13 Tetor 2018 Presidenti Meta merr pjesë në “Festën e Gështenjës”
Presidenti Meta merr pjesë në “Festën e Gështenjës”: Gështenja juaj është një “brand” i jashtëzakonshëm për Tropojën dhe Shqipërinë.
Tropojë
Në vijim të vizitës së tij së Tropojë, Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Ilir Meta u prit sot nga Kryetari i Bashkisë, Besnik Dushaj, i cili i uroi mirëseardhjen dhe e falënderoi për këtë vizitë.
Pas takimit, Presidenti Meta vendosi një kurorë me lule dhe u përkul me nderim para memorialit të udhëheqësit të Lëvizjes Studentore dhe Dëshmorit të Atdheut, Azem Hajdari.
Vizita e Presidentit të Republikës vijoi me pjesëmarrjen në “Festën e Gështenjës”, që është kthyer në një veprimtari tradicionale për këtë qytet çdo vit në tetor, muajin e vjeljes së gështenjave.
“Është kënaqësi e veçantë që marr pjesë në këtë festë jashtëzakonisht të rëndësishme për ju, në ‘Festën e Gështenjës’, së cilës me të drejtë i gëzoheni, pavarësisht vështirësive, dhe pavarësisht nga fakti që nuk merrni shpërblimin e merituar.
Gështenja juaj është një ‘brand’ tjetër i jashtëzakonshëm për Tropojën dhe Shqipërinë. Fakti që kërkohet kaq shumë jashtë, që eksportohet e blihet me një çmim tepër të leverdisshëm është treguesi më i mirë, ashtu sikurse kur shkohet në tregun vendas, të gjithë zhgënjehen me gështenjat e importit dhe me cilësinë e tyre.
Inkurajimi jo vetëm i ruajtes së këtyre masivëve, por mundësisht edhe i rritjes së tyre, i sipërfaqeve, jo vetëm në Tropojë, që e ka traditë, por edhe në shumë vise të tjera të Shqipërisë ku ekzistojnë këto mundësi e potenciale, duhet të jetë një zhvillim i rëndësishëm për të ardhmen.
Zhvillimi i Tropojës duhet të jetë një objektiv i përgjithshëm dhe i përbashkët i të gjithëve ne, duke filluar nga unë sot, i kryetarit të Bashkisë, i deputetëve, në bashkëpunim edhe me institucionet e qeverisë.
Jam i bindur se ne të gjithë së bashku do të ecim në këtë rrugë në vitet që do të vijnë. Ju uroj prodhim të mbarë dhe uroj gjithashtu që sa më shpejt, të përurojmë një vepër të përpunimit të gështenjave këtu në Tropojë!” – theksoi Presidenti Meta në fjalën e tij përshëndetëse.
Gjatë “Festës së Gështenjës” Presidenti i Republikës vlerësoi “Unionin Artistik të Kombit Shqiptar’’ me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” si dhe dekoroi regjisorin Llesh Nikolla dhe balerinën e vallëtaren, Enida Çami.
Gjatë qëndrimit në Tropojë, Presidenti i Republikës mori pjesë edhe në ceremoninë e përurimit të punimeve të ish-Hotel Valbonës (Turizmi i vjetër) në Valbonë, duke u ndalur më pas në një takim pune me operatorët turistikë si dhe me shoqatat e turizmit në Valbonë.
Presidenti Meta theksoi mes të tjerash në këtë takim, rëndësinë e promovimit të bukurive natyrore, kulturës, historisë dhe traditave si dhe mundësitë e potencialet turistike të zonës.