17 Maj 2019 Presidenti Meta përshëndet 76-vjetorin e themelimit të Batalionit partizan “Dumrea”
Presidenti Meta përshëndet 76-vjetorin e themelimit të Batalionit partizan “Dumrea”: Askush nuk mund të ketë sukses duke cenuar vlerat e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare.
Cërrik
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta mori pjesë sot dhe përshëndeti ceremoninë përkujtimore të 76-vjetorit të themelimit të Batalionit partizan “Dumrea”.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, Kryetari i Bashkisë së Cërrikut, Altin Toska, autoritetet vendore, ish-partizanë dhe partizane, të afërm të dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare si dhe banorë të zonës.
Pasi vendosi një kurorë me lule në lapidarin kushtuar ngjarjes historike në nderim të të rënëve gjatë luftës heroike për çlirimin e vendit nga pushtuesit fashistë dhe nazistë, Presidenti i Republikës përshëndeti të pranishmit duke u shprehur:
“Të dashur veteranë dhe veterane,
Të dashur familjarë të Dëshmorëve të Atdheut dhe të partizanëve të Batalionit ‘Dumrea’
I dashur kryetar i Bashkisë, zoti Toska,
Të nderuar deputete dhe deputetë të pranishëm!
Është një kënaqësi e jashtëzakonshme të marr pjesë në festën tradicionale, por edhe kaq të bukur që ju organizoni çdo vit.
Ju keni dyfish arsye të ndiheni krenarë. E para se ky formacion partizan është njëri nga më të lavdishmit e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, që pak kohë pas krijimit të tij, mori pjesë në njërën nga betejat më të përgjakshme të të gjithë historisë së Luftës, – atë të Pojskës. E së dyti për kontributin e jashtëzakonshëm që dhanë partizanet dhe partizanët e këtij Batalioni për çlirimin e vendit tonë, aq më tepër tani në prag të 75-vjetorit të çlirimit të Atdheut.
Më 9 maj, ne festuam si gjithë Europa, Ditën e Fitores mbi Fashizmin dhe Ditën e Europës. E theksoj këtë, sepse vendi ynë për fat të keq, ishte një prej viktimave të para të fashizmit më 7 prill 1939. Megjithatë Shqipëria e nisi betejën kundër fashizmit pikërisht më 7 prill me qëndresën e Mujo Ulqinakut me shokë, për ta vazhduar deri më 9 maj të vitit 1945.
Ne jemi krenarë, jo vetëm se vendi ynë, u çlirua vetë, pa pasur nevojë për ndihmën e Ushtrisë së Kuqe apo forcave të tjera, por njëkohësisht sepse e ndoqëm pushtuesin deri në thellësi të ish-Jugosllavisë duke dhënë një kontribut të çmuar për çlirimin e të gjithë Europës.
Ne nuk e patëm fatin që të bëheshim pjesë e atij projekti europian, që nisi pikërisht më 9 maj 1945, pikërisht atë ditë të triumfit të lirisë mbi shtypjen dhe mbi fashizmin.
Por absolutisht ndihemi krenarë, sepse Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare është periudha më e ndritur e popullit dhe e kombit tonë, së bashku me periudhën e Skënderbeut e Rilindjes Kombëtare që solli pavarësinë e Shqipërisë.
Ne jemi shumë mirënjohës për sakrificat e jashtëzakonshme të bëra nga partizanët dhe partizanet e Shqipërisë, që janë të shenjta për të gjithë shqiptarët, të cilët e duan Atdheun, e duan lirinë dhe përparimin e vendit të tyre si qytetarë, me krenari dhe me dinjitet.
Ndaj askush nuk mund të ketë sukses duke cenuar vlerat e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, sepse ato janë kaq të forta e të larta, sa që kushdo që sulmon ato vlera, thjesht tregon dëshpërimin e tij.
Nuk është koha për t’u marrë me të kaluarën, sepse shqiptarët në atë periudhë e bënë detyrën e tyre me dinjitet dhe me sakrifica të panumërta. U vendosën në anën e duhur të historisë. Na ndihmuan edhe ne, që sot jemi në anën e duhur të historisë.
Tani është koha për të shtuar përpjekjet dhe bashkëpunimin me njëri-tjetrin, që jo vetëm të nderojmë sakrificat e heronjve tanë dhe të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, por edhe njëkohësisht të bëjmë më të mirën për vendin tonë, për integrimin europian të tij, në mënyrë që fëmijët e Cërrikut, fëmijët e Elbasanit, fëmijët e të gjithë Shqipërisë të rriten jo vetëm me mirënjohjen për të parët e tyre, por njëkohësisht edhe me ndjenjat patriotike, me dashurinë, për të bërë më të mirën për Atdheun tonë, pikërisht këtu në Cërrik, në Elbasan dhe në Shqipëri.
Gëzuar këtë festë tuajën, por edhe të gjithë popullit tonë! Lavdi të përjetshme Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe Dëshmorëve të Atdheut!”
Presidenti i Republikës vizitoi më tej edhe panairin e organizuar nga Bashkia në qendër të qytetit të Cërrikut, me sipërmarrje që ushtrojnë veprimtaritë e tyre në këtë qytet.