Presidenti Meta në Konferencën Shkencore mbi Luftën e Vlorës 1920, thekson rëndësinë e saj historike

Presidenti Meta në Konferencën Shkencore mbi Luftën e Vlorës 1920, thekson rëndësinë e saj historike

Vlorë

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta mori pjesë sot në Konferencën Shkencore kushtuar Luftës së Vlorës 1920 me temë “Lufta Kombëtare e Vlorës, luftë për mbrojtjen dhe rikonfirmimin e Pavarësisë”, që u zhvillua në Teatrin “Petro Marko” nën kujdesin e veçantë të Kreut të Shtetit shqiptar.

Presidenti Meta nënvizoi rëndësinë historike dhe kombëtare të Luftës së Vlorës që edhe në këtë 100-vjetor mbetet një shembull frymëzues atdhedashurie dhe krenarie për popullin tonë.

Në praninë e Kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, Kryetarit të Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, historianëve, autoriteteve vendore të Vlorës dhe Gjirokastrës, Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve Haxhi Baba Edmond Brahimaj dhe drejtues të besimeve të tjera fetare, Kreu i Shtetit u shpreh:

“Do të doja të përshëndesja në radhë të parë angazhimin e të gjithëve ju, historianë e shkencëtarë për rëndësinë e madhe dhe vëmendjen që i keni kushtuar në këtë 100-vjetor, Luftës Kombëtare të Vlorës.

E mbështes fuqimisht idenë që 3 shtatori duhet të jetë një Ditë Feste Kombëtare, sepse është një ngjarje kombëtare, që plotëson dhe e vë në jetë Pavarësinë që ne e festojmë çdo 28 Nëntor.

Të dashur miq,

Shpesh ne harrojmë që figurat e mëdha kombëtare janë njerëz të zakonshëm, që përveç interesit kombëtar, kanë edhe interesa të tjera të ditës.
Por ata janë heronj, sepse në momentet më të rëndësishme për kombin, kanë dhënë gjithçka për të duke sakrifikuar edhe jetën.

Këto figura janë mishërimi i vlerave më të mira të kombit dhe është shumë e rëndësishme për ta patur parasysh që kur vlerësojmë heronjtë të mos lejojmë të mbizotërojë një gjykim i caktuar.

Ndaj kam qenë shumë i kujdesshëm si President i Republikës, që të gjitha vlerësimet e figurave tona kombëtare, t’ua lë historianëve.

Në këtë drejtim besoj se kemi bërë disa rivlerësime që duhet të vazhdojnë dhe besoj se edhe Konferenca e sotme Shkencore do të hedhë më shumë dritë.

Meqë Profesor Pëllumb Xhufi përmendi sot ‘Lëvizjen esadiste’, le të mos harrojmë se kur flasim për Luftën e Vlorës dhe për vitin 1920 si një vit shpëtimtar dhe të bekuar në historinë e kombit tonë, midis Kongresit të Lushnjes dhe fillimit të Luftës së Vlorës, kemi një ngjarje tjetër të rëndësishme: aktin shtetformues të Avni Rustemit në Paris.

Të gjithë e dimë shumë mirë se veprimtaria e Esat Pashës ishte një veprimtari vetëm në interes të pushtetit të tij dhe të gjithë fuqive grabitqare që e ndihmonin, e sponzorizonin dhe e paguanin në dëm të qeverisë së Ismail Qemalit dhe kundër përpjekjeve kombëtare për të pasur një shtet funksional shqiptar.

Të mos harrojmë se çfarë entuziazmi patriotik dhe urrejtje popullore ndaj tradhëtarëve krijoi akti shtetformues i Avni Rustemit, me dekurajimin e ‘Lëvizjes esadiste’.

Ashtu sikurse nuk duhet të harrojmë se në vitin 1920 kemi edhe dy figura të shquara, më pas antagoniste për arsye të bindjeve politike, të cilat ishin në një front: Ahmet Zogu dhe Avni Rustemi.

E përmend këtë, sepse është e rëndësishme që të japim mesazhe pa komplekse për atë që është bërë mirë në momentin më të rëndësishëm, por pa mbuluar ato që mund t’i konsiderojmë si veprime që nuk i kanë shërbyer një interesi të përgjithshëm apo kombëtar, stabilitetit të vendit apo demokracisë.

Për mua ishte kënaqësi që të bashkëpunoja me shumë prej jush gjatë këtij procesi. Le të bashkëpunojmë edhe në të ardhmen në mënyrë që të tregojmë kujdes më të madh për historinë!

T’i mbrojmë ngjarjet më të mëdha të vendit tonë, edhe të kombit tonë!

T’i lartësojmë ato, sidomos para brezit më të ri, sepse jetojmë në një kohë, e cila siç ka gjëra shumë të mira, ka edhe rrezik të madh për kombe që flenë, siç na ka thënë edhe Ismail Qemali: ‘Fëmija që fle, rritet. Një komb që fle, vdes!’

Globalizimi, siç ka shumë aspekte të mira, është kërcënues për vende që nuk tregojnë kujdes për historinë, për identitetin kombëtar, për edukimin patriotik të të rinjve, për të dhënë mesazhin e bashkimit në momentet më të rëndësishme.

Unë jam i sigurt se ju do të jepni një kontribut shumë të madh në këtë drejtim dhe nga ana ime do të keni gjithmonë mbështetjen më të madhe.

Dritëro Agolli, gjithmonë theksonte se: “Kënga e ka shpëtuar popullin tonë”. Sepse përmes këngës ruhet gjuha, por përmes këngës u transmetua edhe historia brez pas brezi.

Dritëroi nënvizonte me forcë që: Populli ynë, historinë, ngjarjet më të mëdha dhe ata që kanë luftuar, i ka përcjellë gjithmonë brez pas brezi përmes këngës.

Sa më e bukur kënga, aq më e madhe ka qenë lufta!

Po të dëgjosh këngët dhe poezitë e Luftës së Vlorës, e kupton se sa shumë shkëlqen kjo epope e lavdishme e kombit shqiptare.

Mirënjohjen më të madhe edhe poetit të lirisë Ali Asllanit, por edhe të gjithë të tjerëve, të cilët e kanë përjetësuar këtë epope mjaft frymëzuese, që vjen si një himn i dytë për mbarë kombin shqiptar”.