Presidenti Meta dekoron me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” futbollistët e shquar të viteve ’80, z. Antonin Naçi, z. Artur Lekbello dhe z. Arjan Bimo: Shembuj frymëzimi për të rinjtë në rrugën e suksesit në sport dhe jetë

Presidenti Meta dekoron me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” futbollistët e shquar të viteve ’80, z. Antonin Naçi, z. Artur Lekbello dhe z. Arjan Bimo: Shembuj frymëzimi për të rinjtë në rrugën e suksesit në sport dhe jetë

Me anë të një ceremonie solemne, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi sot me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” tre ish-futbollistë të shquar shqiptarë të viteve 1980-të:

Mbrojtësin e pakalueshëm të “17 Nëntorit”, zotin Antonin Naçi: “Me mirënjohje, për punën e palodhur dhe rezultatet e larta të arritura me ekipin ‘17 Nëntori’ dhe me Ekipin Kombëtar. Në vlerësim të futbollistit të spikatur gjatë veprimtarive kombëtare dhe ndërkombëtare, trajnerit profesionist të vlerësuar për sukseset e tij, brenda dhe jashtë vendit.”

Portierin e shquar, zotin Artur Lekbello: “Në vlerësim të kontributeve si portier i ekipeve ‘Lokomotiva’, ‘Partizani’, ‘Flamurtari’ dhe Ekipit Kombëtar, duke arritur rezultate të spikatura në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare të futbollit.”

si dhe mbrojtësin e spikatur të “17 Nëntorit”, zotin Arjan Bimo: “Në shenjë vlerësimi për kontributet e shquara si lojtar i ekipit ’17 Nëntori’ dhe Ekipit Kombëtar, duke shënuar rezultate të larta në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare.”

Në fjalën e Tij përshëndetëse drejtuar futbollistëve të dekoruar, familjarëve dhe kolegëve të tyre, Kreu i Shtetit u shpreh:

“Është kënaqësi të mirëpres dhe të vlerësoj sot kontributin dhe karrierën e lavdishme të tre ish-futbollistëve të njohur të skuadrave ‘17 Nëntori’, ‘Lokomotiva’, ‘Flamurtari’, ‘Partizani’ dhe Ekipeve Kombëtare:

Zotin Antonin Naçin ose Nine Naçin, mbrojtësin klasik dhe lojtarin e palodhur të ‘17 Nëntori’ dhe Ekipit Kombëtar;
Zotin Artur Lekbello, sportistin e dashur të tifozëve dhe kolegëve, portierin spektakolar të ‘Lokomotiva’, ‘Partizani’, ‘Flamurtari’ dhe Ekipit Kombëtar;
Zotin Arjan Bimo, mbrojtësin e majtë, futbollistin simpatik të ‘17 Nëntorit’ dhe Ekipit Kombëtar, të cilin e bënte të madh talenti i tij, por dhe mençuria që spikaste dhe dallonte në raport me gjithë të tjerët.

Edhe si dashamirës i futbollit, kur vlerëson personalitete të tilla, nuk mund të mos kujtosh emocionet e forta që ke përjetuar në shkallët e stadiumeve apo pranë televizorit kur ndiqje lojën e tyre në fushën e blertë.

Me këtë rast dua t’i shpreh një mirënjohje të veçantë të gjithë familjeve tuaja, që janë kujdesur aq shumë dhe që ju kanë mbështetur në çdo hap, sepse keni luajtur dhe jeni stërvitur në një kohë shumë të vështirë dhe me shumë mungesa.

Kujtoj me nostalgji ndeshjet tuaja të bukura, lojën e shkëlqyer dhe kolektive, atë frymë fisnike sportive, atë forcë dhe vitalitet të paharruar, shembull frymëzimi për të rinjtë e sotëm.

Besojë kështu ju kujtojnë edhe tifozët e futbollit të cilët i mbushnin plot stadiumet ku ju luanit.

Përveç se sportistë shumë të talentuar dhe të spikatur, ju, keni qenë dhe shokë të mirë dhe qytetarë të respektuar dhe kështu mbeteni edhe sot e kësaj dite prandaj simpatia ime për ju është dyfish.

Ndeshjet e paharruara me skuadrat tuaja dhe me Ekipet Kombëtare kanë dëshmuar shpirtin tuaj konkurrues, përballë ekipeve më të mira të Ballkanit dhe të Europës, ku ju keni nderuar veten tuaj por mbi të gjitha keni ngritur lart emrin e Shqipërisë.

Angazhimi juaj në këtë karrierë të gjatë sportive nuk ka qenë i kufizuar vetëm në suksesin sportiv, por ai ka përfshirë dhe angazhimin tuaj në shumë detyra të tjera të rëndësishme të jetës civile dhe shoqërore.

Me këtë rast dua të përshëndes mësuesit dhe trajnerët tuaj, të cilët me përkushtim kanë punuar që ju të rriteni dhe të edukoheni me vlerat më të mira të asaj kohe, dhe njëkohësisht që ju të mbeteni gjithmonë njerëz shumë të çmuar të shoqërisë sonë, dhe sot, shembuj për më të rinjtë për të ndjekur pikërisht rrugën tuaj të suksesit.

Titujt ‘Mjeshtri i Madh’ që ju akordojmë sot si lojtarë të shquar dhe të dashur të futbollit tonë, janë një vlerësim për punës, për sakrificat, për rezultatet e arritura nga ju si futbollistë dhe njëkohësisht janë një përpjekje për të nxitur më të rinjtë, për të nxitur fëmijët në rrugën e magjishme të sportit e sidomos të futbollit.