17 Maj 2019 Presidenti Meta merr pjesë në Konferencën e 3-të Kombëtare të Industrisë së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike
Presidenti Meta merr pjesë në Konferencën e 3-të Kombëtare të Industrisë së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike: Ky sektor është lokomotiva e eksporteve tona jo vetëm bujqësore.
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta mori pjesë dhe përshëndeti Konferencën e 3-të të Industrisë së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike me temë: “Kultivimi i bimëve mjekësore dhe rritja e cilësisë, garanci për rritjen e punësimit dhe eksporteve”, që u zhvillua në Resortin “Xibraku” në Tiranë.
Fjala e plotë Presidentit të Republikës, SH. T. Z. Ilir Meta:
“Me shumë kënaqësi e pranova ftesën tuaj për të përshëndetur Konferencën e 3-të Kombëtare të Industrisë së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike të Shqipërisë, pasi është ky sektor që është lokomotiva e eksporteve tona jo vetëm bujqësore, por edhe një shembull shumë i mirë i potencialeve tona për t’u rritur edhe më shpejt e në mënyrë të qëndrueshme.
Nëse ka një produkt bujqësor “Made in Albania” për të cilin ne jemi krenarë, një markë ekselence që ka kapërcyer tregjet europiane dhe që dominon sot në tregun amerikan, ai është pikërisht sherebeli shqiptar.
Historia e suksesit të sherebelit dhe të bimëve medicinale nuk do të ishte e mundur pa mundin, djersën, dhe punën e palodhur të dhjetëra mijëra fermerëve të zonave më të thella të Shqipërisë, të cilët së bashku me angazhimin e e grumbulluesve dhe përpunuesve dhe eksportuese kanë një kontribut të rëndësishëm në rritjen e volumeve të eksporteve tona.
Falë punës dhe kontributit tuaj, sot Shqipëria renditet si eksportuesja e dytë më e madhe e bimëve mjekësore dhe aromatike në Europën Juglindore.
Pavarësisht se vlera e eksporteve të bimëve mjekësore dhe aromatike ka arritur shifrën e rreth 45 milion dollarëve për vitin 2018, potenciali i kësaj industrie është shumë më i madh, nëse mbështetet me mekanizmat e duhur incentues.
Fatkeqësisht, duhet ta pranojmë se prej vitesh bujqësia shqiptare vuan nga ‘sindroma e nënfinancimit”. Është e pajustifukueshme që një sektor i cili kontribuon mbi 21% të ekonomisë, merr si buxhet vetëm 0.6% të saj.
Bujqësia nuk duhet trajtuar thjesht si një sektor i ekonomisë, por si burimi kryesor i të ardhurave jetike dhe i vetpunësimit për rreth gjysmën e popullsisë tonë që jeton në zonat rurale.
Edhe pse në vitet e fundit ka pasur një interes në rritje të sektorit privat për investime në bujqësi, sërish vazhdon një situatë paradoksale e defiçitit tregtar bujqësor, që nuk po njeh përmirësim dhe ku importi nuk mbizotëron në mënyrë mjaft të dukshme.
Ne mund të mos jemi të aftë të konkurrojmë dhe të triumfojmë në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare me produkte të tjera bujqësore siç ndodh në rastin e sherebelit, por absolutisht duhet të kemi një strategji të qartë të zhvillimit rural dhe bujqësor përmes zëvendësimit të importeve bujqësore apo ushqimore me produktet tona vendase.
Investimet publike duhet të synojnë përmirësimin e ndjeshëm të infrastrukturës rurale, të transportit, magazinimit dhe logjistikës në të gjithë hallkat e zinxhirit, nga prodhimi deri te konsumi i produkteve bujqësore dhe ushqimore.
Po kështu, siguria ushqimore duhet të jetë një prioritet kombëtar që ka të bëjë me jetën dhe shëndetin e qytetarëve dhe të fëmijëve.
Në këtë kontekst, është i pamjaftueshme vetëm denoncimi mediatik i rasteve abuzive, ashtu sikurse mund të jetë fatale për fermerët dhe prodhuesit tanë denigrimi dhe stigmatizimi në tërësi i prodhimeve bujqësore dhe ushqimore shqiptare, që shpesh edhe bëhet qëllimisht nga nxitja që bëjnë importuesit në mediat tona kombëtare.
Edhe ndëshkimi me gjobë apo konfiskimi sporadik në rastet e abuzimit janë vetëm zgjidhje të pjesshme dhe momentale. Institucionet përgjegjëse duhet të luajnë një rol më proaktiv rregullator, kontrollor dhe parandalues. Dhe duke realizuar këtë mision përmes këtyre institucioneve ne do të arrijmë qëllimet tona afatgjata.
Në duhet t’i jemi mirënjohës edhe Bashkimit Europian për akordimin e fondeve të konsiderueshme edhe në bujqësi e në zhvillimin rural, por sfida më e madhe është se si do të mbështesim financiarisht me buxhetin tonë dhjetëra e mijëra fermerë të vegjël e të mesmë, të cilët e kanë të pamundur të aplikojnë e të përfitojnë nga fondet e BE-së.
Janë pikërisht ata që shpesh detyrohen që mollët dhe qepët t’i hedhin në lumë apo qumështin në rrugë.
Duke u rikthyer edhe një herë te ky sektor mjaft i rëndësishëm i bimëve mjekësore dhe aromatike që përfaqëson një lokomotivë për eksportet tona, dua të theksoj se potenciali i këtoj sektori është ende shumë herë më i madh për të kontribuar në rritjen e ekonomisë sonë kombëtare dhenë atë familjare të dhjetëra mijëra fermerëve anembanë vendit.
Produktiviteti dhe konkurueshmëria e këtij sektori në tregjet ndërkombëtare do të rriteshin edhe më tej nëse do të bëheshin më shumë investime të përparuara teknologjike në këtë industri.
Mbështetja e grumbulluesve me grade dhe kredi për të investuar më shumë për grumbullimin, ekstraktimin, ambalazhimin dhe përpunimin si dhe ngritjen e impianteve të sterilizimit dhe të paketimit, do të jepnin një vlerë shumë më të shtuar të këtyre produkteve.
Ndërkohë fermerët duhet të ndihmohen me fidanë të zgjedhur dhe të sigurt e me impiante tharëse që garantojnë cilësinë e këtyre produkteve. Unë besoj se ju jeni në dijeni edhe të kërkesave të Departamentit amerikan të Bujqësisë që rritja e këtyre eksporteve të vijojë në mënyrë të vazhdueshme dhe që ato të arrijnë standardet më të larta të tregut amerikan dhe atij ndërkombëtar.
Edhe njëherë sukseset më të mira për këtë konferencë dhe për këtë sektor, i cili është një shembull edhe për sektorët e nënsektorët e tjerë në fushën e bujqësisë e të ekonomisë së vendit.”