Presidenti Meta në Festën e Shën Marenës

Presidenti Meta në Festën e Shën Marenës

Presidenti Meta në Festën e Shën Marenës: Kjo ditë e shenjtë i bashkon qytetarët me bukuritë natyrore, shpirtërore dhe njerëzore.

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta ishte sot në Bashkinë e Pustecit ku përshëndeti Festën vendore të Shën Marenës.

Fillimisht Kreu i Shtetit vendosi një buqetë me lule te busti i Sterjo Spasses në fshatin Gollomboç të Bashkisë së Pustecit, duke nderuar kujtimin dhe veprën e shkrimtarit të njohur.

Presidenti Meta u prit në fshatin Gollomboç nga autoritetet vendore dhe dhjetëra banorë të zonës, të cilët e falënderuan për vëmendjen e veçantë që i kushton kësaj zone si dhe pakicës kombëtare maqedonase të saj.

Më pas Presidenti i Republikës vizitoi Manastirin e Shën Marenës, ku u përshëndet me pelegrinët e shumtë të pranishëm dhe mori pjesë në festën e shenjtë fetare në Kishën e Shën Marenës.

“Sot u riktheva me kënaqësi në liqenin mahnitës të Prespës, për të festuar në Manastirin e Shën Marenës, së bashku me banorët e kësaj zone të mrekullueshme, festën e Shën Marenës, e cila i bashkon qytetarët me bukuritë natyrore, shpirtërore dhe njerëzore.” – theksoi Presidenti Meta, duke përshëndetur pelegrinët e shumtë të ardhur si nga Bashkia e Pustecit, ashtu edhe nga viset e tjera përreth, nga Korça e Prilepi.

“Gëzuar këtë ditë mjaft të rëndësishme, e cila është një ditë ku ju të gjithë luteni për një të ardhme më të mirë, kur ju të gjithë kërkoni ndihmën e shenjtores Shën Marena, për një jetë më të mirë, për më shumë paqe në familjet e shtëpitë tuaja, për më shumë gëzime e për më shumë lumturi!

Është kënaqësi të shohësh sot kaq shumë qytetarë, kaq shumë të rinj e të reja në mënyrë të veçantë, të cilët u janë rikthyer traditave, dikur të ndaluara, dhe po kështu shohin me besim drejt së ardhmes.

Shpreh kënaqësinë që jam rikthyer në Pustec dhe vij për herë të parë këtu në Manastirin dhe në Kishën e Shën Marenës, e cila, jam i sigurtë, nga viti në vit, do të jetë edhe më e vizituar, edhe më e njohur, do të jetë edhe më e mbarë për të gjithë.” – u shpreh Presidentit i Republikës.

“Ju jeni një komunitet i mrekullueshëm, paqedashës e punëdashës, që meriton edhe një të ardhme më të mirë.

Na ndihmoftë të gjithëve Shenjtorja për një të ardhme më të mirë! Për Pustecin, për Shqipërinë, për Maqedoninë dhe për bashkëjetesën tonë të mrekullueshme! Mbarësi gjithmonë!” – u uroi Presidenti Meta të pranishmëve të shumtë festën e shenjtë.

]]>