
6 Prill 2018 Presidenti Meta përshëndet prezantimin e “Aleancës Kombëtare të Studentëve Senatorë”: Asetet më të mëdha të Shqipërisë janë të rinjtë dhe ëndrrat e tyre për të ringritur krenarinë e këtij vendi.
Në fjalën e mbajtur në këtë aktivitet, Presidenti Meta tha se asetet më të mëdha të Shqipërisë nuk janë thjesht resurset natyrore apo nëntokësore, por të rinjtë dhe ëndrrat e tyre për të ringritur krenarinë e këtij vendi, duke punuar dhe kontribuar këtu.
Në vijim fjala e plotë e Presidentit të Republikës në këtë veprimtari:
“Kjo ‘Aleancë Kombëtare të Studentëve Senatorë’ që ju themeloni sot është vërtet një platformë shpresëdhënëse dhe elitare për një rol të ri të studentëve dhe të të rinjve, për të adresuar shqetësimet dhe sfidat e arsimit si dhe çështjeve më të ndjeshme të shoqërisë shqiptare.
Pasuria më e madhe e një vendi është rinia dhe investimi më i madh dhe më i mençur që një vend mund të bëjë është ai për edukimin e fëmijëve dhe të rinjve.
Sot kemi rreth 243 mijë nxënës në arsimin shkollor 9-vjeçar, nga 560 mijë që kanë qenë të regjistruar 20 vite më parë.
Nga ana tjetër, të dhënat e INSTAT-it tregojnë se në vitin 2017, popullsia në grup moshën nga 15-44 vjeç, që është pjesa më aktive dhe më vitale edhe e tregut të punës, u reduktua me 162 mijë persona në krahasim me vitin 2001.
Vetëm këto dy statistika mjaftonjnë si një këmbanë alarmi për të ardhmen e ekonomisë dhe të shoqërisë tonë.
Ndryshimet demografike, shpopullimi i zonave të caktuara dhe emigracioni, plakja e popullsisë, rëndësia e edukimit cilësor dhe vendet e reja të punës të mirëpaguara për të rinjtë, duhet të jenë çështjet më prioritare në axhendën tonë të zhvillimit dhe mirëqeverisjes.
Këto janë sfida madhore jo vetëm për të rinjtë, por edhe për forcat politike, për programet dhe angazhimet e tyre karshi pritshmërive dhe interesave të qytetarëve.
Të rinjtë tanë kanë nevojë për më shumë edukim dhe kualifikim me dije dhe aftësi bashkëkohore që u përgjigjen sfidave të ‘ekonomisë së dijes’ dhe globalizimit.
Sikurse duhet të mbështesim me çdo mënyrë iniciativat e të rinjve në ‘start-up’ e tyre të sipërmarrjes.
Asetet më të mëdha të Shqipërisë nuk janë thjesht resurset natyrore apo nëntokësore, të cilat për fat të keq ne jemi mësuar edhe t’i shpërdorojmë, por të rinjtë dhe ëndrrat e tyre për të ringritur krenarinë e këtij vendi, duke punuar dhe kontribuar këtu.
Shqetësimi im madhor ka qenë dhe mbetet se si t’iu rikthejmë shpresën dhe t’iu krijojmë kushtet e nevojshme të rinjve tanë të kualifikuar për të investuar talentin dhe energjinë e tyre këtu, dhe jo jashtë vendit.
Më shumë duhet të bëjmë që mijëra të rinjë të mirëedukuar në universitetet më të njohura të botës mos ta shohin kthimin në atdhe akoma me skepticizëm, sepse nuk u krijohen mundësitë që meritojnë për t’u integruar në tregun e punës, në vendimmarrje, apo edhe në qeverisje.
Kam besimin se themelimi sot i ‘Aleancës Kombëtare të Studentëve Senatorë’ është mesazhi i duhur për rininë shqiptare.
Ju, me përkushtimin, aktivizimin dhe zërin tuaj duhet të rezononi pozitivitet jo vetëm në përmirësimin e jetës akademike dhe të kushteve të studentëve, por edhe në zgjidhjen e problemeve në universitetet publike e të arsimit të lartë, dhe mbi të gjitha duhet të jeni në krye të progresit dhe emancipimit të shoqërisë dhe të vendit tonë.
Të dashur senatore dhe senatorë,
Në aktualitetin politik, shoqëror dhe ekonomik të vendit tonë, përfshirja aktive e gjeneratës së re në debatin dhe dinamikat e zhvillimit të vendit, është një domosdoshmëri.
Dëshira dhe ftesa ime e sinqertë për të gjithë ju është që të merrni më shumë përgjegjësi, të bëheni pjesë më aktive e proceseve demokratike, e reformave dhe zbatimit të tyre, e ligjeve dhe zbatimit të tyre, të kërkesës për transparencë dhe llogaridhënie, si dhe promotorë të gjithë europianizimit të shoqërisë sonë.
Dua t’ju përgëzoj për institucionalizimin e kësaj iniciative për të ngritur lart zërin e bashkuar të studentëve ndaj edhe ai angazhimi që edhe i vetëm do të qëndrosh, nuk mjafton.
Duhet nga një në një mijë, në dhjetë mijë, në njëqind mijë e njëmilion të gjithë së bashku për të fuqizuar rolin dhe kontributin e të rinjve për një të ardhme më të begatë e gjithëpërfshirëse.
Për fat të keq edhe në këtë kohë jetojmë në një klimë të papranueshme konfliktualiteti dhe përjashtimi, arbitrariteti dhe arrogance. Ndaj besoj se e gjithë shoqëria jonë ka nevojë për një fuqizim të shoqërisë civile. Ka nevojë për një fuqizim të mendimit të pavarur përtej ideve, ideologjive dhe interesave për pushtet të forcave politike, sepse kemi nevojë të forcojmë institucionet e përbashkëta dhe afatgjata.
Në këtë drejtim unë shpresoj dhe e mbështes këtë iniciativë duke besuar se kjo do të sjellë fuqizim e një kulture të re të bashkëpunimit në interes të përgjithshëm dhe në interesin publik. Vendi ynë ka nevojë për institucione të tilla të qëndrueshme, të besueshme dhe të respektueshme nga të gjithë.
Ky do të ishte edhe kontributi juaj më i mirë që Shqipëria të jetë me të rinj dhe të jetë e të rinjve!”
]]>