27 Janar 2019 Presidenti Meta në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës
Presidenti Meta në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës: Genocide dhe veprime të tilla çnjerëzore ndaj kujdo që i përket një feje, etnie apo kombësie të ndryshme, nuk mund të ndodhin dhe mbi të gjitha, nuk duhen lejuar të ndodhin kurrsesi në botën ku jetojmë të gjithë sot!
Në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës për viktimat e Holokaustit, nën kujdesin e veçantë të Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta, u zhvillua sot paradite ceremonia e shpalljes së Shqipërisë “Shtëpi të Jetës” nga Fondacioni Ndërkombëtar “Raoul Wallenberg” që u kurorëzua me përurimin e pllakatit.
Duke iu drejtuar pjesëmarrësve të shumtë ku ishin të pranishëm përfaqësues të trupit diplomatik, deputetë të Grupit të Miqësisë Shqipëri-Izrael, ministra, krerë të bashkësive fetare si dhe familje shqiptare që kanë shpëtuar dhe mbrojtur hebrenjtë gjatë Holokaustit, Presidenti Meta theksoi: “Dëshiroj të përgëzoj e të falënderoj Fondacionin Ndërkombëtar ‘Raoul Wallenberg’ për shpalljen e Shqipërisë ‘Shtëpi të Jetës’.
Kjo ngjarje, jashtëzakonisht kuptimplote, nderon dhe respekton të gjithë shqiptarët.
Në mënyrë të veçantë ky akt nderon ata burra dhe gra shqiptare, që të udhëhequr nga kodi ynë shumëshekullor zakonor i mikpritjes dhe Besës, nën parimin se ‘Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut’, strehuan bujarisht e pa u kursyer, vunë në rrezik jetën e tyre dhe atë të familjeve, duke shpëtuar nga përndjekja dhe shfarosja e sigurt, qindra e mijëra hebrenj gjatë Holokaustit, njërës prej periudhave më të errëta të njerëzimit.
Shqipëria, edhe pse një vend nën pushtimin nazist, është cilësuar si një “parajsë tokësore dhe strehë shpëtimtare” jo vetëm për qytetarët e saj hebrenj, që ishin gati 200, por edhe për ata hebrenj të cilët lanë shtëpi e katandi anembanë Europës, për të shpëtuar kokën, familjet dhe fëmijët e tyre nga “Zgjidhja përfundimtare” e shtazërisë së pamëshirshme hitleriane.
Muzeu i Jad Vashemit në Jeruzalem ka vërtetuar historikisht se Shqipëria u bë shtëpia e përkohshme e atyre, të cilët ishin arratisur nga vatrat e veta, dhe i vetmi vend evropian që në territoret e veta numëronte në vitin 1945, dhjetëfishimin e hebrenjve në krahasim me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, më 1939-n.
Talmudi, libri i shenjtë i hebrenjve, mëson: ‘Të shpëtosh qoftë edhe një jetë të vetme njerëzore, është njësoj sikur ke shpëtuar botën mbarë!’”
Ndaj Fondacioni Ndërkombëtar ‘Raoul Wallenberg’, që mban emrin e një diplomati të jashtëzakonshëm e zemërmadh, njeh dhe vlerëson aktin e pashembullt humanist dhe fisnik të popullit shqiptar, duke e shpallur vendin tonë “Shtëpi të Jetës”, nëpërmjet vendosjes simbolike të pllakatës që po përurojmë sot në Tiranë.
Nëpërmjet këtij akti solemn, ne jo vetëm i bëjmë sërish me dije gjithë njerëzimit historinë frymëzuese dhe unike të bashkatdhetarëve tanë, por edhe zotohemi që këtë trashëgimi të jashtëzakonshme njerëzore t’ua përçojmë e t’ua mësojmë edhe fëmijëve tanë dhe brezave që do të vijnë pas.
Fatkeqësisht ne u bëmë, vetëm dy dekada më parë, dëshmitarë të masakrave në Ruanda, në Bosnje e Hercegovinë, dhe për më tepër, të masakrave dhe të spastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës.
Genocide dhe veprime të tilla çnjerëzore ndaj kujdo që i përket një feje, etnie apo kombësie të ndryshme, nuk mund të ndodhin dhe mbi të gjitha, nuk duhen lejuar të ndodhin kurrsesi në botën ku jetojmë të gjithë sot!
Kurrë më!
Ky është apeli i të mbijetuarve të Holokaustit, disa prej të cilëve shpëtuan në këtë truall, pikërisht falë shpirtit altruist të shqiptarëve dhe ky është edhe mesazhi ynë sot, nga Tirana, kryeqendra e ‘Shtëpisë më të re botërore të Jetës!’” – u shpreh Presidenti Meta.
Zëvendëspresidenti i Fondacionit Ndërkombëtar “Raoul Wallenber”, Daniel Rainer në fjalën e tij vuri në dukje se: “Në Shqipëri nuk është dëgjuar të ketë pasur as edhe një rast të vetëm denoncimi.
Mësuam se kjo përpjekje shpëtimi nuk ishte rastësi. Përkundrazi! Ky gjest fisnik është pjesë e kodit gjenetik shqiptar, të njohur si BESA, fjala e nderit që shpjegon mikpritjen njerëzore të shfaqur nga populli shqiptar ndaj të përndjekurve, pa pritur e pa kërkuar asgjë në këmbim dhe duke u përballur me rrezikun e madh për jetën e shpëtimtarëve si dhe familjet e tyre.
Kjo është arsyeja pse Fondacioni ynë e shpall Shqipërinë, vendin dhe popullin e saj, si ‘Shtëpia të Jetës’. Asnjë vendi tjetër nuk iu është njohur kurrë kjo njohje e vlerësim.
Heroizmi i popullit shqiptar duhet t’i shpaloset e bëhet me dije mbarë botës.”
]]>