Presidenti Meta përkujton dhe nderon sakrificat sublime të Dëshmorëve të Atdheut: Liria dhe pavarësia duhet të mbrohen çdo ditë, sepse në kohët e reja cenohen në forma të tjera.

Presidenti Meta përkujton dhe nderon sakrificat sublime të Dëshmorëve të Atdheut: Liria dhe pavarësia duhet të mbrohen çdo ditë, sepse në kohët e reja cenohen në forma të tjera.

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, me rastin e 5 Majit, përkujtoi e nderoi sot heroizmin dhe sakrificat sublime të Dëshmorëve të Atdheut, duke bërë homazhe dhe vendosur një kurorë me lule te Monumenti “Nëna Shqipëri”, ku u përul me respekt në kujtim të gjithë atyre, të cilët dhanë jetën për lirinë e Atdheut.

Në një prononcim për mediat, Presidenti i Republikës vuri në dukje se:

“Sot përkujtuam me nderim 5 Majin, në një mënyrë krejt të veçantë, për shkak të situatës së pandemisë dhe të kufizimeve, që na kanë bërë të pamundur të shkëmbejmë nga afër përshëndetjet me veteranët, me familjet e dëshmorëve, por gjej rastin për t’i përshëndetur prej këtu ku prehen heronjtë dhe dëshmorët më të shquar të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe të Atdheut.

Kjo është Dita e Dëshmorëve, Heronjve dhe Martirëve të cilët sakrifikuan gjithçka për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, të cilët na ftojnë me sakrificën e tyre më sublime që të mos bëhemi mendjelehtë dhe ta marrim lirinë e pavarësinë si të dhëna një herë e përgjithmonë. Nëse nuk jemi gjithmonë të vëmendshëm, të përqendruar dhe vigjilentë, ato janë të cenueshme dhe përmes cenueshmërisë së tyre, cenojnë të drejtat dhe liritë e të gjithë qytetarëve.

Ndaj edhe një herë sot dua të apeloj për t’i kushtuar një vëmendje më të madhe edukimit të të rinjve dhe të fëmijëve me Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, me të vërtetat e saj më thelbësore, me sakrificat e saj të jashtëzakonshme.

Duhet të jetë e domosdoshme që të paktën një herë në jetë, çdo fëmijë shqiptar të shkojë, edhe falë programeve të shkollave, për të vizituar Borovën apo edhe vende të tjera, për t’u njohur me masakrat barbare të pushtuesve që kanë përjetuar jo vetëm burrat dhe gratë, por edhe foshnjat, edhe të moshuarit, si dhe për të kuptuar se liria dhe pavarësia kanë ardhur përmes një lufte të shenjtë, që duhet të mbrohet, por jo vetëm kaq.

Liria dhe pavarësia duhet të mbrohen çdo ditë, sepse në kohët e reja cenohen në forma të tjera.

Sot është dita e nderimit tonë për ata që kanë dhënë jetën dhe gjithçka të shenjtë për vendin tonë.

Jo vetëm kaq, por është edhe një ditë për t’u angazhuar në mënyrë që Shqipëria e lirë dhe demokratike për të cilën ata dhanë jetën, të realizohet plotësisht.”