8 Shtator 2021 Presidenti Meta dekreton emërimin e Rektorit të Akademisë së Studimeve Albanologjike, Prof. Dr. Luan Përzhita
Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Ilir Meta dekretoi emërimin e Prof. Dr. Luan Përzhita, Rektor të Studimeve Albanologjike.
Me anë të një ceremonie solemne, të organizuar sot në Institucionin e Kreut të Shtetit, në prani të Ministres të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, znj. Evis Kushi, të akademikëve dhe personaliteteve të shkencave albanologjike, Presidenti Meta i dorëzoi dekretin e emërimit Prof. Dr. Luan Përzhitës, duke i uruar suksese në detyrën e lartë dhe të rëndësishme.
Presidenti Meta theksoi rëndësinë e zhvillimit të mëtejshëm të shkencës të Albanologjisë, që ka patur një rol thelbësor dhe të jashtëzakonshëm në konsolidimin e kombit shqiptar, si dhe në lindjen dhe formimin e shtetit shqiptar.
Për Kreun e Shtetit, mbështetja më thelbësore dhe me vizion e shkencave albanologjike është jetike për forcimin e rrënjëve dhe identitetit tonë kombëtar.