Presidenti Meta dekreton refuzimin e emërimit të akademikut Skënder Gjinushi si kryetar i Akademisë së Shkencave.

Presidenti Meta dekreton refuzimin e emërimit të akademikut Skënder Gjinushi si kryetar i Akademisë së Shkencave.

 D E K R E T

 “PËR REFUZIMIN  E EMËRIMIT TË AKADEMIKUT
SKËNDER GJINUSHI  SI KRYETAR I AKADEMISË SË SHKENCAVE”

Në mbështetje të neneve 57 pika 7, 92/g, 93, të Kushtetutës, neneve 3, 6 paragrafi 6, 6/1 germa “c”, 11 të ligjit nr. 9655, datë 11.12.2006 “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, pasi shqyrtova kërkesën dhe praktikën e përcjellë nga Sekretari Shkencor i Akademisë së Shkencave me shkresë nr.89/41 prot., datë 24.05.2019, nëpërmjet të cilës kërkohet dekretimi për emërimin e zotit Skënder Gjinushi si Kryetar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.

Dekretoj;

 Neni 1

 Refuzimin e emërimit të akademikut Skënder Gjinushi si Kryetar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, sipas arsyetimit bashkëlidhur këtij dekreti.

 Neni 2

Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.


Nr. Dekreti 11223
Tiranë, më 11.07.2019

PRESIDENTI I REPUBLIKËS


ILIR META

 

Arsyet

e refuzimit të emërimit të akademikut Skënder Gjinushi si Kryetar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë

 

Presidenti i Republikës shqyrtoi praktikën shkresore të procesit zgjedhor të zhvilluar në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, për zgjedhjen e Kryetarit të Akademisë së Shkencave të përcjellë me shkresë nr.89/41 prot., datë 24.05.2019 të Sekretarit Shkencor të këtij institucioni dhe administruar në Institucionin e Presidentit të Republikës me nr.1567 prot., datë 27.05.2019.

Sekretari Shkencor i Akademisë së Shkencave ka përcjellë vendimmarrjen e organeve drejtuese të Akademisë së Shkencave ku reflektohet procesi zgjedhor i zhvilluar më datë 24.05.2019 dhe i kërkohet Presidentit të Republikës emërimi i akademikut Skënder Gjinushi si Kryetar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, pasi ai rezulton kandidat fitues për këtë pozicion.

Në shqyrtim të kësaj praktike, Presidenti i Republikës realizoi një takim me zotin Skënder Gjinushi për të diskutuar mbi çështjet e ngritura për realizimin e këtij procesi zgjedhor.

Presidenti i Republikës, për realizimin e një shqyrtimi objektiv dhe të paanshëm të procesit në tërësi, administroi dokumentacionin dhe informacionin e nevojshëm, si dhe kreu verifikimet e duhura për t’u njohur me faktet dhe rrethanat që do t’i shërbenin një vendimmarrjeje të drejtë dhe objektive, të mbështetur në ligj dhe në prova.

Presidenti i Republikës kreu një vlerësim gjithëpërfshirës të kuadrit kushtetues, jurisprudencës kushtetuese dhe bazës ligjore që rregullon veprimtarinë e Akademisë së Shkencave.

Në përfundim të këtij procesi vlerësimi, Presidenti i Republikës, vëren:

I. Praktika e ndjekur për zhvillimin e zgjedhjeve për Kryetar të Akademisë së Shkencave dhe paraqitja e kërkesës për emërim nga Presidenti i Republikës

Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë i është drejtuar Presidentit të Republikës me shkresën nr. 89/41 prot., datë 24.05.2019, administruar me nr. 1567 prot., datë 27.05.2019. Me këtë praktikë shkresore i kërkohet Presidentit të Republikës emërimi i akademikut Skënder Gjinushi si Kryetar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, pasi nga procesi zgjedhor i zhvilluar pranë këtij institucioni më 24.05.2019, zoti Skënder Gjinushi rezulton kandidat fitues.

Bashkëlidhur shkresës nr.89/41 prot., datë 24.05.2019 të Sekretarit Shkencor të Akademisë së Shkencave janë përcjellë këto dokumente:

– Vendimi nr.7, datë 24 maj 2019, i Asamblesë së Akademisë së Shkencave “Për zgjedhjen e Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë”;
– Procesverbali 89/38 prot., datë 24.05.2019 i procesit zgjedhor të realizuar;
– Shkresa nr.8564 prot., datë 24.05.2019 e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit;
– Shkresa nr.597/4 prot., datë 13.05.2019 dhe vendimi nr.296, datë 13.05.2019 i Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit”.

Kërkesa e paraqitur, si dhe vendimmarrja e Asamblesë së Akademisë së Shkencave, referohet në mbështetje të nenit 92 germa “g” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe në nenin 11 pika 1, të ligjit nr. 9655, datë 11.12.2006 “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, sipas të cilave Presidenti i Republikës është autoriteti kushtetues, që emëron Kryetarin e Akademisë së Shkencave.

Nga shqyrtimi i dokumentacionit të administruar në Institucionin e Presidentit të Republikës, në praktikën e dërguar është përcjellë dhe Vendimi nr.7, datë 24 maj 2019 i Asamblesë së Akademisë së  Shkencave “Për zgjedhjen e Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë”.

Asambleja e Akademisë së Shkencave, në këtë vendim arsyeton veprimtarinë administrative dhe procedurat zgjedhore që ka ndjekur për këtë proces. Konkretisht relatohet se:

– Me vendimin nr. 4, datë 26 shkurt 2019, Akademia e Shkencave ka miratuar, ndër të tjera, caktimin e datës 24 maj 2019 si ditën e zgjedhjeve të reja për Kryesinë dhe Këshillin Ekzekutiv (për postet që kanë përfunduar mandatin).

– Për këtë proces zgjedhor është hapur thirrja për pjesëmarrje në konkurrim për funksionet vakante në Akademinë e Shkencave, kriteret dhe procedurat e konkurrimit.

– Në përfundim të afatit të paraqitjes së kandidaturave për Kryetar të Akademisë së Shkencave që përkonte me periudhën kohore 10 prill 2019-10 maj 2019, ka paraqitur kërkesën për kandidim vetëm akademiku Skënder Gjinushi, së bashku me dokumentacionin shoqërues përkatës.

– Kërkesa për kandidim e akademikut Skënder Gjinushi është paraqitur me shkresë të protokolluar nr.89/15 prot, datë 10 maj 2019. Arsyetohet se për këtë proces kandidimi, janë paraqitur nga akademiku Skënder Gjinushi edhe shkresa për dorëheqjet nga funksionet partiake (shkresa nr.89/22 prot., datë 15.05.2019), si dhe shkresa nr.192 prot., datë 15.05.2019, “Dorëheqje e parevokueshme nga funksioni si Kryetar i Partisë Socialdemokrate.

– Gjithashtu, në vendimin nr.7, datë 24.05.2019, Asambleja e Akademisë e Shkencave arsyeton se deri në datë 15 maj 2019, është kryer edhe procesi ligjor i verifikimit të pastërtisë së figurës për kandidatin Skënder Gjinushi ku në zbatim të ligjit nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë” dhe ligjit nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, Akademia e Shkencave ka mbajtur korrespondencë me Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, institucione këto që kanë konfirmuar se nuk kanë të dhëna që përbëjnë kushte ndaluese për kandidim.

– Akademia e Shkencave ka vijuar me njoftimin e mbajtjes së mbledhjes zgjedhore të Asamblesë më datë 24.05.2019, ora 10.00.

– Për zhvillimin e procesit zgjedhor është mbajtur procesverbali nr.89/38 prot., datë 24.05.2019 për dokumentimin e procesit të votimit. Ky procesverbal është mbajtur nga komisioni përkatës i ngritur për këtë qëllim. Nga ky dokument rezulton se për postin drejtues të Kryetarit të Akademisë së Shkencave është paraqitur kandidatura e vetme nga akademiku Skënder Gjinushi.

– Nga të dhënat e pasqyruara në procesverbal, në votim kanë marrë pjesë 43 anëtarë të Asamblesë, nga 44 gjithsej. Nga 43 anëtarë që kanë votuar, 32 prej tyre kanë qenë të pranishëm në sallë, ndërsa 11 të tjerë kanë votuar me fletët e votimit në zarfe të mbyllur. Zarfet janë administruar nga komisioni dhe janë hapur në prani të anëtarëve të Asamblesë.Nga të dhënat e pasqyruara në procesverbal, rezulton se nga 43 (dyzetetre) fletëvotimi, 2 (dy) fletëvotimi janë shpallur të pavlefshme dhe 41 (dyzetenjë) fletëvotimi të vlefshme. Nga këto ka rezultuar se për zgjedhjen e akademikut Skënder Gjinushi për Kryetar të Akademisë së Shkencave gjenden 35 (tridhjetepesë) vota që kanë votuar “pro” zgjedhjes, si dhe 6 (gjashtë) vota që kanë votuar “kundër” zgjedhjes së tij në këtë pozicion.

Për gjithë procedurën e ndjekur, Asambleja e Akademisë së Shkencave në përfundim është shprehur me Vendimin nr.7, datë 24.05.2019  ku ka vendosur:

  1. Akademiku Skënder Gjinushi zgjidhet në detyrën e Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë për një mandat 4-vjeçar.
  2. Referuar Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neni 92, germa “g”, praktika zyrtare e kandidimit dhe e zgjedhjes të Kryetarit nga Asambleja e Akademisë së Shkencave i dërgohet Institucionit të Presidentit të Republikës për emërim.

II. Veprimtaria verifikuese e kryer nga Presidenti i Republikës

Me qëllim zhvillimin e një procesi në transparencë të plotë, të drejtë, objektiv dhe të paanshëm, Presidenti i Republikës realizoi një takim me zotin Skënder Gjinushi, në cilësinë e Kryetarit të zgjedhur të Akademisë së Shkencave, me të cilin ka bashkëbiseduar për të gjitha çështjet që lidhen me zgjedhjen e tij në këtë pozicion, si dhe me shqetësimet e debatit publik që ka përshirë opinionin për shkak të zhvillimit të zgjedhjeve për organet drejtuese të Akademisë së Shkencave.

Pjesë e diskutimit ka qenë edhe shqetësimi i ngritur mbi mbajtjen e dy pozicioneve njëherazi si atij të anëtarit të rregullt të Akademisë së Shkencave, ashtu dhe të postit drejtues politik të Kryetarit të Partisë Socialdemokrate të Shqipërisë. Në këtë takim zoti Skënder Gjinushi e njohu Presidentin e Republikës me faktin se me aktin nr.1998, prot., datë 15.05.2019, drejtuar Këshillit Drejtues Kombëtar të Partisë Socialdemokrate e Shqipërisë, ai ka paraqitur dorëheqjen e parevokueshme nga posti i Kryetarit të saj, për shkak të kandidimit në datën 24.05.2019 për funksionin e Kryetarit të Akademisë së Shkencave.

Për të verifikuar qartësisht funksionin e mbajtur nga zoti Skënder Gjinushi në subjektin politik Partia Socialdemokrate dhe pozitës së trajtimit sipas ligjit për ushtrimin e statusit që mbante si anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe kandidat për Kryetar të saj, Institucioni i Presidentit të Republikës me shkresën nr. 1567/1 prot., datë 05.06.2019, “Kërkesë për vënie në dispozicion informacioni”, i ka kërkuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë informacionin, për sa më poshtë:

  1. A figuron e regjistruar pranë Regjistrave të Partive Politike, Partia Socialdemokrate e Shqipërisë?
  2. Nëse po, referuar të dhënave që ju administroni, çfarë inicialesh ka kjo parti politike dhe cili është Kryetari aktual i saj?
  3. Sipas dokumentacionit që ju administroni dhe të dhënave të Regjistrit të Partive Politike, na informoni nëpërmjet përshkrimit kronologjik rreth faktit se sipas të dhënave të regjistrit, cili shtetas ka mbajtur funksionin e Kryetarit të Partisë Socialdemokrate e Shqipërisë, që nga çasti i regjistrimit të saj sipas ligjit, deri në ditën e sotme?
  4. Në datën 24.05.2019, cili shtetas figuron i regjistruar në Regjistrin e Partive si Kryetar i Partisë Socialdemokrate të Shqipërisë?
  5. Pas datës 24.05.2019, a është paraqitur pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ndonjë kërkesë nga zoti Skënder Gjinushi, apo nga organet drejtuese/ekzekutive të kësaj partie, për të zyrtarizuar sipas ligjit ndryshimin e Kryetarit të Partisë Socialdemokrate të Shqipërisë? Nëse po, kur është administruar një kërkesë e tillë dhe cila është gjendja procedurale e shqyrtimit të kësaj kërkese nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë?

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, nëpërmjet shkresës nr.4721/1 prot., datë 13.06.2019, administruar në Institucionin e Presidentit të Republikë me nr.1567/2 prot., datë 14.06.2019, ka informuar Presidentin e Republikës se nga verifikimet e kryera në Zyrën e Regjistrit të Partive Politike rezulton:

“Me urdhrin nr.30/1, datë 22.04.1991 të Ministrit të Drejtësisë është miratuar krijimi i partisë politike “Partia Social Demokrate e Shqipërisë” me iniciale PSDSH. Kryetar zoti Skënder Gjinushi.

Pranë kësaj gjykate është gjykuar kërkesa civile me nr. 643 Akti, datë depozitimi 03.06.2019, me kërkues Këshilli Drejtues Kombëtar të Partisë Social Demokrate (Gëzim Musabelliu) dhe me objekt, depozitim i dorëheqjes së Kryetarit të Partisë Socialdemokrate dhe ndryshimi emrit të Kryetarit të Partisë Socialdemokrate me emrin e kryetarit të kooptuar zotit Engjëll Bejtaj.

Çështja gjyqësore është gjykuar dhe gjyqtari Neritan Cena, i cili ka marrë vendimin nr.12, datë 06.06.2019 dhe Gjykata ka vendosur:

 “Pranimin e kërkesës.

Depozitimi i Vendimit nr. 2003 prot., datë 31.05.2019, të Këshillit Drejtues Kombëtar të Partisë Socialdemokrate, me anë të të cilit rezulton të jetë vendosur:

“Pas dorëheqjes së parevokueshme të datës 15.05.2019, të zotit Skënder Gjinushi nga funksioni i Kryetarit të kësaj partie, bazuar në nenin 121 të Statutit të Partisë Socialdemokrate kooptimin në detyrën e Kryetarit të Partisë Socialdemokrate zotit Engjëll Bejtaj deri në zhvillimin e Kongresit, në muajin tetor 2019)…”.

Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, në shkresën e saj nr.4721/1 prot., datë 13.06.2019, citon ndër të tjera se ky vendim nuk ka marrë formë të prerë.

Nga gjithë informacioni i administruar në Institucionin e Presidentit të Republikës dhe, së fundmi, i përcjellë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, rezulton e provuar se:

– Zoti Skënder Gjinushi rezulton ligjërisht të ketë mbajtur funksionin si Kryetar i Partisë Socialdemokrate në mënyrë të pandërprerë që prej themelimit të saj më 22 prill 1991, deri më 06.06.2019 kur Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur ndryshimin e emrit të Kryetarit të kësaj force politike (PSD), për shkak të dorëheqjes së tij nga posti i Kryetarit. Ky vendim ende në datë 13 qershor 2019 nuk ka marrë formë të prerë. Pra, deri në datën 06.06.2019 zoti Skënder Gjinushi vazhdon të konsiderohet ligjërisht si Kryetar i kësaj force politike.

– Sipas këtij informacioni më 24 maj 2019, ditë e realizimit të procesit zgjedhor për Kryetar të Akademisë së Shkencave, zoti Skënder Gjinushi ligjërisht figuron në postin drejtues të Kryetarit të Partisë Social Demokrate.

– Këtë cilësi, si Kryetar i PSD-së, zoti Skënder Gjinushi, e ka mbajtur edhe në çastin kur ka paraqitur kërkesën nr.89/15 prot., datë 10.05.2019 ku ka shprehur interesimin për të kandiduar për Kryetar të Akademisë së Shkencave. Për më tepër, në çastin e shprehjes së interesit për kandidim në datën 10 maj 2019, zoti Skënder Gjinushi, nuk kishte dhënë as dorëheqjen nga funksioni i Kryetarit të PSD-së, akt ky (dorëheqja) që është formalizuar 5 ditë më vonë, në datën 15.05.2019.

– Rezulton se zoti Skënder Gjinushi ka mbajtur për një periudhe të gjatë paralelisht dy funksione, njëri politik si Kryetar i PSD, dhe tjetri si anëtar i rregullt i një institucioni shkencor. Kjo gjendje ka bashkekzistuar për një kohë të gjatë dhe ka vijuar në mënyrë të njëjtë në çastin e shprehjes së interesimit për kandidim për Kryetar të Akademisë së Shkencave më 10 maj 2019, por dhe në çastin e zhvillimit të zgjedhjeve dhe shpalljes fitues më 24 maj 2019.

III. Vlerësimi i Presidentit të Republikës.

Duke shqyrtuar të gjithë praktikën e administruar gjatë këtij procesi, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, në vlerësim tërësor të situatës së krijuar për zgjedhjen e Kryetarit të Akademisë së Shkencave, Presidenti i Republikës çmon sa më poshtë vijon:

Procesi i zgjedhjeve, i zhvilluar në datën 24.05.2019 në Akademinë e Shkencave për pozicionin e Kryetarit të këtij institucioni është realizuar sërish duke iu referuar ligjit në fuqi nr.9655, datë 11.12.2006 “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar. Në këtë ligj përcaktohet mënyra e organizimit, vendimmarrjes, zgjedhjes dhe funksionimit të organeve drejtuese të Akademisë së Shkencave.

Midis të tjerave ky ligj përcakton procedurat e zgjedhjes së organeve drejtuese të Akademisë së Shkencave, si dhe kushtet ligjore që duhet të plotësojnë kandidatët konkurrent në këto procese zgjedhore.

Në nenin 11 pika 1, të ligjit nr.9655/2006, parashikohet shprehimisht:

“1. Kryetari i Akademisë përzgjidhet drejtpërdrejt me votim të fshehtë nga Asambleja, nga radhët e anëtarëve të rregullt ose të përhershëm. Kryetar zgjidhet kandidati, i cili merr më shumë se gjysmën e votave të të githë anëtarëve të Asamblesë. Kryetari i zgjedhur nga Asambleja emërohet nga Presidenti i Republikës.”

Sipas dispozitës së mësipërme, zgjedhja e zotit Skënder Gjinushi si Kryetar i Akademisë së Shkencave, formalisht duket se i është përmbajtur plotësimit të parashikimeve të këtij neni, pasi ai është një nga anëtarët e rregullt të Akademisë së Shkencave dhe, për zgjedhjen e tij si Kryetar, kanë votuar më shumë se gjysma e të gjithë anëtarëve të këtij institucioni.

Ndërkohë, ligji nr.9655/2006 “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar, në dispozita të tjera të tij, parashikon përbërjen dhe kushtet ligjore që duhet të plotësojë individi që legjitimojnë qenien e tij si anëtar i rregullt apo i përhershëm në Akademinë e Shkencave.

Konkretisht në nenin 5, pika 1 të ligjit nr. 9655/2006, parashikohet shprehimisht:

“1.  Akademia ka në përbërje anëtarë të rregullt, anëtarë të përhershëm, anëtarë të asociuar dhe anëtarë nderi.” 

Konkretisht në nenin 6, paragrafët 1, 2  dhe 6 të ligjit nr. 9655/2006, parashikohet shprehimisht:

“Anëtarët e rregullt të Akademisë zgjidhen nga radhët e shkencëtarëve të shquar me titull “Profesor”, që kanë ose kanë pasur shtetësi shqiptare, të cilët, nëpërmjet punimeve origjinale, veprave përgjithësuese, me një nivel të lartë shkencor, kanë zgjidhur, teorikisht dhe praktikisht, probleme të një rëndësie të veçantë në fushën e shkencës, të ekonomisë, artit dhe kulturës, si dhe kanë dhënë ndihmesë në formimin universitar e pasuniversitar të shkencëtarëve të rinj.  Anëtarë të rregullt të Akademisë  zgjidhen edhe nga radhët e shkencëtarëve të shquar shqiptarë, që nuk e kanë fituar titullin “Profesor” në Shqipëri, por kanë gradën shkencore “PhD” ose “Doktor”, që punojnë aktualisht pranë universiteteve dhe qendrave kërkimore jashtë vendit dhe kanë kontribute akademike, që tejkalojnë parashikimet e akteve ligjore e nënligjore në fuqi për kërkimin e titullit “Profesor.”

Në raste të veçanta, anëtarë të rregullt të Akademisë mund të zgjidhen edhe personalitete me merita të shquara në fusha të ndryshme të krijimtarisë. 

Personat që kanë funksione të larta administrative dhe politike, nuk mund të kandidojnë për t’u zgjedhur anëtarë të rregullt dhe të asociuar të Akademisë gjatë ushtrimit të këtyre funksioneve.” 

Për më tepër, në nenin 6/1, pika 1, germa “c” të po këtij ligji parashikohet:

“1.  Statusi i anëtarit të rregullt, atij të asociuar, dhe i çdo funksioni tjetër drejtues të lidhur me këto funksione në zbatim të neneve 9 dhe 10 të këtij ligji, përfundon kur anëtari: 

c) zgjidhet apo emërohet në funksione drejtuese në parti politike apo organe kushtetuese; 

Në vlerësim të të gjithë dispozitave të sipërcituara të ligjit nr. 9655/2006 “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, që në thelb garantojnë zbatimin e parimit kushtetues të autonomisë dhe lirisë akademike të parashikuar nga neni 57, pika 7 e Kushtetutës, parim ky i elaboruar nga Gjykata Kushtetuese në Vendimin nr.36, datë 15.10.2007, është e qartë se:

Statusi i anëtarit të rregullt të Akademisë së Shkencave nuk mund të ushtrohet paralelisht me kryerjen e funksioneve drejtuese të larta në parti politike.

Në këtë mënyrë, ka qenë në përgjegjësinë e organeve drejtuese të Akademisë së Shkencave që, në përmbushje të kërkesave të Kushtetutës që në çastin e miratimit të ligjit nr.9566/2006 apo të ndryshimeve të këtij që përcaktonin këto ndalime ligjore, duhet t’i kishin kryer menjëherë dhe shumë kohë përpara të gjitha praktikat e nevojshme administrative me qëllim që në zbatim të ligjit, të bënin të mundur shmangien e gjendjes së papajtueshmërisë së ushtrimit të statusit të anëtarit të rregullt të Akademisë së Shkencave me funksionet drejtuese në parti politike.

Papajtueshmëria ligjore në ushtrimin e statusit si anëtar i rregull i Akademisë së Shkencave, e bën tërësisht procesin zgjedhor të pavlefshëm. Kjo, sepse çdo anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave që ka papajtushmëri të statusit si anëtar i rregullt i saj me funksione drejtuese në parti politike, rrjedhimisht është në kushtet e ndalimit ligjor për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur në funksionet drejtuese të Akademisë së Shkencave ku përfshihet dhe funksioni i Kryetarit.

Në rastin konkret, kjo kërkesë e ligjit nr. 9655/2006 “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar, rezulton të jetë një fakt i pranuar edhe nga kandidati Skënder Gjinushi, pasi pikërisht dorëheqja e tij nga funksioni si Kryetar i Partisë Socialdemokrate, është bërë në datën 15 maj 2019 për shkakun se ai po konkurronte për një funksion drejtues të Akademisë së Shkencave, siç është Kryetari i Akademisë së Shkencave.

Kjo dorëheqje nuk e justifikon faktin që shprehja e interesit për kandidim e paraqitur në cilësinë e anëtarit të rregullt të akademisë më 10.05.2019, rezulton të jetë ushtruar në kushte të papajtueshmërisë dhe ndalimit ligjor.

Për më tepër, dorëheqja nga funksioni i Kryetarit të Partisë Socialdemokrate e paraqitur nga zoti Skënder Gjinushi më 15.05.2019, nuk është formalizuar me një vendimmarrje ligjore përpara kohës së zhvillimit të zgjedhjeve për Kryetar të Akademisë së Shkencave në datën 24.05.2019.

Rezulton se as organet drejtuese të Partisë Socialdemokrate (Këshilli Drejtues Kombëtar) dhe as Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë nuk kanë marrë një vendim as përpara datës 10.05.2019 apo 24.05.2019 për të pranuar dorëheqjen nga ushtrimi i funksionit të Kryetarit të Partisë Socialdemokrate.

Rezulton se Këshilli Drejtues Kombëtar i PSD-së, ka shqyrtuar dhe ka marrë vend për pranimin e kërkesës për dorëheqje të Kryetarit në datën 31.05.2019, ndërkohë që Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka pranuar këtë kërkesë dhe vendimmarrjen e organeve drejtuese të PSD-së vetëm në datën 06.06.2019.

Në këtë mënyrë rezulton që në datën 10.05.2019, kur është bërë shprehja e interesit për kandidim dhe në datën 24 maj 2019, ditë kur janë zhvilluar zgjedhjet për Kryetar në Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë, zoti Skënder Gjinushi, ligjërisht figuron Kryetar i Partisë Socialdemokrate.

Kjo pozitë juridike krijon papajtueshmëri të ushtrimit të statusit si anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave, çka përbën shkak ligjor ndalues për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur Kryetar i Akademisë së Shkencave.

Në këto kushte, referuar nenit 57, pika 7 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe parashikimet e neneve 3, 6 paragrafi 6,  nenit 6/1, pika 1 germa “c”, 11 të ligjit nr.9655, datë 11.12.2006 “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, rezulton se procesi zgjedhor i zhvilluar në datën 24.05.2019 në Akademinë e Shkencave, për zgjedhjen e Kryetarit të Akademisë së Shkencave, paraqet problematikë të theksuar ligjore.

Kjo gjendje paligjshmërie e bën të pamundur që Presidenti i Republikës të ushtrojë kompetencën e tij të parashikuar në nenin 92/g të Kushtetutës, për të emëruar Kryetarin e Akademisë së Shkencave.

Presidenti i Republikës nuk mundet të dekretojë emërimin e Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë në kushtet kur procesi zgjedhor, i realizuar për këtë funksion, është kryer në shkelje të përcaktimeve të ligjit nr.9655/2006.

Kushtetuta i ka dhënë një rol të veçantë Presidentit të Republikës që nuk mund të jetë kurrsesi formal për t’u shprehur bazuar vetëm mbi një kërkesë zyrtare të paraqitur.

Në cilësinë e Kreut të Shtetit, Presidenti i Republikës, si një institucion asnjanës dhe mbi palët, ka për detyrë që të verifikojë nëse mekanizmat ligjorë dhe kushtetues kanë funksionuar siç duhet, në mënyrë që të mos cenohen parimet kushtetuese dhe të mos shkelen parashikimet e ligjit specifik.

Ushtrimi i kompetencës kushtetuese të Presidentit të Republikës, për emërimin e Kryetarit të Akademisë së Shkencave, parashikuar në nenin 92/g të Kushtetutës, kërkon domosodshmërisht shprehjen e vullnetit nga Presidenti i Republikës, vullnet ky i cili formohet vetëm pas verifikimit dhe vlerësimit jo vetëm të procedurës së ndjekur nga organet respektive që kanë realizuar procesin zgjedhor, por dhe verifikimin e vlerësimin e çështjes për të vënë në dukje faktin nëse i gjithë ky proces është i mbështetur ose jo në ligj dhe në prova.

Kushtetutëbërësi i ka dhënë Presidentit të Republikës kompetenca për emërimin e Kryetarit të Akademisë së Shkencave, pikërisht për të garantuar zbatimin e paanshëm të parimit kushtetues të ndarjes e balancimit të pushteteve, me qëllim shmangien e çdo lloj ndikimi politik në këtë institucion, në mënyrë që të garantohet jo vetëm autonomia dhe liria akademike, por dhe respektimi i ligjit sipas frymës së Kushtetutës.

Për sa u parashtrua më sipër, referuar mënyrës sesi janë zhvilluar zgjedhjet për Kryetar të Akademisë së Shkencave në datën 24.05.2019, si dhe duke vlerësuar në tërësi rrethanat, provat dhe bazën ligjore që rregullon mënyrën e organizimit të Akademisë së Shkencave, Presidenti i Republikës, mbështetur në nenin 57 pika 7,  92/g,  93, të Kushtetutës, nenit 3, nenit 6 paragrafi 6, nenit 6/1 germa “c”, nenit 11 të ligjit nr. 9655, datë 11.12.2006 “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, ka arritur në konkluzionin:

– Procesi i kandidimit dhe ai zgjedhor i zhvilluar dhe i përfunduar në datën 24.05.2019 për zgjedhjen e Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, paraqet shkelje të parashikimeve të ligjit nr.9655, datë 11.12.2006 “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

Për këtë arsye të vetme ligjore, Presidenti i Republikës ka vendosur refuzimin e emërimit të akademikut Skënder Gjinushi si Kryetar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, përcjellë nga Sekretari Shkencor i Akademisë së Shkencave me shkresë nr.89/41 prot, datë 24.05.2019.

Sinqerisht,

Ilir Meta