11 Prill 2021 Presidenti Meta dekoron me Titullin “Mjeshtër i Madh” sportistë të shquar vlonjatë: Të mbështesim më shumë të rinjtë e Vlorës në rrugën e bukur të sportit, për t’i rikthyer “Flamurtarit” shkëlqimin e dikurshëm
Vlorë
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi me anë të një ceremonie të veçantë disa sportistë të shquar vlonjatë, të dalluar për rezultatet e tyre të suksesshme.
Me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, Kreu i Shtetit vlerësoi futbollistin e paharruar, zotin Miltjadh Gurma “Në shenjë vlerësimi për kontributin dhe personalitetin e gjithanshëm në lojën e futbollit, duke dëshmuar cilësi të shkëlqyera si lojtar dhe trajner me rezultate të larta në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare.”;
Mundësit, Safet Abazi (pas vdekjes) “Për kontributin dhe punën e palodhur në arritjen e rezultateve të larta në sportin e mundjes, me ekipin e klubit sportiv ‘Flamurtari’, si dhe në përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.”;
Zotin Ruzhdi Zeneli “Në shenjë vlerësimi për punën e palodhur dhe kontributin e madh në mundjen klasike, si sportist kampion me ekipet “Flamurtari”, “Partizani” dhe Ekipin Kombëtar. Mundës i talentuar me rezultate të shkëlqyera, të arritura në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare.”;
Zotin Shkëlqim Korkaj “Në shenjë vlerësimi për veprimtarinë e shquar sportive, në sportin e mundjes klasike, si sportist i klubeve sportive ‘Flamurtari’ dhe Ekipit Kombëtar. Sportist kampion me rezultateve të spikatura në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.”;
Zotin Ilirjan Korkaj “Në shenjë vlerësimi për veprimtarinë e shquar në mundjen klasike, si sportist i ‘Flamurtarit’ dhe ekipit Kombëtar. Mundës kampion me rezultate të larta në veprimtaritë kombëtare.”;
Zotin Fitus Korkaj “Në shenjë vlerësimi për veprimtarinë e shquar në mundjen klasike, si sportist i ‘Flamurtarit’ dhe Ekipit Kombëtar. Sportist kampion dhe trajner i suksesshëm në veprimtaritë e mundjes klasike në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.”
Gjithashtu, Kreu i Shtetit vlerësoi me Titullin “Mjeshtër i Madh” kampionin e bilardos zotin Roland Panozaqi, “Në shenjë vlerësimi për kontributin e dhënë si themelues i sportit të Bilardos në qytetin e Vlorës dhe masivizimin e këtij sporti në arenën kombëtare. Trajner i rezultateve të larta sportive, i cili ka përfaqësuar me dinjitet vendin tonë, me fitimin e titujve ‘Kampion Bote’ dhe ‘Kampion Evrope.”;
peshëngritësin e shquar zotin Kastriot Rukaj “Në shenjë vlerësimi për kontributin e shquar si trajner në sportin e Peshëngritjes me ekipin ‘Flamurtari’ dhe Ekipin Kombëtar. I dalluar në përgatitjen e sportistëve cilësorë, me rezultate të larta në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare.”;
si kampionin dhe trajnerin e ping-pongut, zotin Edmond Gjoka “Në shenjë vlerësimi për kontributin shumëvjeçar në sportin e Pingpongut si sportist dhe trajner i talentuar me rezultate të larta në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare”.
Në fjalën e Tij përshëndetëse, në ceremoninë solemne të dekorimit, duke ju drejtuar sportistëve, familjarëve dhe kolegëve të tyre, Presidenti i Republikës u shpreh:
“Jam shumë i lumtur të nderojmë disa nga yjet e sportit të ekipit ‘Flamurtari’, por edhe të qytetit të Sarandës, pjesë e vlerave më të mira të sportit tonë kombëtar.
Sporti në qytetin e Vlorës është pjesë e trashëgimisë dhe e kulturës së çdo vlonjati.
Asgjë nuk mund të zëvendësojë mungesën e tij, pasi rezultatet dhe arritjen e shkëlqyera sportive janë shkruar me gërma të arta në historinë e këtij qyteti.
Të gjithë këta sportistë janë të niveleve më të larta kombëtare, të cilët e kanë nderuar Shqipërinë brenda dhe jashtë saj.
Është koha për të apeluar, që të gjithë së bashku, të mbështesim më shumë sportin, sepse kemi shumë për të bërë, që të arrijmë nivelet më të mira që ka arritur “Flamurtari” në të kaluarë n në të gjitha disiplinat.
Vlora ka qenë dhe mbetet djepi i përgatitjes së sportistëve më të mirë, të cilët kanë arritur rezultatet më të larta në të gjitha disiplinat, duke nderuar vendin e tyre me ‘Flamurtarin’ e Vlorës.
Kam kënaqësinë të nderojmë edhe zotin Miltiadh Gurma, pjesë e Qarkut të Vlorës, i cili dikur krahasohej me lojtarin e madh gjerman Franz Beckenbauer për mënyrën sesi luante në fushë.
Miltiadh Gurma, ka qenë një sportist i nivelit kombëtar dhe ndërkombëtar duke përfaqësuar dhe Kombëtaren e Shqipërisë.
Të shpresojmë, që në të ardhmen të gjithë ne, do të mbështesim më shumë fëmijët dhe të rinjtë në rrugën e bukur të sportit, të sfidave dhe të suksesit.
Jam shpresëplotë, që të gjithë bashkë do t’ia dalim!”