Presidenti Meta intervistë për ADNKronos: Ndihmë dhe solidaritet me Italinë, pandemia rrezik i përbashkët

Presidenti Meta intervistë për ADNKronos: Ndihmë dhe solidaritet me Italinë, pandemia rrezik i përbashkët

Bruksel

Bashkimi Europian po përjeton një periudhë të shënjuar nga “vështirësi të mëdha”, por në të kaluarën ka përjetuar periudha “shumë më të vështira” sesa kjo aktuale me pandeminë Covid-19, përfshirë dy Luftëra Botërore”. Këtë nënvizoi Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, gjatë një interviste për ADNKronos.

Vendi i Shqiponjave së fundmi ka marrë OK-in për fillimin e negociatave të anëtarit në BE, nga Këshilli Europian, së bashku me Maqedoninë Veriore.

Tani BE-ja, përballë pandemisë, po përballet me tensione shumë të forta: “Unë e kuptoj keqardhjen – nënvizon Meta – dhe ndryshimet që po ndodhin në këtë periudhë të vështirësive të mëdha”.

“Por, më lejoni t’ju them – vazhdon ai – se Europa ka kaluar periudha shumë më të vështira, përfshirë dy Luftëra Botërore në shekullin e kaluar. Është e domosdoshme që në projektin europian të kishte hapësirë, si për të mirat që sjell integrimi dhe tregu i përbashkët, por gjithashtu do të ishte e nevojshme të ruhen traditat dhe kultura, të gjitha në emër të lirisë dhe demokracisë”, – shprehet Meta.

PANDEMIA

“Pandemia e shkaktuar nga coronavirusi është një rrezik i përbashkët që kërcënon vendet dhe qytetarët tanë”. Kjo u nënvizua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, në një intervistë për ADNKronos, pasi vendi i tij dërgoi 30 mjekë dhe infermierë në Itali, për të ndihmuar në përballimin e pasojave të infeksionit.

“Fatkeqësisht Italia – vazhdon Meta – po paguan një çmim shumë të lartë”. Prandaj, për Shqipërinë “të qenit në ndihmë të popullit italian sot nuk është vetëm një gjest ndihme dhe solidariteti, por edhe një mundësi për të shkëmbyer përvojë për mjekët tanë të rinj dhe stafin shëndetësore, për të ndihmuar zonat më të prekura”.

“Historia e ndihmës reciproke ndërmjet popujve tanë – vazhdon Meta – daton shekuj më parë, kur shqiptarët u bënë diga që ndaloi pushtimin otoman, së pari të Italisë dhe më pas të Europës, periudhë që zgjati për shumë vite e shumë shekuj. Këtë lidhje të fortë e dëshmojnë gjithashtu Komuniteti i vjetër arbëresh në Itali që jetojnë në Siçili, Kalabri, Basilicata, Puglia, Campania, Molise, Lazio dhe Abruzzo”. Por, gjithashtu edhe komuniteti i ri i shqiptarëve që mbërriti në Itali pas vitit 1990, një pjesë sot qytetarë italianë, dhe rezidentë pikërisht në zonat më të prekura nga pandemia.

“Si mund ta harrojmë, – shton Meta – Italinë dhe ndihmën e saj në të gjitha krizat shqiptare nga viti 1991 deri në 1997, gjatë luftës së Kosovës së vitit 1999 dhe tërmeti i fundit i 2019. Ne jemi dy vende fqinje dhe dy popuj fqinj. Unë e them shpesh, gjithçka mund të ndryshojë, por gjeografia nuk mundet”.

Për Metën, vendet tona janë në të njëjtën varkë: “Një sukses për Italinë kundër coronavirusit do të ishte gjithashtu një avantazh i madh për Shqipërinë në luftën e saj kundër virusit”. Gjithashtu Presidenti i Republikës shqiptare shpreh “ngushëllimet e tij për të gjithë familjarët e viktimave të Covid-19 dhe autoritetet italiane”.

INTEGRIMI

“Shqipëria ka nisur para një kohe të gjatë procesin e integrimit europian. Unë jam optimist se do të jemi në gjendje të vazhdojmë në rrugën që kemi nisur, pavarësisht të gjitha vështirësive që kemi hasur”, – shprehet për ADNKronos Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Së fundmi Këshilli Europian i ka hapur rrugën fillimit të negociatave për pranimin e Shqipërisë në BE, së bashku me Maqedoninë e Veriut. “Kur them integrimin europian – shton Presidenti – konsideroj bashkëpunimin e ngushtë, para së gjithash me vendeve fqinje, dhe për rrjedhojë edhe me komunitetin e vjetër dhe të ri shqiptar në Itali, që nuk është një mur, por një urë shumë e fortë për integrimin”, – përfundon Meta.