Presidenti Meta në seancën e radhës së dhurimit të gjakut të organizuar nga të rinj e të reja italianë: Falenderim e mirënjohje për të gjithë të huajt, që në nderim të mikpritjes sonë tradicionale, solidarizohen me kauzën humane, në ndihmë të fëmijëve talasemikë shqiptarë

Presidenti Meta në seancën e radhës së dhurimit të gjakut të organizuar nga të rinj e të reja italianë: Falenderim e mirënjohje për të gjithë të huajt, që në nderim të mikpritjes sonë tradicionale, solidarizohen me kauzën humane, në ndihmë të fëmijëve talasemikë shqiptarë

Në kuadër të nismës së ndërmarrë prej Tij, “Aleanca për Dhurimin e Gjakut”, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta ishte sot i pranishëm, në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut në Laprakë, për të ndjekur nga afër seancën e radhës të dhurimit vullnetar të gjakut të organizuar nga një grup të rinj italianë, që jetojnë në Shqipëri.

Në bashkëbisedim me Presidentin Meta, të rinjtë italianë së bashku me dy pastorët, që udhëheqin veprimtarinë e tyre disavjeçare fetare dhe sociale në vendin tonë, nënvizuan dëshirën, që në bashkëpunim edhe me të rinj të tjerë italianë dhe shtetas të huaj, të vazhdojnë të japin ndihmesën e tyre për rritjen e ndërgjegjësimit në vendin tonë për dhurimin e gjakut.

Kreu i Shtetit i falënderoi për solidaritetin e tyre frymëzues me këtë kauzë humane, veçanërisht për t’ju ardhur në ndihmë fëmijëve talasemikë dhe të gjithë të sëmurëve të tjerë kronikë shqiptarë, të cilët kanë nevojë për gjak në këtë periudhë të vështirë pandemie, ku çdo kontribut është jetësor dhe tepër i domosdoshëm.

“Dëshiroj të falënderoj grupin vullnetar të besimtarëve protestantë të Kishës ‘Sabaoth’ në Tiranë, pastorët si dhe të gjithë të rejat e të rinjtë italianë, për solidaritetin e tyre të shkëlqyer frymëzues me kauzën fisnik e humane të dhurimit të gjakut, për t’ju ardhur në ndihmë fëmijëve talasemikë dhe të sëmurëve kronikë në vendin tonë, të cilët kanë nevojë jetike për gjak.

Falenderim e mirënjohje për të gjithë të huajt, që në nderim të mikpritjes sonë tradicionale, i bashkohen kauzës humane të dhurimit të gjakut.

‘Aleanca për Dhurimin e Gjakut’, si shprehje e dashurisë në veprim për njerëzit në nevojë, nuk do ndalet deri në përmbushje të misionit të saj fisnik e human.” – u shpreh Presidenti i Republikës.