4 Dhjetor 2019 Presidenti Meta ngushëllon familjen Abazi për humbjen e jetës së dy vëllezërve Shemsedin dhe Isa Abazi nga tërmeti i 26 nëntorit
Gjilan, Kosovë
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vizitoi sot dhe i shprehu ngushëllimet e sinqerta familjes Abazi në Gjilan, për ndarjen e parakohshme nga jeta të dy vëllezërve Shemsedin dhe Isa Abazi, të cilët humbën jetën për shkak të tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Pasi u takua me anëtarët dhe të afërmit e familjes Abazi, Presidenti i Republikës u shpreh:
“Nuk mund të mos vija sot në Gjilan për të ndarë dhimbjen me familjen Abazi, për humbjen e pazëvendësueshme dhe të pangushëllueshme të dy njerëzve të tyre mjaft të dashur, pjesë e të gjitha atyre humbjeve tragjike njerëzore që pësuam me tërmetin e 26 nëntorit në Shqipëri.
Me këtë ndjenjë solidariteti që ekziston mes dy vendeve tona, që është një ndjenjë tepër vëllazërore dhe njerëzore, dhimbja do të jetë më e lehtë dhe kjo familje do të ketë mundësi për ta përballuar atë me mbështetjen e të gjithë komunitetit, e veçanërisht të të gjithëve ne në Shqipëri dhe Kosovë, në mënyrë që të gjithë ata që humbën të afërmit e tyre, të ndiejnë mbështetjen dhe kujdesin tonë, për një të ardhme më të mirë.
Ngushëllime edhe të gjithë komunitetit të mrekullueshëm të Gjilanit për këtë humbje të dy qytetarëve të nderuar!”