18 Korrik 2018 Presidenti Meta mirëpret në një vizitë shtetërore në Tiranë, Presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta i uroi mirëseardhjen në Shqipëri, Presidentes së Republikës së Kroacisë, Sh.S.Znj. Kolinda Grabar-Kitarović, e cila me ftesë të Kreut të Shtetit, po zhvillon një vizitë shtetërore në Shqipëri.
Pas ceremonisë së mirëseardhjes dhe ekzekutimit të himneve kombëtare të të dy vendeve, Presidenti Meta dhe Presidentja Grabar-Kitarović zhvilluan një takim kokë më kokë dhe më pas kryesuan takimin e zgjeruar midis dy delegacioneve zyrtare.
Presidenti Meta vlerësoi lidhjet e forta historike të miqësisë midis dy popujve, si dhe marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve.
Të dy bashkëbiseduesit shprehën angazhimin dhe mbështetjen për ngritjen e këtyre marrëdhënieve në nivel të partneritetit strategjik, duke nënvizuar se kjo do ta intensifikojë më shumë dialogun politik dhe do t’i nxisë më tej marrëdhëniet ekonomike e tregtare.
Një vëmendje e veçantë gjatë takimit iu kushtua bashkëpunimit në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.
Presidenti Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fortë e të qartë të Kroacisë dhe personalisht të Presidentes Grabar-Kitarović për çeljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe nënvizoi se të gjitha institucionet e shtetit shqiptar janë të angazhuara për të përmbushur me sukses të gjitha standardet dhe detyrimet përkatëse.
Duke u ndalur në bashkëpunimin rajonal, të dy Presidentët nënvizuan nevojën e një angazhimi dhe koordinimi më të mirë në mënyrë që stabiliteti dhe siguria e rajonit të konsolidohen dhe procesi i mirëkuptimit e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit të vijojë në mënyrë të qëndrueshme.
Presidenti Meta vlerësoi edhe rolin e kontributin e Kroacisë në kuadër të Procesit të Brdo-Brijunit, si dhe shprehu besimin që Samiti i ardhshëm që do të zhvillohet në Shqipëri, në vitin 2019, do ta gjejë rajonin dhe vendet e saj në një situate edhe më të favorshme, si në marrëdhëniet me BE-në ashtu edhe me NATO-n.
Në fund të bisedimeve zyrtare të dy Presidentët dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, si dhe iu përgjigjën interesit të gazetarëve për çështje të ndryshme me interes dypalësh e rajonal.
Në vijim deklarata e Presidentit Meta në konferencën e përbashkët për shtyp:
Sot kisha kënaqësinë që t’i uroja mirëseardhjen në Tiranë, në një vizitë shtetërore, mikes së shqiptarëve dhe Presidentes së Republikës së Kroacisë, zonjës Kolinda Grabar-Kitaroviç.
Kemi bashkëbiseduar si për marrëdhëniet dypalëshe, edhe për ato rajonale dhe zhvillimet e ndryshme ndërkombëtare.
Që në fillim dua të konfirmoj menjëherë se marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë mëse të shkëlqyera. Në themel të tyre qëndron miqësia shumëshekullore midis dy popujve dhe kombeve tona dhe lidhjet e forta historike.
Prania e Arbanasve të Zarës prej më shumë se 300 vitesh në Kroaci, por edhe e një komuniteti të ri shqiptar nga të gjitha trevat, të cilat kanë luftuar dhe shumë prej tyre dhe kanë dhënë jetën për lirinë e Kroacisë, e bëjnë edhe më të fortë këtë miqësi.
Albanologu i shquar kroat Milan Shuflaj apo dhe albanologu tjetër i apasionuar, Arbanasi nga Zara, Aleksandar Stipćević, kanë shërbyer si ura lidhëse të jashtëzakonshme midis dy popujve tanë sepse ata u bënë zëdhënës të besueshëm të historisë së shqiptarëve, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin dhe të ardhmen e kësaj miqësie.
Së bashku me Presidenten Grabar-Kitaroviç, kemi rënë dakord gjithashtu që gjatë vitit të Skënderbeut të bëjmë dhe një vizitë të përbashkët në zonën ku banojnë Arbanasit.
Sot pata kënaqësinë t’i shprehja edhe njëherë mirënjohjen Presidentes për mbështetjen që Kroacia i jep procesit të integrimit të Shqipërisë, por edhe vendeve të tjera të rajonit tonë.
Kroacia ka qenë dhe mbetet një mbështetëse e fortë e çeljes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Modeli dhe eksperienca e Kroacisë në BE, është shumë e vyer për ne shqiptarët.
Po kështu, si dy vende anëtare në NATO, ne ndajmë vizion dhe interesa të përbashkëta edhe në fushën e sigurisë dhe për këtë kemi një bashkëpunim shumë të mirë e të konsiderueshëm dhe që do ta shtojmë akoma më tej në të gjitha aspektet.
Dy vendet po punojnë që së shpejti ta ngrenë nivelin e bashkëpunimit, në atë të “partneritetit strategjik”.
Në kuadrin dypalësh, një vëmendje shumë domethënëse i kushtojmë bashkëpunimit ekonomik, pasi potencialet dhe burimet e të dy vendeve, si në aspektin dypalësh edhe në atë rajonal, janë të jashtëzakonshme.
Interesat e të dy vendeve janë të përbashkëta dhe komplementare dhe kuadri i përbashkët ligjor në fuqi na krijon të gjitha mundësitë për të forcuar bashkëpunimin, veçanërisht në fushën e turizmit, energjetikës, infrastrukturës, etj.
Realizimi në mënyrë të veçantë i projekteve madhore rajonale të gazifikimit TAP-it, por dhe IAP-it, si dhe Korridori Blu, do t’i bëjë dy vendet tona edhe më të ndërlidhura me njëri-tjetrin.
Një bashkëpunim me interes është edhe ai detar, si dhe ndërmjet porteve shqiptare e kroate. Si dy vende të Adriatikut, bashkëpunimi në këtë aspekt është shumë i dobishëm, bashkëpunim që shtrihet edhe në çështjet e mbrojtjes së ambientit dhe menaxhimit të ndotjeve.
Me këtë rast i shpreha mirënjohjen Presidentes për mbështetjen që Kroacia i ka dhënë edhe projektit të përbashkët me Programin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (PNUD) për menaxhimin e ndotjeve të ujërave detare (Marine) dhe të Bregdetit (Coastline) për rritjen e sigurisë në det dhe në porte, në përputhje me Ligjin dhe Politikën e BE për Detin.
Në këtë drejtim ne shohim mundësinë e mbështetjes dhe shtrirjes së këtij projekti edhe në formatin rajonal trilateral, duke përfshirë edhe Malin e Zi.
Sigurisht që bashkëpunimi rajonal ishte një prej çështjeve qendrore të bisedës sonë. Theksuam vendosmërinë për të vijuar me kontributin konstruktiv për të forcuar qëndrueshmërinë dhe bashkëpunimin në rajonin tonë.
Po kështu patëm kënaqësinë që të mirëprisnim edhe njoftimin e Komisionerit Avramopoulos sot se, Kosova i ka plotësuar të gjitha kërkesat për liberalizimin e vizave dhe të gjithë urojmë që qytetarët e saj sa më shpejt të udhëtojnë në hapësirën Shengen.
Njëkohësisht ne mbështesim dialogun Kosovë-Serbi, për një zgjidhje të qëndrueshme dhe përfundimtare e cila ndihmon perspektivën evropiane të të dy vendeve të gjithë rajonit tonë dhe pa dyshim që jemi shumë të lumtur për ftesën që ka marrë Maqedonia për t’u anëtarësuar në NATO, pasi ky vend e ka nisur këtë proces së bashku me dy vendet tona, me Kroacinë dhe Shqipërinë përmes Kartës së Adriatikut, prej kohësh.
Ashtu sikurse kemi diskutuar dhe shpresojmë për zhvillime më pozitive edhe në Bosnje-Hercegovinë në të ardhmen.
Në vitin e ardhshëm, në Shqipëri do të organizohet Samiti i radhës së Krerëve të Shteteve të vendeve të rajonit të Procesit të Brdo-Brijunit, ku dihet që është një iniciativë ku Presidentët e Kroacisë dhe Sllovenisë kanë një rol shumë të rëndësishëm që nga themelimi dhe vijimësia e kësaj nisme. Kemi diskutuar së bashku edhe për të koordinuar për një organizim sa më të suksesshëm dhe të dobishëm në vendin tonë gjatë vitit të ardhshëm.
Presidentja e Kroacisë nuk mund të mos vizitonte Shqipërinë gjatë vitit të Skënderbeut. Unë kam kënaqësinë që ajo ka gjetur kohën e mjaftueshme për të ndarë tre ditë me të gjithë ne, ku do të pritet edhe nga autoritetet e tjera më të larta të vendit, por dhe do t’i adresohet me një përshëndetje të veçantë Kuvendit të Shqipërisë.
Duke e uruar edhe për performancën e jashtëzakonshme të ekipit të Kroacisë në Kampionatin Botëror të Futbollit, besoj se ka qenë një përfaqësim i shkëlqyer jo vetëm për Kroacisë, por mendoj dhe i mundësive që ka çdo vend që beson tek suksesi, që i përkushtohet atij dhe që mbështet talentet e tij për të arritur majat, dua edhe njëherë tjetër t’i uroj suksese gjatë kësaj vizite mjaft të rëndësishme dhe ta ftoj për të dhënë mesazhin e saj.
Faleminderit!
]]>