12 Shtator 2018 Presidenti Meta në një seancë të dhurimit të gjakut nga artistë, gazetarë e figura të shquara publike
Presidenti Meta me Kryqin e Kuq Shqiptar: Shembulli më i mirë i humanizmit dhe solidaritetit është ai që japim me veprat tona.
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta ishte sot i pranishëm në një seancë të dhurimit të gjakut nga artistë, gazetarë e figura të shquara publike, të organizuar në klinikën “KEIT” nga Kryqi i Kuq Shqiptar në kuadër të nismës së ndërmarrë nga “Aleanca për Dhurimin e Gjakut”.
Presidenti i Republikës theksoi në fjalën e tij se: “Sot kam një falëndërim të veçantë për këtë grup të mrekullueshëm artistësh, sportistë e gazetarë të mirënjohur, që iu bashkuan me vullnetarizëm kauzës jashtëzakonisht humane të dhurimit të gjakut.
Me aktin e tyre, për t’iu bashkuar “Aleancës së Dhurimit të Gjakut”, ata treguan edhe sot se përfaqësojnë denjësisht vlerat tona më të mira kombëtare, humanizmin dhe solidaritetin, vlera që ne i kemi në genet tona. Prandaj e theksoj gjithmonë se Shën Nënë Tereza nuk është rastësisht shqiptare.
Shqiptarët i kanë këto vlera, por kemi nevojë gjithmonë t’i zhvillojmë, t’i rizgjojmë sepse në këtë mënyrë do të garantojmë, përmes një procesi të sigurtë, dhurimin plotësisht mbi baza vullnetare të gjakut.”
Ndërsa bëri apelin publik për ndërgjegjësimin e qytetarëve shqiptarë dhe institucioneve që të dhurojnë gjak e të shpëtojnë jetë njerëzore në shenjë humanizmi e solidariteti, Presidenti i Republikës u shpreh: “I ftoj të gjithë, veçanërisht të rinjtë e të reja, të bëhen dhurues të rregullt të gjakut dhe të mbështesin këtë kauzë!”
]]>