Presidenti Meta dekreton emërimin e katër gjyqtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë

Presidenti Meta dekreton emërimin e katër gjyqtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta në datën 17 mars 2021, ka administruar propozimet e Këshillit të Lartë Gjyqësor, për emërimin e 4 (katër) anëtarëve të rinj në Gjykatën së Lartë, të cilët janë përzgjedhur për t`u emëruar në këtë Gjykatë, përmes procedurave të ngritjes në detyrë, nga radhët e gjyqësorit.

Presidenti Meta, pasi shqyrtoi vendimmarrjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe propozimet e përcjella nga ky organ, së bashku me praktikën dokumentare të ngritjes në detyrë për në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve, për katër pozicionet e lira në fushën e të drejtës penale, të shpallura për konkurrim në datë 09.07.2020, në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 136 të Kushtetutës, nenit 48, pika 11, të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, përfundimisht ka pranuar propozimet e KLGJ-së, duke vendosur që:

• Zoti Sokol Binaj të emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë;
• Zonja Albana Boksi të emërohet gjyqtare e Gjykatës së Lartë;
• Zoti Sandër Simoni të emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë;
• Zoti Klodian Kurushi të emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë.

Së bashku me këto 4 (katër) emërime të reja, Gjykata e Lartë, nga sot bëhet me 7 (shtatë) anëtarë, nga 19 anëtarë, që duhet të ketë, sipas vendimmarrjes së KLGJ-së.

Ka kaluar plot 1 (një vit) nga momenti i propozimit nga KLGJ, të emërimit të 3 anëtarëve të parë në Gjykatën e Lartë. Nëse KLGJ do të ndjekë këtë ritëm, atëherë Gjykata e Lartë do të plotësohet me të gjithë trupën gjyqësore në mars të vitit 2024!

Kjo gjendje është e papranueshme për Presidentin e Republikës dhe duhet t’i shqetësojë të gjithë.

KLGJ duhet të angazhohet me seriozitet, për të vijuar me ritme më të shpejta procedurat për emërimet e tjera në Gjykatën e Lartë, duke vepruar me pavarësi, integritet dhe transparencë, për plotësimin sa më shpejt të Gjykatës së Lartë me të gjithë trupën e nevojshme gjyqësore dhe për t’i ofruar njëkohësisht kësaj Gjykate të gjithë mbështetjen e nevojshme.

Gjykata e Lartë përballet me një sfidë shumë të madhe, për të përmbushur detyrimin për të shqyrtuar një numër të lartë çështjesh të mbartura. (rreth 35 mijë çështje gjyqësore që presin shqyrtimin).

Presidenti i Republikës vlerëson të risjellë edhe njëherë në vëmendje të anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të gjithë institucioneve të tjera të përfshira në këtë proces, se bërja sa më shpejt dhe plotësisht funksionale e Gjykatës së Lartë është me rëndësi jetike për vendin dhe lidhet direkt me integrimin europian dhe stabilitetin e Shqipërisë dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Plotësimi me të gjithë trupën e nevojshme gjyqësore të Gjykatës së Lartë duhet të jetë prioriteti kryesor i Këshillit të Lartë Gjyqësor, pasi lidhet drejtpërdrejt jo vetëm me mirëfunksionimin e sistemit gjyqësor, respektimin e të drejtave e lirive themelore të njeriut dhe ruajtjen e stabilitetit ekonomiko-financiar të shtetit Shqiptar, por nga ana tjetër përbën një çështje jetike për të ardhmen europiane të Shqipërisë.