Presidenti Meta përshëndet 110-vjetorin e Kongresit të Manastirit

Presidenti Meta përshëndet 110-vjetorin e Kongresit të Manastirit

Manastir, Maqedoni

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir mori pjesë sot dhe përshëndeti veprimtaritë përkujtimore të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, me pjesëmarrjen e dhjetra shqiptarëve nga të gjitha trevat, Ministrit të Kulturës së Maqedonisë, Asaf Ademi, gjuhëtarëve, politikanëve e filologëve.

Pas vizitës në “Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe” i mikpritur e i shoqëruar nga shumë banorë shqiptarë Presidenti Meta shpërndau në mënyrë simbolike 110 abetare për fëmijët shqiptarë të Manastirit.

Presidenti i Republikës i uroi mbarë kombit shqiptar gëzuar 110-vjetorin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe duke theksuar se rikthehet me shumë emocion në Manastir.

“Të bëjmë gjithçka që kjo ndërtesë historike për shqiptarët të pasqyrojë më së miri kontributin e patriotëve shqiptarë.

Pa Kongresin e Manastirit do të kishte qenë e vështirë edhe shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë.” – u shpreh Presidenti duke shtuar se shqiptarët tashmë janë faktor progresist në shërbim të paqes, stabilitetit dhe integrimit të rajonit tonë.

Presidenti Meta vuri në dukje: “Do të dëshiroja shumë të shpreh kënaqësinë time të veçantë që ndodhem në Manstir pikërisht në këtë muze të Kongresit historik të Manstirit, të Kongresit të Alfabetit tonë, që i bashkoi të gjithë shqiptarët.

Udha e shkronjave tona për të mbërritur deri këtu, në Kongresin që u mbajt 110 vite më parë, ka qenë një udhë mjaft e gjatë, mjaft e vështirë, mjaft e përgjakshme në emër të mbijetesës dhe të ruajtjes së kombit, duke ruajtur e duke mbrojtur gjuhën e nënës dhe gjuhën e kombit tonë.

Pak ditë më parë pata kënaqësinë që në kuadër edhe të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, bashkë me Presidentin e Italisë Mattarella të bënim një vizitë të jashtëzakonshme e historike në Kalabri dhe të vizitonim Kolegjin e ‘Shën Adrianit’. Kolegjin ku Jeronim De Rada themeloi katedrën e parë të gjuhës shqipe dhe arbëreshe atje dhe ku studiuan personalitete të jashtëzakonshme që nga Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Kostaq Cipo e shumë e shumë të tjerë, të cilët kontribuuan më pas si për Kongresin e Manastirit, si për Pavarësinë e Shqipërisë, për zhvillimin e gjuhës e të kulturës shqiptare – një kontribut i jashtëzakonshëm përmes sakrificave më sublime.

Jam sot këtu që të shpreh mirënjohjen për punën që bëhet për pasurimin e këtij muzeu dhe unë shikoj dallime të rëndësishme nga vjet. Dua të falënderoj shqiptarët dhe autoritetet në Maqedoni!

Falënderoj edhe përfaqësuesit nga Kosova për kontributin që kanë dhënë për ta pasuruar më tej!

Dhe me këtë rast do të doja të dhuroja jo vetëm 110 abetare simbolike në këtë 110-vjetor duke filluar me këta fëmijë qe kemi këtu, por njëkohësisht edhe të riafirmoj angazhimin tim si President i Republikës së Shqipërisë për të bashkëpunuar më ngushtë me autoritetet e Maqedonisë dhe me të gjithë të tjerët në mënyrë që të bëjmë gjithçka që kjo ndërtesë historike gjithnjë e më shumë të pasqyrojë atë të vërtetë të madhe, atë kontribut historik për kombin tonë që dhanë këtë patriotë të jashtëzakonshëm, si Gjergj Fishta, Mid’hat Frashëri, Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda, Bajo Topulli, Shahin Kolonja, Gjergj Qiriazi, Grigor Cilka, Sotir Peci, Taqi Buda, Nyzhet bej Vrioni dhe Parashqevi Qiriazi, të cilët i dhanë zgjidhje një problemi madhor të kulturës kombëtare, Alfabetit të gjuhës shqipe.

Pa Kongresin e Manastirit, pa standardizimin e alfabetit tonë të përbashkët, pa bashkimin e të gjithë shqiptarëve rreth këtij alfabeti, do të kishte qenë e vështirë shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë katër vite më vonë në Vlorë në 1912-n.

Ndaj ne me këtë Kongres, me këtë alfabet të standardizuar e të dakortësuar këtu nga figurat më përfaqësuese të kombit tonë nga të gjitha trevat 110 vite më parë, i detyrohemi jo vetëm ekzistencës e Shqipërisë, jo vetëm ekzistencën e shtetit të Kosovës, por edhe faktin se shqiptarët, të cilët në pjesën më të madhe të historisë, për fat të keq, kanë qenë të pushtuar e të shtypur, sot janë një faktor, që po afirmohet kudo si faktor jashtëzakonisht progresist në shërbim të paqes, të stabilitetit dhe integrimit europian dhe euro-atlantik, dhe një rast shumë i mirë është roli i shqiptarëve të Maqedonisë.

Ne shpresojmë që të përfundojë shumë shpejt edhe çështja e marrëveshjes për emrin e Maqedonisë, e marrëveshjes me Greqinë, dhe Maqedonia të jetë anëtare e NATO-s dhe së bashku me Shqipërinë të çelin negociatat vitin e ardhshëm për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Rroftë 110-vjetori i Kongresit të Manastirit!

Lavdi përjetë delegatëve të këtij Kongresi, të cilët i bënë kombit shqiptar, dhe në radhë të parë fëmijëve shqiptarë, dhuratën më të madhe: alfabetin e gjuhës shqipe!”

Më pas Presidenti Meta mori pjesë në përurimin e ekspozitave “Art i Gjilpërave” nga Zeqir Mehmeti dhe studentët e Fakultetit Filozofik të Prishtinës; në shpalosjen e “Kongresit të Manastirit – 110 vite nga Alfabeti që na bashkoi” të Prof. As. Dr. Arsim Sinanit dhe në “Ekspozitën me fotografi” të autorit Burim Ajdini.

Në Pallatin e Kulturës të Manastirit, Presidenti Meta dhe të pranishmit e tjerë të shumtë ndoqën veprimtarinë kulturore “Manastiri Feston 110 vjet” të organizuar nga Institucioni Kombëtar i Muzeut të Alfabetit të Gjuhës Shqipe të Manastirit, drejtuar nga Nuer Asllani.

]]>