2 Prill 2022 Presidenti Meta në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin: Institucionet shtetërore të mbështesin fëmijët me autizëm dhe t’ju ofrojnë familjeve të tyre të gjithë ndihmën e nevojshme sociale, psikologjike dhe financiare
Në kuadër të Ditës Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, nën kujdesin e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta dhe në bashkëpunim me “Klubin Kombëtar të Prindërve të Fëmijëve me Çrregullime të Spektrit Autik dhe Aftësi të Kufizuara”, në Institucionin e Kreut të Shtetit u zhvillua një veprimtari ndërgjegjësuese, ku merrnin pjesë psikologë, mësues, edukatorë dhe artistë.
Me këtë rast u zhvillua një ekspozitë me piktura, si dhe një koncert me këngë dhe interpretime nga fëmijë dhe të rinj me çrregullime të spektrit autik.
Në fjalën e Tij përshëndetëse në këtë veprimtari, Presidenti Meta u shpreh:
“Të dashur prindër dhe fëmijë, të nderuar pjesëmarrës,
Në kuadër të Ditës Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, jam i lumtur të jemi sot së bashku me këta fëmijë të mrekullueshëm, që na kanë sjellë diellin me ngjyrat e tyre, pikërisht sot në një ditë me shi, nëpërmjet një ekspozite të veçantë me punime të tyre.
Nuk është e lehtë të rrisësh dhe të edukosh një fëmijë, që është i ndryshëm nga të tjerët, megjithatë, është një mision jashtëzakonisht fisnik dhe një përgjegjësi shumë e madhe për çdo prind.
Njëkohësisht është edhe një përgjegjësi dhe një detyrim i gjithë shoqërisë, për të kushtuar më shumë vëmendje, për mirërritjen dhe mirë-edukimin e tyre.
Ja vlen të sakrifikosh për ta, pasi mes tyre, ka kaq shumë talente të veçanta që shkëlqejnë shpesh, në fusha të caktuara dhe që i bëjnë me të drejtë prindërit e tyre, shumë krenar.
Është detyra jonë t’i ndihmojmë dhe t’i mbështesim prindërit dhe familjet, që të përballojnë vështirësitë e veçanta.
Ndërkohë që diagnostikimi i fëmijëve sa më herët është shumë i rëndësishëm, për të identifikuar dhe për të trajtuar në kohë, në mënyrë që pasojat të jenë sa më të vogla dhe më të lehta, si për fëmijën, ashtu edhe për prindërit dhe për familjen.
Sa më parë të diagnostikohet dhe të përfshihet në një plan trajtimi një fëmijë me autizëm, aq më mirë do të jetë në gjende të mësojë aftësitë e nevojshme, për të përballuar jetën dhe për t’u integruar me sukses.
Në këtë kontekst shkolla dhe edukimi luajnë një rol shumë të rëndësishëm. Ndaj kemi nevojë për një arsim cilësor gjithpërfshirës.
Të kesh një fëmijë me autizëm, në klasë, mund të jetë një sfidë për mësuesit, por sjell edhe më shumë kënaqësi për ta, kur ju japin mbështetjen e duhur dhe shohin rezultatet.
Të ndihmosh fëmijët autikë, që të angazhohen plotësisht në mësim, jo vetëm e bën përvojën arsimore më pozitive dhe më të dobishme, por gjithashtu, hap rrugën për një të ardhme, ku ata mund të arrijnë potencialin e tyre të plotë dhe t’i shërbejnë shoqërisë.
Fatkeqësisht, Covid-19 solli mbylljen e përkohshme të shkollave, duke prekur më shumë se 90% të nxënësve në mbarë botën dhe duke përkeqësuar edhe pabarazitë në arsim.
Shumë studentë me autizëm janë goditur veçanërisht rëndë dhe studimet e kryera, tregojnë se ata janë prekur në mënyrë të jashtëzakonshme, nga ndërprerjet e rutinës mësimore, si dhe nga shërbimet ku ata mbështeteshin.
Kjo ka sjellë pasoja sociale për fëmijët dhe prindërit, të cilët u gjendën në një situatë pa shërbimet e nevojshme mbështetëse.
Po kështu, situata e pandemisë solli vështirësi edhe në aksesin në kujdesin shëndetësor e trajtimet e fëmijëve e të rinjve të spektrit autik.
Problematikat e fëmijëve dhe të rinjve me autizëm janë të shumta: nga shkollimi tek përfshirja e tyre në tregun e punës, që paraqet pengesa shumë të mëdha; nga edukimi me aftësi për tregun e punës, në krijimin e autonomisë dhe pavarësisë, kur të mos kenë më mundësinë të mbështeten nga prindërit.
Sfidat janë të mëdha, për këta fëmijë dhe për familjet e tyre, por edhe për të gjithë shoqërinë.
Ndaj është detyrë e institucioneve shtetërore, të mbështesin fëmijët me autizëm dhe të gjithë fëmijët me aftësi ndryshe, për t’i përfshirë ata në programe specifike, sipas nevojave të tyre të veçanta dhe për t’ju ofruar familjeve, mbështetjen e nevojshme morale, psikologjike, sociale dhe financiare.
Duhet të përpiqemi të krijojmë një botë, ku të gjithë njerëzit me aftësi ndryshe, të mund të arrijnë potencialin e tyre të plotë, duke rritur mirëkuptimin dhe pranimin e tyre në shoqëri.
Një gjë është e rëndësishme të theksohet. Çdo fëmijë është unik për prindërit e tij dhe të gjithë prindërit janë krenarë për fëmijët e tyre.
Unë dhe njëherë dua t’ju falënderoj për praninë tuaj këtu, e sidomos fëmijët, që na e kanë zbukuruar Institucionin e Presidentit sot, me ngjyrat dhe talentin e tyre.
Faleminderit!’