21 Mars 2020 Presidenti Meta në Katedralen Katolike të Shën Palit, gjatë seancës për dhurimin e gjakut: Reflektim, bashkëpunim, dhe solidaritet mbarëkombëtar që çdo ditë të përmirësohet mekanizmi parandalues, reagues dhe izolues!
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta ishte sot në Katedralen Katolike të “Shën Palit” në Tiranë, për të ndjekur seancën e dhurimit të gjakut të organizuar nga Kisha Katolike, në bashkëpunim me Organizatën Shqiptare të Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut, dhe Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut.
Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen për dhjetra besimtarë e qytetarë të Tiranës, të cilët iu përgjigjen thirrjes së “Aleancës për Dhurimin e Gjakut” duke u solidarizuar dhe mbështetur këtë kauzë humane, me një shfaqje të lartë përgjegjshmërie shoqërore.
Presidenti Meta falënderoi Imzot George Frendon, kreun e Arqipeshkvisë Metropolitane Tiranë-Durrës për angazhimin e tij personal si dhe të besimtarëve katolikë për t’iu bashkuar kësaj kauze fisnike dhe veprimtarie humanitare.
“I shpreh mirënjohjen e thellë Kishës Katolike, dhjetra besimtarëve e qytetarëve të Tiranës, të cilët u solidarizuan sot me thirrjen e “Aleancës për Dhurimin e Gjakut” duke organizuar, në bashkëpunim me Organizatën Shqiptare të Dhuruesve Vullnetare, një seancë dhurimi gjaku në ndihmë të fëmijëve talasemikë dhe pacientëve kronikë, të cilët kanë nevojë urgjente në këtë situatë delikate.
Dhurimi i gjakut nuk lidhet me problematikat shëndetësore që shfaq pandemia globale COVID 19, ndaj i inkurajoj të gjithë, në veçanti të rinjtë e të rejat në mbarë vendin, të udhëheqin dhe ta mbështesin vullnetarisht këtë kauzë humane.
Vendi ka nevojë për solidaritet mbarëkombëtar, bashkëpunim, gjithëpërfshirje, për një Shqipëri humane e të dhembshur, për dashurinë, kujdesin e përkushtimin ndaj njerëzve më në nevojë!”, – u shpreh Presidenti i Republikës.
Prononcimi i Presidentit Meta për mediat:
Pyetje: A keni një thirrje për ata qytetarë që nuk iu binden autoriteteve dhe për arsye të ndryshme vazhdojnë të dalin nga shtëpitë?
Presidenti Meta: Thirrja ime për të gjithë është t’i respektojnë kufizimet, sepse ato janë për të mbrojtur çdo qytetar.
Çdo sjellje e pakujdesshme mund të rezultojë fatale jo vetëm për ata, por edhe për familjarët e tyre.
Ne po e shohim se çfarë po ndodh në Italinë fqinje, që është një vend shumë i zhvilluar, me një sistem shëndetësor shumë herë më të konsoliduar, ndaj nuk kemi nevojë për të bërë eksperimente.
Është mjaft e rëndësishme që të respektohen të gjitha udhëzimet e autoriteteve të shëndetit publik, por edhe të gjitha kufizimet që janë vendosur, sepse ato janë në interes të çdo qytetari. Nuk janë një privim. Nuk duhen konsideruar si një privim, por si një mbrojtje e domosdoshme në këto momente kritike.
Pyetje: Zoti President, janë dislokuar forca të ushtrisë dhe policisë së shtetit. Keni menduar apo keni vlerësuar për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë?
Presidenti Meta: Duhet të kuptojmë se Forcat e Armatosura dhe ato të Policisë janë në funksion të garantimit të një rregulli, të një disipline që i mbron qytetarët nga pakujdesia.
Njëkohësisht është një mundësi për të dhënë ndihmën dhe kontributin në çdo rast të domosdoshëm që do të paraqitet.
Kuptohet që kjo situatë nuk mund të përballohet vetëm me doktorë, me mjekë, me infermierë, pasi kërkon një angazhim të të gjitha strukturave shtetërore.
Kjo është një krizë e re jo vetëm për ne, por edhe për vende të tjera. Ju e shikoni që vazhdimisht kanë ndryshuar edhe udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë apo qasja e vendeve të ndryshme.
Besoj se çdo ditë do të përmirësohet mekanizmi reagues, parandalues, izolues dhe për këtë duhet bashkëpunimi i të gjithëve, reflektimi i të gjithëve, dhe solidariteti i të gjithëve.
Pyetje: Zoti President, a do të më lejoni të dal nga tema për t’ju pyetur për situatën politike në Kosovë? A keni ju ndonjë koment për mënyrën se si po veprojnë palët politike për të rrëzuar qeverinë në një moment pandemie botërore?
Presidenti Meta: Nuk kam asnjë koment. Urojmë më të mirën për përgjegjësi maksimale në këto momente edhe në Kosovë dhe është e rëndësishme, që edhe atje, si kudo, të jetë prioritet shëndeti i të gjithë qytetarëve.
Megjithatë ata janë sovranë në vendimet e tyre. Përsa u takon aspekteve të tjera, për ne është parësor shëndeti i vëllezërve tanë atje.
Së dyti, është parësor stabiliteti dhe normaliteti, po për këtë këtë kuptohet se përgjegjësinë e kanë aktorët atje.