Presidenti Meta: Dhurimi i gjakut, akt humanizmi që na ndihmon të shpëtojmë jetë njerëzish

Presidenti Meta: Dhurimi i gjakut, akt humanizmi që na ndihmon të shpëtojmë jetë njerëzish

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta mori pjesë në seancën e dhurimit të gjakut, që u zhvillua në Pallatin e Kulturës në Tiranë, nga “Aleanca për Dhurimin e Gjakut” dhe Organizata Shqiptare e Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut.

Duke shprehur mirënjohjen për vullnetarizmin dhe kontributin e dhënë, Presidenti Meta theksoi se:

“Kjo seancë dhurimi vjen vetëm pak ditë pas asaj të 18 korrikut, të organizuar në kuadër të 1-vjetorit të Aleancës. Dëshiroj të falënderoj Doktor Natale Capodicasa, i cili me Organizatën Shqiptare të Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut të themeluar prej tij, jep një kontribut të vazhdueshëm për kauzën e dhurimit vullnetar të gjakut, duke mbetur një anëtar aktiv i Aleancës së Dhurimit të Gjakut”.

Duke vlerësuar të gjithë qytetarët dhe institucionet që i janë përgjigjur thirrjes për të dhuruar gjak e për të shpëtuar jetë njerëzish, Presidenti Meta nënvizoi se këto seanca dhurimi marrin një vlerë akoma më të madhe për faktin se jemi në muajt e verës, ku numri i dhuruesve ulet.

“Fëmijët talasemikë kanë nevojë të marrin gjak edhe në këto ditë të nxehta kur qytetarët janë me pushime. Ashtu siç kanë nevojë për gjak edhe të sëmurët që kryejnë ndërhyrje kirurgjikale, apo të aksidentuarit në aksidentet rrugore, që fatkeqësisht janë të shumtë gjatë stinës së verës. Prandaj, këto seanca dhurimi bëhen vendimtare për shpëtimin e jetës së njerëzve.” – tha Presidenti i Republikës.

Duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve që, edhe nëse ndodhen me pushime, të bëhen pjesë e aktiviteteve që organizohen në qytete të ndryshme të vendit për dhurimin e gjakut, Presidenti i Republikës apeloi: “Kjo kauzë ka nevojë për mbështetje sa më të madhe. Dhurimi i gjakut është një akt dashurie dhe humanizmi që na fisnikëron dhe njëkohësisht, na ndihmon të shpëtojmë jetë njerëzish.”