Presidenti Meta: Mirënjohje qytetarëve të mrekullueshëm të Kavajës, të cilët iu bashkuan sot kauzës fisnike të dhurimit të gjakut

Presidenti Meta: Mirënjohje qytetarëve të mrekullueshëm të Kavajës, të cilët iu bashkuan sot kauzës fisnike të dhurimit të gjakut

Kavajë

Në kuadër të nismës së ndërmarrë prej Tij “Aleanca për Dhurimin e Gjakut”, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta ishte sot i pranishëm në seancën e dhurimit të gjakut të organizuar nga Bashkia e Kavajës në ndihmë të fëmijëve talasemikë.

Presidenti Meta falënderoi kryebashkiakun Redian Krali, qytetarët kavajas dhe në veçanti të rinjtë, për angazhimin e tyre vullnetar për t’iu bashkuar kësaj kauze fisnike dhe veprimtarie humanitare.

“Një falënderim të veçantë kam sot për popullin e Kavajës, për kryetarin e Bashkisë dhe stafin e tij që iu përgjigjën apelit për të dhuruar gjak në këto ditë kur kërkesa për gjak është mjaft e domosdoshme, sidomos nga fëmijët, të cilët vuajnë nga talasemia. Por edhe nga të gjithë të tjerët, që kanë nevojë në mënyrë periodike për gjak.

Solidarizimi me kauzën e dhurimit të gjakut është mjaft e rëndësishme, sidomos në këto ditë të vështira, kur kërkesat janë edhe më të mëdha, për shkak të vështirësive të krijuara nga kufizimet që ekzistojnë në lëvizjen e qytetarëve për shkak të pandemisë. Ndaj edhe ky kontribut që jep sot komuniteti dhe Bashkia e Kavajës, është jashtëzakonisht i çmuar.

Mirënjohje për qytetarët e mrekullueshëm të Kavajës, të cilët me shumë zemër të madhe erdhën dhe bënë sot këtë akt human!” – theksoi Presidenti i Republikës.