16 Tetor 2018 Presidenti Meta mirëpret në një vizitë shtetërore në Tiranë, Princin e Monakos, Albert II
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, i uroi mirëseardhjen në Shqipëri, Princit Sovran të Monakos, Lartësisë së Tij të Përndritur Albert II, i cili po zhvillon një vizitë shtetërore në vendin tonë. Kjo është vizita e parë e një monarku të Principatës së Monakos në Shqipëri.
Pas ceremonive të mirëseardhjes dhe ekzekutimit të himneve të te dy vendeve, Presidenti Meta dhe Princi Albert II zhvilluan një takim kokë më kokë dhe më pas kryesuan takimin e zgjeruar midis dy delegacioneve zyrtare.
Presidenti Meta vlerësoi vizitën e Princit Albert II në Shqipëri dhe nënvizoi se, në këto shtatë vite marrëdhëniesh diplomatike, bashkëpunimi midis Republikës së Shqipërisë dhe Principatës së Monakos është zhvilluar në mënyrë shumë pozitive.
“Vizita e Princit Albert II është shprehje e qartë e dëshirës dhe vullnetit të përbashkët për t’i nxitur e zhvilluar më tej këto marrëdhënie”, – nënvizoi Presidenti Meta.
Presidenti Meta vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit konkret, në fushat ku eksperienca dhe ekspertiza e Monakos është shumë e njohur ndërkombëtarisht, si në turizëm e në mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e ekonomisë së gjelbër, inovacion e teknologjinë, në shërbimet financiare, trajnimin profesional e në fusha të tjera me interes.
Kreu i Shtetit kërkoi gjithashtu nxitjen e biznesit të Monakos që të eksplorojë dhe investojë në tregun shqiptar.
Duke iu referuar përkatësisë mesdhetare të të dy vendeve, Presidenti Meta dhe Princi Albert II i Monakos nënvizuan nevojën e rritjes së bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes së ambientit dhe të biodiversitetit.
Presidenti Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Fondacioni Princit të Monakos dhe Shoqata për financim të qëndrueshëm të Zonave të Mbrojtura Detare në Mesdhe, po i japin strukturave dhe shoqatave përgjegjëse shqiptare për mbrojtjen dhe promovimin e burimeve natyrore dhe zonave të mbrojtura detare shqiptare.
Të dy Krerët e Shtetit vlerësuan angazhimet në kuadër të Marrëveshjes së Parisit për Klimën, duke nënvizuar interesin për të bashkëpunuar ngushtë në këtë drejtim.
Presidenti Meta dhe Princi Albert II u shprehën dhe për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe konfirmuan rëndësinë e bashkëpunimit midis dy vendeve në të gjitha organizatat ndërkombëtare ku bëjnë pjesë, në interes të paqes, stabilitetit e zhvillimit të qëndrueshëm.
Në fund të bisedimeve zyrtare, në praninë e të dy Krerëve të Shteteve, u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi nga Ministrat e Jashtëm të të dy vendeve, me anë të së cilës palët bien dakord të identifikojnë fushat e veçanta të bashkëpunimit dhe t’i promovojnë më tej ato.
Gjithashtu, u nënshkrua edhe një marrëveshje financimi mes Fondacionit të Princit Albert II të Monakos me Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura të Vlorës dhe Shoqatës për mbrojtjen e burimeve natyrore “Pisha Flamur”.
Në takim të pranishëm nga pala e Principatës së Monakos ishin: Ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimin e Monakos, Sh.T.Z. Gilles Tonelli dhe Ministri Fuqiplotë dhe Administratori i deleguar i Fondacionit Princ Albert II i Monakos, Sh.T.Z. Bernard Fautrier. Ndërsa nga pala jonë ishin të pranishëm: Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Sh.T.Z. Ditmir Bushati dhe Ministri për Turizmin dhe Ambientin, Z. Blendi Klosi.
]]>