Presidenti Meta në Vlorë në kuadër të “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”: Dashuri në veprim për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzish

Presidenti Meta në Vlorë në kuadër të “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”: Dashuri në veprim për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzish

Vlorë

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta ishte sot i pranishëm në seancën e radhës së dhurimit vullnetar të gjakut, që u mbajt në qytetin e Vlorës, në kuadër të nismës së ndërmarrë prej Tij, “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”.

Së bashku me qytetarë dhe të rinj vlonjatë, kauzës humane i’u bashkuan sot edhe shtetas të huaj, të cilët jetojnë dhe punojnë në qytetin e Vlorës, që në shenjë mirënjohjeje për mikpritjen tonë tradicionale, dhuruan gjak për fëmijët talasemikë dhe të sëmurët kronikë shqiptarë.

Në një prononcim për mediat, Kreu i Shtetit duke i falënderuar me mirënjohje të gjithë dhuruesit e gjakut, theksoi se, solidarizimi me këtë kauzë fisnike është shumë e rëndësishme, veçanërisht në kushtet kur pandemia COVID-19 dhe masat kufizuese kanë sjellë ulje të numrit të dhuruesve dhe rritje së nevojës  për gjak, në ndihmë të njerëzve në nevojë.

“Vlora ka qenë gjithmonë e para në udhëheqjen e kauzave sociale dhe kombëtare, duke dhënë edhe sot shembullin e saj të jashtëzakonshëm të solidaritetit me kauzën humane të dhurimit të gjakut.

Dua të falënderoj me mirënjohje të gjithë qytetarët dhe të rinjtë e Vlorës, që në këto momente kritike për shkak të pandemisë dhe masave kufizuese, iu përgjigjën thirrjes së ‘Aleancës për Dhurimin e Gjakut’.

Një falenderim të veçantë dhe për të gjithë të huajt, të cilët jetojnë e punojnë në Vlorë, të cilët edhe falë iniciativës së blogeres britanike Alice Taylor, dhuruan gjak me dëshirën dhe iniciativën e tyre, duke iu ardhur në ndihmë të gjithë atyre që e kanë të domosdoshme marrjen e gjakut.

‘Aleanca për Dhurimin e Gjakut’ do vijojë të ndalet në të gjitha qytetet e Shqipërisë, si shprehje e dashurisë në veprim për njerëzit në nevojë”, – u shpreh Presidenti Meta.