Presidenti Meta dhuron gjak për fëmijët talasemikë, në kuadër të nismës së “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”: Dhurimi i gjakut është humanizëm, solidaritet dhe përgjegjshmëri

Presidenti Meta dhuron gjak për fëmijët talasemikë, në kuadër të nismës së “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”: Dhurimi i gjakut është humanizëm, solidaritet dhe përgjegjshmëri

Në kuadër të nismës së ndërmarrë prej Tij, “Aleanca për Dhurimin e Gjakut”, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta së bashku me anëtarë të Kabinetit dhe punonjës të Institucionit, dhuruan sot gjak në Qendrën Kombëtare të Tranfuzionit të Gjakut.

Me këtë rast, Presidentit Meta u shpreh: “Ishte kënaqësi, por edhe përgjegjësi e imja për të ardhur gjak pas apelit të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, pasi vetë situata është e tillë që kërkon një sensibilitet, humanizëm, solidaritet dhe përgjegjshmëri më të madhe, sidomos në ndihmë të fëmijëve, të të gjithë atyre që e kanë të domosdoshme dhurimin e gjakut për shkak të problemit të talasemisë.

Të mos biem pre e panikut, aq më tepër që ky është një proces mjaft i garantuar dhe tërësisht i shëndetshëm. Duhet ta vijojmë këtë aksion, sidomos për sa u takon të gjithë vullnetarëve të dhurimit të gjakut, të cilët janë të qëndrueshëm, aq më tepër në këto ditë kur nevoja është më e lartë dhe besoj se edhe solidariteti duhet të jetë më i fortë.

Dëshiroj të falënderoj edhe personelin mjekësor për punën që po bën, si dhe të gjithë ata që i janë përgjigjur këto ditë këtij mesazhi dhe që jam i sigurt se do të vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme të kontribuojnë vullnetarisht me dhurimin e gjakut.”

Pyetje: Zoti President, përse nuk keni përdorur maska në këtë situatë gatishmërie?

Presidenti Meta: Të jeni të sigurtë se nuk kam kontaktuar askënd. Kam bërë gjithçka për të ruajtur distancat e domosdoshme. Ju kam tërhequr edhe ju vëmendjen që të mos rrini kaq pranë njëri-tjetrit, dhe ju përgëzoj që përdorni maskat!

Pyetje: Zoti President, si i konsideroni masat që ka ndërmarrë deri tani qeveria shqiptare për parandalimin e përhapjes së rrezikut të “Coronavirus-it”? Ju keni ngritur vetë një “Task Force”. A mendoni se ka nevojë për masa të tjera shtesë?

Presidenti Meta: “Task Force” në Presidencë nuk zëvendëson apo dublon “Task Force”-n e qeverisë. Këto janë dy gjëra të ndryshme. Kjo është në funksion të Presidentit për shkak të atyre detyrave që ka Kreu i Shtetit për arsye të një situate, që kërkon monitorim të vazhdueshëm.

Duhet të përqendrohemi që të gjithë te mesazhet e autoriteteve të shëndetit publik, te udhëzimet që jepen nga autoritetet shtetërore dhe qeveritare.

Të gjithë ta kenë parasysh t’i referohen numrin 127, por ndoshta duhet parë mundësia edhe për ndonjë numër tjetër për të përballuar fluksin, kërkesat apo sqarimet, që kanë qytetarët.

Të gjithë po bëjnë përpjekjet më të mira dhe vetëm të gjithë së bashku do ta kalojmë këtë situatë me sa më shumë kujdes, por e theksoj, edhe pa panik.
Në këtë drejtim sot mesazhi im shkon për të gjithë dhuruesit e qëndrueshëm, për vullnetarët e dhurimit të gjakut, të cilët kanë bërë një punë të shkëlqyer në vazhdimësi.

Kjo Qendër Kombëtare ka nevojë edhe më shumë për ju, në mënyrë që t’u shërbejë të gjithë fëmijëve, të gjithë qytetarëve, të cilët kanë nevojë dhe të domosdoshme marrjen e gjakut.