Presidenti Meta merr pjesë në ceremoninë shtetërore të 106-vjetorit të Pavarësisë në Vlorë

Presidenti Meta merr pjesë në ceremoninë shtetërore të 106-vjetorit të Pavarësisë në Vlorë

Vlorë

Presidenti i Republikës, Sh.T. Z. Ilir Meta mori pjesë sot paradite në ceremoninë shtetërore me rastin e 106-vjetorit të Pavarësisë, të zhvilluar në Sheshin e Flamurit dhe Monumentit të Pavarësisë në qytetin historik të Vlorës.

Në praninë e Presidentit të Republikës dhe krerëve të institucioneve të larta të shtetit shqiptar, në Sheshin e Flamurit u ngrit Flamuri Kombëtar.

Më pas, personalitetet më të larta shtetërore në këtë Vit Mbarëkombëtar kushtuar Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti, Skënderbeut zhvilluan homazhe dhe vendosën kurora me lule në shenjë nderimi te varri i Ismail Qemalit.

“Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar të gjithë shqiptarëve kudo ndodhen. Emocion i veçantë të merrja pjesë sot në Vlorë, “kryeqytetin” e Festës së Pavarësisë, në ceremoninë shtetërore për nder të simbolit më përbashkues të shqiptarëve. Përkulem me respekt para veprës së përjetshme të themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemali.”, – u shpreh Presidenti Meta për gazetarët.