16 Qershor 2022 Presidenti Meta merr pjesë dhe përshëndet Forumin IX Global të Bakusë “Rezistenca globale, bashkëpunimi global”
Baku, Azerbajxhan
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta mori pjesë në Forumin IX Global të organizuar nga Qendra Ndërkombëtare “Nizami Ganjavi” në Baku të Azerbajxhanit.
Duke iu drejtuar pjesëmarrësve të nderuar, mes të cilëve Ilham Aliyev, Presidenti i Republikës së Azerbajxhanit; Shefik Xhaferoviç, Kryetari i Presidencës së Bosnje-Hercegovinës; Salome Zourabichvili, Presidenti i Gjorgjisë, Kiril Petkov, Kryeministri i Bullgarisë, Eglis Levits, Presidenti i Letonisë, Drejtuesja e “Amnisty International” Kerry Kennedy, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, i Nderuari Gordon Brown, i Dërguari i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Arsimin si dhe Ambasadori për Financimin e Shëndetit Botëror dhe shumë personaliteteve të tjera, Presidenti Meta u shpreh:
“Të nderuar pjesëmarrës,
Është gjithmonë kënaqësi të marrësh pjesë në Forumin Global të Bakusë dhe të jesh pjesë e kësaj platforme të veçantë personalitetesh të shquara nga të gjithë sektorët e qeverisjes, jetës politike dhe shoqërore, të organizuar nga Qendra Ndërkombëtare ‘Nizami Ganjavi’.
Të dashur miq,
Ne po përjetojmë ndryshime të jashtëzakonshme dhe bota sot përballet me dy sfida kryesore të rëndësishme dhe aktuale:
1) Pushtimin e paprovokuar dhe të pajustifikuar të Ukrainës nga Rusia;
2) si dhe hapat që duhen ndërmarrë në një epokë pas pandemisë COVID-19.
Lufta në Ukrainë ndikoi në të gjithë botën për sa i përket stabilitetit, duke ndryshuar në veçanti mjedisin e sigurisë europiane dhe atë të NATO-s.
Ky konflikt iu kujtoi të gjithëve se liria dhe sovraniteti nuk duhen marrë si të mirëqena!
Ishte një rikujtesë se vendet tona nuk duhet të presin që të ndodhë kriza dhe pastaj të reagojnë kur ato shfaqen, por duhet të marrim masa parandaluese, duke rritur buxhetin e mbrojtjes, duke u përgatitur përpara dhe duke parashikuar çdo skenar të mundshëm dhe përballje me sfidat e ardhshme.
Lufta në Ukrainë prodhoi efektin e kundërt të asaj që priste Rusia.
Nuk i ndau, por i bashkoi kombet tona.
Përgjigja ishte një koalicion global, në mbështetje të popullit paqedashës dhe institucioneve demokratike të Ukrainës.
Putini donte një NATO më të paktë, por ai po përballet me një NATO më të zgjeruara, me më shumë prani të NATO-s në pjesën lindore të Aleancës dhe gjithashtu, edhe me më shumë anëtarë të Aleancës atlantiko-veriore.
Ky peizazh i ri gjeopolitik e konsideron të nevojshme një qasje të re të BE-së dhe NATO-s për zgjerimin dhe sigurinë kolektive.
Zgjerimi duhet të konsiderohet një instrument i fuqishëm gjeostrategjik.
Sot, rreth 600 milionë europianë jetojnë vende të NATO-s, me aleancën që mbron rreth 93% të popullsisë së Bashkimit Europian.
Konflikti në Ukrainë ka rritur pamasë urgjencën e anëtarësimit të vendeve aspiruese për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Europian.
Këto veprime do të parandalonin ndikimin e palëve të treta në disa rajone të pambrojtura.
Ne, në Ballkanin Perëndimor, jemi të shqetësuar për ndërhyrjen e përfaqësuesve rusë, të cilët synojnë të minojnë demokracinë dhe stabilitetin tonë.
Ideja e një Europe të lirë dhe paqësore nuk mund të jetë e plotë pa përfshirjen e shteteve të Ballkanit Perëndimor, që janë partnerë kryesorë dhe anëtarë integralë të familjes sonë të përbashkët europiane.
Njohja e Republikës së Kosovës nga të gjitha shtetet anëtare të OKB-së, si dhe liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, do të kontribuonte shumë për paqen dhe stabilitetin në rajon tonë.
Në këto kohë sfidash për sigurinë, stabilitetin dhe paqen në Europë dhe në botë, Shqipëria, si vend i NATO-s dhe si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, është e vendosur në qëndrimet e saj, në koherencë me partnerët dhe aleatët tanë euro-atlantikas, si në nivel europian, ashtu edhe në nivel global.
Konflikti në Ukrainë na risolli në vëmendje se liria nuk vjen e mirëqenë, duke u bërë thirrje vendeve aleate që të rrisin shpenzimet e mbrojtjes, dhe se ekonomia shkon krah për krah me sigurinë.
Pasojat e luftës në Ukrainë kanë shkaktuar efekte valëzuese në mbarë botën në furnizimin me ushqime, sepse Ukraina dhe Rusia përbëjnë dy nga ‘shportat e bukës’ së planetit tonë, duke furnizuar botën me 30% të grurit dhe 20% të misrit.
Për momentin, çmimi i ushqimit është problemi numër një. Deri në vitin 2023 do të jetë shumë mirë një problem i disponueshmërisë së ushqimit, duke pasur parasysh se rreth 300 milionë njerëz në mbarë botën janë tashmë të pasigurtë përsa i përket ushqyerjes, sipas Programit të Ushqimit Botëror.
Të gjitha portet e Detit të Zi duhet të hapen dhe funksionojnë, përndryshe do të përballemi me një shpallje lufte ndaj sigurisë globale të ushqimit dhe kjo do të prodhonte uri, destabilizim dhe migrim masiv në mbarë botën.
Qindra miliona njerëz në mbarë botën varen nga ushqimi që vjen përmes këtyre porteve.
Udhëheqësit e botës duhet të bëjnë çdo gjë të mundshme për t’i sjellë tregjet në stabilitet përpara se gjërat të përkeqësohen, sepse, në terma afatgjatë, çmimet globale të ushqimeve do të rriten edhe më shumë si rezultat i rolit të Rusisë si prodhuesi kryesor i plehrave të nevojshme për të korrat.
Konflikti ka bërë që miliona (5 milionë) civilë të largohen nga vendi i tyre dhe shumë më tepër (7 milionë) njerëz të zhvendosur brenda vetë Ukrainës.
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka vlerësuar se 13 milionë ukrainas të tjerë gjenden në zonat më të goditura nga lufta.
Kjo është një krizë humanitare, që po përkeqësohet me një shpejtësi alarmante si dhe paraqet një rrezik i lartë përsa i përket sigurisë.
Për sa u përket burimeve dhe furnizimeve natyrore, gazit dhe energjisë, kontinenti ynë dhe bota mbarë po përballen me sfida të mëdha, por edhe me mundësi, me plane për të minimizuar blerjet e naftës dhe gazit natyror rus në një afat të shkurtër kohor.
Në këtë drejtim, shpresoj se mençuria dhe përvoja e anëtarëve dhe pjesëmarrësve të shquar në këtë forumi, të prodhojë ide dhe rezultate të frytshme për këtë çështje!
Shfrytëzoj rastin të shpreh edhe një herë mirënjohjen time për mbështetjen e dhënë nga Azerbajxhani si dhe nga Presidenti Aliyev për ndërtimin dhe zbatimin e suksesshëm të gazsjellësve TAP dhe IAP në Shqipëri.
Këto projekte marrin edhe më shumë rëndësi tani, si burime alternative energjie për të tashmen dhe të ardhmen në rajon, edhe në Europë gjithashtu.
Për të folur rreth çështjes së dytë, pandemia COVID-19 paralizoi të gjithë botën, duke shkaktuar ndarje të rënda në sistemet shëndetësore, ekonomitë dhe mbarë shoqëritë tona në rang global.
Por pamposhtmëria njerëzore, bashkëpunimi midis kombeve, qasja e multilateralizmit për të luftuar pandemitë, e rikthyen botën tonë në normalitet.
Megjithatë, ka kaq shumë mësime për të mësuar dhe kaq shumë sfida për t’u përballur në epokën pas pandemisë, duke pasur parasysh se rreth gjysma e popullsisë së botës ende vuan nga aksesi i shërbimeve thelbësore shëndetësore.
Pandemitë na mësuan se kur shëndeti është në rrezik, gjithçka është në rrezik dhe izolimi nuk është i mundur.
Asnjë vend nuk është imun, pavarësisht nga madhësia apo fuqia e tij.
Shëndeti nuk është vetëm një çështje vetëm kombëtare, por ndërkombëtare.
Përmirësimi i shëndetit publik global është një urgjencë, për të parandaluar çdo pandemi të mundshme në të ardhmen.
Nevojitet një koordinim më i mirë global për sistemet e paralajmërimit të hershëm dhe gjurmimin e transmetimit, ndarjen e vaksinave, ilaçeve dhe pajisjeve, zhvendosjen e produkteve dhe pajisjeve mjekësore me rëndësi jetike, si dhe për bashkëpunimin ndërshtetëror në fushën e kujdesit shëndetësor, gjithashtu edhe për kërkimin mjekësor dhe bioteknologjinë.
Përparësia e Shqipërisë si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është të kontribuojë në forcimin e Organizatës Botërore të Shëndetit si autoriteti udhëheqës dhe drejtues për shëndetin global, duke qenë në qendër të arkitekturës globale të shëndetit.
Të dashur kolegë,
Le të mos ia ndajmë kurrë sytë demokracisë, sepse ajo duhet mbrojtur në çdo kohë!
Nuk është një dhuratë e dhënë një herë e mirë, por duhet të konsolidohet me angazhim të vazhdueshëm.
Përveç kësaj, mirëqenia e kombeve varet nga respektimi i të drejtave të njeriut dhe krijimi i standardeve të mira të jetesës.
Përballja me ndryshimet klimatike është gjithashtu një detyrë që duhet të përmbushet nga çdo vend.
Të nderuar pjesëmarrës!
Kërcënimet me të cilat po përballet njerëzimi po arrijnë kulme të reja, por pavarësisht gjithë këtyre sfidave, ne mbartim njohurinë e së shkuarës, mësimin thelbësor se në çdo situatë, vështirësi apo krizë shpirtërore njerëzore, bashkimi i kombeve ka dalë gjithmonë fitimtar dhe triumfues.
‘Mos të mbetemi pa shpresë në orën e fatkeqësisë, sepse shiu i kristaltë bie nga retë e zeza!’, – ka thënë Nizami Ganjavi.
Kjo shpresë për një të ardhme më të mirë e ka motivuar njerëzimin gjatë historisë dhe me përpjekje të përbashkëta do të kapërcejmë çdo sfidë.
I uroj këtij forumi të rëndësishëm rezultate të frytshme, si dhe që të gjitha mendimet dhe idetë e shprehura këtu, le të na shërbejnë për të rënë dakord, nëpërmjet angazhimeve konkrete për të arritur një të ardhme sa më të mirë!
Faleminderit për vëmendjen!”