Presidenti Meta dekreton kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 99/2018 “Për buxhetin e vitit 2019” – Arsyet e kthimit për rishqyrtim të ligjit

Presidenti Meta dekreton kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 99/2018 “Për buxhetin e vitit 2019” – Arsyet e kthimit për rishqyrtim të ligjit

D E K R E T

PËR

KTHIMIN E LIGJIT NR. 99/2018 “PËR BUXHETIN E VITIT 2019”.

Në mbështetje të neneve 85, pika 1 dhe 93, të Kushtetutës,

D e k r e t o j

Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 99/2018 “Për buxhetin e vitit 2019”.

Nr. Dekretit 10997 Tiranë, më 13.12.2018

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

ILIR META

 

Arsyet e kthimit për rishqyrtim të ligjit nr.99/2018 “Për buxhetin e vitit 2019”

Të nderuar deputetë,

Në seancën plenare të datës 3 dhjetor 2018, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 99/2018 “Për buxhetin e vitit 2019”.

Me shkresën e Kuvendit nr.3879 prot, datë 12.12.2018, ky ligj i është përcjellë Presidentit të Republikës për dekretim dhe shpallje.

Në mbështetje dhe në ushtrim të së drejtës kushtetuese të Presidentit të Republikës të parashikuar nga neni 85 pika 1 e saj, ligji nr.99/2018 “Për buxhetin e vitit 2019” ju nënshtrua shqyrtimit të tij të detajuar.

Në shqyrtimin e këtij ligji, Presidenti i Republikës ka vlerësuar në mënyrë të veçantë edhe situatën e krijuar në vend si pasojë e protestave të studentëve në universitetet e vendin tonë.

Trajtimi optimal i nevojave të shoqërisë dhe ekonomisë, si dhe përmbushja e objektivave socialë të shtetit shqiptar, janë arsye objektive dhe argumenta të qëndrueshëm që Kuvendi i Shqipërisë të rimarrë dhe të ripunojë këtë ligj të rëndësishëm.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, është ligji themeltar i shtetit dhe si i tillë, respektimi i parimeve, të drejtave themelore dhe objektivave socialë të saj janë detyrë primare e organeve publike, por më së pari detyrë e qeverisë dhe e Kuvendit të Shqipërisë.

Në nenin 57 pika 1 të Kushtetutës, parashikohet se “Kushdo ka të drejtën për arsimim”, ndërkohë që, në nenin 59 të saj, kushtetuta parashikon shprehimisht se;

1. Shteti, brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private, synon: a) punësimin në kushte të përshtatshme të të gjithë personave të aftë për punë; b) plotësimin e nevojave të shtetasve për strehim; c) standardin më të lartë shëndetësor, fizik e mendor, të mundshëm; ç) arsimimin dhe kualifikimin sipas aftësive të fëmijëve dhe të të rinjve, si dhe të personave të pazënë me punë; d) një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm; dh) shfrytëzimin racional të pyjeve, ujërave, kullotave dhe burimeve të tjera natyrore mbi bazën e parimit të zhvillimit të qëndrueshëm; e) përkujdesjen dhe ndihmën për të moshuarit, jetimët dhe invalidët; ë) zhvillimin e sportit dhe të veprimtarive ripërtëritëse; f) riaftësimin shëndetësor, edukimin e specializuar dhe integrimin në shoqëri të të paaftëve, si dhe përmirësimin në vazhdimësi të kushteve të tyre të jetesës; g) mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare, kulturore dhe kujdesin e veçantë për gjuhën shqipe.

Referuar të drejtave themelore dhe objektivave socialë të parashikuar në Kushtetutën e vendit, Presidenti i Republikës vlerëson se Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi i Shqipërisë gjatë hartimit dhe miratimit të buxhetit të shtetit duhet të tregojnë kujdesin e duhur, në mënyrë që fondet publike dhe mënyra e përdorimit të tyre të reflektojnë maksimalisht përmbushjen e kërkesave reale të shoqërisë shqiptare.

Presidenti i Republikës ka ndjekur me vëmendje protestat e studentëve të universiteteve të vendit tonë dhe ka evidentuar se kërkesat e tyre kanë të bëjnë edhe me mbështetjen më të madhe buxhetore për sistemin arsimor, sidomos për institucionet e Arsimit të Lartë.

Presidenti i Republikës duke ndjekur me shumë vëmendje situatën politike më të fundit në vend, si dhe duke vlerësuar konsensusin e gjerë publik mbi kërkesat e studentëve, të cilat janë konsideruar nga të gjithë aktorët politikë si të drejta, legjitime dhe të realizueshme, duke synuar interesin më të mirë në përmbushjen e objektivave sociale të parashikuara në nenin 59 të Kushtetutës, si dhe për garantimin e stabilitetit në vend, në përfundim ka vendosur, “Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr.99/2018 “Për buxhetin e vitit 2019”.

Kthimi për rishqyrtim i këtij ligji është i domosdoshëm. Qeveria dhe Kuvendi duhet të evidentojnë në mënyrë shteruese të gjitha mjetet dhe të bëjnë një vlerësim objektiv të mundësive financiare që shteti disponon për t’i dhënë përgjigje nevojave jetike të studentëve.

Presidenti i Republikës, në shqyrtim të ligjit nr.99/2018, vlerëson se duhet bërë më shumë përpjekje nga qeveria dhe Kuvendi për zgjidhjen e plotë të kërkesave të studentëve për një sistem arsimor cilësor, i cili të garantojë shanse të barabarta për të gjithë studentët pavarësisht mundësive të tyre financiare.

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,

Bazuar në sa më sipër, në bindje të Kushtetutës dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të saj, si President i Republikës, kam vendosur kthimin e ligjit nr.99/2018 “Për buxhetin e vitit 2019”, për rishqyrtim nga Kuvendi i Shqipërisë.

Presidenti i Republikës, ka besimin e plotë se Kuvendi i Shqipërisë do të reflektojë një bashkëpunim gjithëpërfshirës me qëllim plotësimin e kërkesave të studentëve dhe interesit publik.

Me respekt,

Ilir Meta

]]>