shpall edhe Kampion i Ballkanit.

Ishte një kënaqësi për mua të bëja këto vlerësime për të gjithë ju, dhe t’iu uroj mbarësi edhe familjeve tuaja, të cilat ju kanë mbështetur aq shumë në këtë rrugë plotë sfida dhe sakrifica.

Suksese, mbarësi dhe vetëm lajme sa më të mira për ‘Besëlidhjen’ dhe për Lezhën edhe në të ardhmen.

Qëllimi i këtyre vlerësimeve, është jo vetëm për të reflektuar dhe për të shprehur mirënjohje dhe vlerësim për më të mirët e periudhat të mëparshme, por edhe për të promovuar më të rinjtë dhe fëmijët në rrugën e sportit dhe të suksesit.

Është një sfidë shumë e madhe për të gjithë ne, që t’i fusim fëmijët dhe të rinjtë në këtë rrugë, kjo është një rrugë e shkëlqyer për ata, për familjet e tyre dhe gjithë shoqërinë tonë.”