14 Qershor 2022 Presidenti Meta dekreton emërimin e znj. Margarita Buhali gjyqtare e Gjykatës së Lartë
D E K R E T
PËR
EMËRIMIN E GJYQTARIT TË GJYKATËS SË LARTË
Në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 136 të Kushtetutës, nenit 48, pikat 11 dhe 13, të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, pasi administrova propozimin e arsyetuar të përcjellë me shkresën me nr. 3267/5 prot., datë 10.06.2022 dhe Vendimin nr. 207, datë 09.06.2022, të Këshillit të Lartë Gjyqësor “Për propozimin për emërim në Gjykatën e Lartë, të kandidates znj. Margarita Buhali”, shoqëruar me praktikën dokumentare të ngritjes në detyrë/emërimit në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, procedurë kjo e shpallur për kandidim me vendimin nr. 85, datë 26.02.2020, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, në përfundim të shqyrtimit të këtij propozimi, vendosa të:
D E K R E T O J:
Neni 1
Zonja Margarita Buhali emërohet gjyqtare e Gjykatës së Lartë.
Neni 2
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.
Nr. Dekretit 13697
Tiranë, më 14.06.2022
PRESIDENTI I REPUBLIKËS
ILIR META